Letra ku zotohet për themelimin e Asociacionit: Kurti servon kafen pa filxhan? - NACIONALE

Letra ku zotohet për themelimin e Asociacionit: Kurti servon kafen pa filxhan?

1 muaj më parë

nga Leonitë Demaku

Albin Kurti i para një viti deklaronte se nuk mund t’i kërkohet formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pa njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Njohjen, ai e sheh përmes marrëveshjes së arritur para më shumë se një viti, por jo edhe të nënshkruar. Albin Kurti i marsit 2024 ndërkohë, na vjen me nënshkrim të një letre ku ai zotohet për themelim të Asociacionit.

Gazeta Nacionale të shtunën publikoi një letër të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca ia kanë nisur raportueses në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis.

Letra do të shkaktonte shumë reagime më pas, krejt kjo, për shkak të një zotimi. Në këtë shtojcë përmendet themelimi i Asociacioni sa më shpejt që është e mundshme. Kurti, Osmani e Konjufca e informojnë raportuesen për Kosovën në Këshillin e Evropës se do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I.

Në këtë kontekst, duke e marrë parasysh dhe mbi bazën e së drejtës kushtetuese të Kosovës, ne do të donim që ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’ju informuar se ne do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I të letrës suaj të datës 21 mars 2024 pas bërjes së Kosovës shtet anëtar i Këshillit të Evropës..."

A po servohet kafja pa filxhan?

“…nuk mund të sjelli kafe, pa filxhan” – ishte kjo shprehja që Kurti më së shumti e përdorte për të arsyetuar mosformimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje kjo që i kërkohet thuajse çdo ditë.

Frazën e tij me filxhan e me kafe, Kurti e ka përmendur të paktën në tri paraqitje deri më tani. Pra, ai linte të kuptohej se nuk ka Asociacion, pa u njohur pavarësia e Kosovës.

“E kam thënë më herë këtë të kërkosh Asociacion pa e njohur pavarësinë e Kosovës është sikur të kërkosh kafe pa filxhan. Nuk muj të sjelli kafe pa filxhan.”kishte thënë Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një pajtim para një viti me Marrëveshjen Bazë, të cilën Kurti e kishe parë si njohje të ndërsjelltë de-facto.

Kjo marrëveshje, ani se ka kaluar njëvjetorin e parë, s’u nënshkrua kurrë. ShBA-ja dhe BE-ja në anën tjetër, në vazhdimësi kanë deklaruar që nënshkrimi ose jo, nuk ndikon te detyrimi për zbatim.

Kosova ndërkaq, ndodhet para një momenti tjetër historik – anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Për t’u anëtarësuar në këtë institucion, Kurti hoqi dorë nga një qëndrim i mbajtur për gati një dekadë, që është kundërshtimi i vendimit se 24 hektarë tokë përreth i takojnë Manastirit të Deçanit. Kurti, ia dha tokat Manastirit të Deçanit.

Anise është rekomanduar anëtarësimi i Kosovës, në të njëjtën kohë, raportuesja Dora Bakojanis pritet të rekomandojë edhe një post-monitorim, e që lidhet, pikërisht me Asociacionin.

Këtu, shtrohet pyetja, a do ta servojë Kurti kafen pa filxhan, pra a do ta respektojë Asociacionin për hir të anëtarësimit në KiE?

Lajme të ngjashme