Asociacioni: U kthye nga Berlini, Kurti me nënkryetaret e komunave në veri thotë që 'u mor vesh' se çka t’i thonë QUINT-it
Pak ditë pas kthimit nga Berlini, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me nënkryetaret e komunave në veri të vendit. Dhe pikërisht në këtë takim, ata janë marrë vesh për disa “kërkesa” që përfaqësuesit në veri do t’ua bëjnë përfaqësuesve diplomatikë të QUINT-it. Për çka bëhet fjalë?
Bëhet fjalë për Asociacionin.
Para disa ditësh, mediumi gjerman “Frankurter Algemeine Zeitung” citonte kryeministrin Kurti të kishte thënë se “çdo asociacion i komunave, duke përfshirë ato të dominuara nga serbët, duhet të iniciohet dhe miratohet në nivel lokal”.
“Një asociacion komunash, qofshin ato serbe, mund të themelohet vetëm nga vetë këto komuna. Do të ishte shkelje e parimeve të Këshillit të Evropës dhe Kushtetutës së Kosovës nëse qeveria kosovare do të donte t'i impononte me dekret asociacionit të komunave serbe një draft nga Kuinti (apo ndonjë tjetër). Qeveria mund të sigurojë kornizën dhe të mbështesë themelimin e një asociacioni të komunave me vullnet të mirë, por nuk mund ta imponojë atë – shtysa për këtë do të duhej të vinte nga niveli lokal, nga vetë komunat.” – ishte shprehur kryeministri.
Krejt kjo, pasi hapi konkret për Asociacionin, Kurtit iu kërkua nga Gjermani e Franca. Në dy bisedat që pati me presidentin Macron e kancelarin Scholz, të dy i thanë se për anëtarësim në Këshill të Evropës, duhen hapa konket për Asociacion.
Takimi
Pak ditë pas kthimit të tij në Kosovë, Kurti është takuar në një prej hoteleve në kryeqytet me nënkryetarët e komunave në veri të vendit.
Të pranishëm, ishin edhe dy ministra të Qeverisë së tij, Nenad Rasic e Elbert Krasniqi. Ndërkohë, duke njoftuar pëtë këtë takim, Kurti u shpreh:
“Pas takimeve në Berlin, konsiderova që një hap i duhur është të diskutoj me përfaqësues serb të komunave veriore. I konsultova mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave”.
Megjithatë, në një paragraf tjetër të postimit të tij në rrjetin social Facebook, Kurti thotë se përfaqësuesit në veri e shohin anëtarësimin e Kosovës në KiE si të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre.
Dhe këtu, ata janë marrë vesh me Kurtin që kur t’i takojnë përfaqësuesit diplomatikë, t’ua shprehin edhe atyre të njëjtat:
“Të gjitha ato më thanë që e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre. Dhe, më premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa gjithashtu”.
Mediumi “FAZ” në një artikull raportonte se si në disa kryeqytete evropiane, po dëgjohen zëra që i kërkojnë Kurtit hapa drejt Asociacionit, në këmbim anëtarësimin në KiE. Kurti, këtë e di.
“Nga disa kryeqytete evropiane flitet se Kosova, para se të votohet për pranim, duhet së pari të lejojë krijimin e një asociacioni të komunave serbe, në mënyrë që të sigurohen të drejtat e pakicës serbe.” – thuhej aty mes tjerash.
Për fund, vlen të theksohet edhe letra që Kurti bashkë me presidenten Osmani e kryeparlamentarin Konjufca ia kishin nisur raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis.
Aty, krerët e shtetit tonë zotoheshin se bashkarisht do të themelojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.