Ish-ministri i shkarkuar ukrainas bën thirrje për zgjedhje në kohë lufte - NACIONALE

Ish-ministri i shkarkuar ukrainas bën thirrje për zgjedhje në kohë lufte

1 ditë më parë

nga NACIONALE

Ish-ministri i shkarkuar i Mbrojtjes i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, të martën në mbrëmje bëri thirrje për zgjedhje në kohë lufte, duke deklaruar se vendi ballafaqohet me krizë të qeverisjes, në sfidën e brendshme më të madhe ndaj presidentit Volodymyr Zelensky që nga viti 2022.

Thirrja e Fedorovit, e shprehur në një video-adresim të publikuar në platformën “YouTube”, është kërkesa e parë e tillë nga një figurë e rëndësishme politike ukrainase që nga fillimi i pushtimit të plotë rus më 2022. Ligji në Ukrainë e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë luftës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

35-vjeçari Fedorov ishte aleat i Zelenskyt për një kohë të gjatë deri në shkarkimin e tij të papritur nga Ministria e Mbrojtjes në korrik, vetëm gjashtë muaj pas emërimit.

“Demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rusia. Ne duhet të gjejmë një mekanizëm ligjor, të sigurt dhe realist, i cili do ta lejojë Ukrainën që ta përtërijë procesin e saj të plotë demokratik madje edhe në kushtet e një lufte të gjatë” – tha ai.

Në atë që u duk si sfidë e hapur ndaj Zelenskyt, Fedorovi tha se Ukraina ballafaqohet me “një krizë sistematike të qeverisjes”.

“Sistemi i vjetër jeton sipas rregullave të veta shumë shpesh. E mbron veten. Është i frikësuar nga ndryshimi” – shtoi ai.

Pa përmendur emra, Fedorovi e kritikoi korrupsionin zyrtar, për të cilin tha se e dëmton luftën e Ukrainës. Ish-ministri rishtazi ka thënë se beson se reforma e tij në proceset e prokurimit në Ministrinë e Mbrojtjes, që është përgjegjëse për pajisje me vlerë të miliarda dollarëve, kontribuoi në shkarkimin e tij.

Zyra e Zelenskyt nuk pati koment të menjëhershëm për deklaratën e Fedorovit.

Lajme të ngjashme