Asgjë konkrete: Presidenca çeke thotë se duhet të sqarohen edhe tema tjera - NACIONALE

Asgjë konkrete: Presidenca çeke thotë se duhet të sqarohen edhe tema tjera

1 vit më parë

nga NACIONALE

Takimi dy-ditor i grupit punues për vizat, ku një prej çështjeve kryesore që u diskutua ka qenë liberalizimi i vizave për Kosovën, ka përfunduar. Rezultati i vetëm i arritur siç duket, del të jetë se “diskutimet do të vazhdojnë”.

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka dhënë pak detaje rreth takimit, në të cilin tha se u prezantua raporti i përditësuar i Komisionit Evropian që rikonfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Më 13 tetor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të BE-së e ka mbajtur diskutimin e parë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën Çeke. Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e përditësuar teknik për këtë temë i cili rikonfirmon që Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave”, thuhet në një përgjigje të tyre për Dukagjinin.

Veç kësaj, theksohet se diskutimet do të vazhdojnë pasi që është e nevojshme të sqarohen edhe tema të tjera.

“Grupi Punues e ka mirëpritur rihapjen e diskutimeve mbi këtë temë dhe në përgjithësi e ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave. Në mënyrë që të ketë progres në këtë çështje do të jetë e nevojshme që të sqarohen një sërë temash të ndërlidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, vijon përgjigja.

Franca?

Radio Evropa e Lirë gjatë ditës raportoi se procesi i liberalizimit të vizave është kushtëzuar me “funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.”

ETIAS është akronimi për Sistemin e Autorizimit dhe Informacionit të Udhëtimeve në Evropë.

Gjithnjë sipas burimeve të REL, ky propozim i Francës, një prej shteteve më skeptike për këtë çështje, është mbështetur edhe nga zyrtarë tjerë nga të paktën katër shtete evropiane, Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.

Kjo vjen pas shqetësimeve në lidhje me terrorizmin dhe krizën me emigrantë.

Bashkimi Evropian ka krijuar programin në fjalë për “të mbrojtur dhe fuqizuar kufijtë e saj”.

“Qëllimi kryesor i ETIAS për Evropën është të identifikojë kërcënimet e mundshme apo rreziqet e lidhura me vizitorë që udhëtojnë nga secili prej shteteve të Zonës së Schengenit.”

Çka është ETIAS-i?

ETIAS, sipas uebfaqes zyrtare të saj, është një sistem i informacionit dhe autorizimit të udhëtimit në Bashkimin Evropian.

Ky program është themeluar nga BE për të “mbrojtur dhe përforcuar kufijtë e saj”, me synim për të identifikuar kërcënimet e mundshme që lidhen me vizitorët nga vendet që janë pjesë e hapësirës Schengen.

"Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shchengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori 2023, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. ETIAS do të bëhet një kërkesë e obligueshme për hyrje.", shkruhet në uebfaqen e ETIAS, transmeton Nacionale.

Tutje, në uebfaqe sqarohet se nëpërmjet këtij sistemi do të autorizohen për vizitë të gjithë personat që vijnë nga vendet e Schengenit e që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Vendet që përbëjnë këtë rajon specifik, pranojnë heqjen e kufijve të brendshëm me vendet e tjera anëtare. Aktualisht ka më shumë se 50 vende që do të duhet të aplikojnë për heqjen e vizave ETIAS kur vizitojnë zonën Schengen. ETIAS mund të jetë i disponueshëm në më shumë vende në të ardhmen.”, shkruan tutje në faqen zyrtare të ETIAS-it.

Lajme të ngjashme