Çka është liberalizimi i vizave? - NACIONALE

Çka është liberalizimi i vizave?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Liberalizimi i vizave është një temë shumë e përfolur në Kosovë. Për këtë proces deri me tani janë dhënë shumë afate nga zyrtarët vendorë dhe ata të BE-së, mirëpo deri më tani asnjë nuk është përmbushur. Por, çka është liberalizimi i vizave?

Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar në mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj. Për t'u qartësuar është akoma fakti, se kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet, pjesë të zonës Shengenit.

Zona Shengen përfshin një numër të madh shtetesh. Në rast se Kosova do të nënshkruante këtë marrëveshje, atëherë qytetarët e saj do të mund të udhëtonin lirshëm, në shtetet e Bashkimit Evropian, sikurse Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, etj. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin, në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni, etj.

Një liberalizim potencial nuk është vendim i vlefshëm pafundësisht. Gjendja në këtë marrëveshje çdoherë mbetet për t'u rivlerësuar. Së pari, qytetarët si individë mund të marrin gjoba, në rast të shkeljes së kushteve të përcaktuara. Së dyti, në situata kur dëshmohet shkelja e abuzimi me kushtet e udhëtimit pa vizë dhe kjo ndodh në numër të rëndësishëm, atëherë Bashkimi Evropian mund të rishikojë ose suspendojë marrëveshjen për liberalizimin e vizave me shtetin përkatës. Rrjedhimisht liria e lëvizjes për në këto vende, mund të mbarojë.

Kosova dhe procesi i liberalizimit

Procesi i liberalizimit për Kosovën nuk qe aspak rrugë e zakonshme. Ai u shoqërua me një serë vështirësish dhe keqkuptimesh, aq sa vetë liberalizimi i vizave u shndërrua në tallje me politikanët që hera-herës njoftonin se liberalizimi është afër ose është në prag.

Në rastin e Kosovës lehtësisht mund të thuhet se kemi një historik negociatash, që zgjati më shumë se një dekadë.

Kosova filloi negociatat për liberalizim gjatë vitit 2012, pra 10 vite me parë. Më 19 janar 2012, Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Cecilia Malmstrom, vizitoi Kosovën, me ç'rast paraqiti planin për dialog mbi liberalizimin e vizave.

Që atëherë, Kosovës i janë vendosur kritere të ndryshme, të cilat edhe ndryshonin. Por, e pandryshuar mbeti përgjigjja, që ishte mohuese e një marrëveshjeje të mundshme.

Gjatë rrugës Kosova ndeshi një numër kushtesh e kriteresh që nganjëherë vlerësoheshin si të tepërta. Një gjykim i tillë fitoi peshë kur BE si institucion, në rastin e Kosovës për liberalizimin e vizave vendosi në rrugë me tepër çështje të ndërlikuara politike, para kërkesave ose kushteve administrative e teknike për t'u plotësuar.

Më 4 maj 2016, Komisioni Evropian pati dhënë konfirmimin se Kosova ka plotësuar kriteret e vendosura për liberalizimin e vizave dhe rrjedhimisht i kishte propozuar Këshillit të BE-së, vendosjen e regjimit të udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës.

Përderisa Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian dhanë dritën e gjelbër ose miratimin për liberalizim potencial të vizave për Kosovën, Këshilli i Ministrave i BE-së nuk e ka bërë këtë akoma. Anëtarët e këtij organi, duke marrë shkas në arsyetimin se disa nga vendet anëtare të BE-së akoma vlerësojnë se Kosova nuk ka arritur lartësinë e rekomandueshme, në kuptim të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka refuzuar të aprovojë një marrëveshje të Shengenit me Kosovën.

Megjithëse është lehtësisht e dokumentueshme që kushtet në masë të madhe janë plotësuar nga Kosova, liberalizimi nuk u nënshkrua.

Kushtëzimi me demarkacion

Rruga e Kosovës drejt kësaj marrëveshjeje ishte shumë e veçantë, meqë kushtet që u vendosën për t'u arritur kjo marrëveshje, ishin qartazi politike.

Kur Kosova kishte përmbushur pothuajse të gjitha kriteret, liberalizimi i vizave ishte kushtëzuar me ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

"Janë dy kushte të cilat duhet të plotësohen para se të bëhet liberalizimi i vizave. Këto dy kushte janë që Kosova ta përmirësojë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku ka përparime, dhe kushti i dytë është ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Nëse Kuvendi i Kosovës e voton demarkacionin, ne, Bashkimi Evropian, do të lëvizim shumë shpejt në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovës”, deklaroi Federica Mogherini, në Prishtinë, gjatë marsit të 2017, atëbotë shefe e diplomacisë evropiane.

Në vitin 2018, Kosova kishte ratifikuar këtë marrëveshje, por BE-ja nuk e mbajti premtimin për liberalizim të vizave.
Ndonëse edhe vetë institucionet e BE-së njoftuan se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret e llojit të parë, atij të luftimit të krimit dhe korrupsionit, gjendja mbetet e njëjtë. Kosova vazhdon të mbetet peng i burokracisë së komplikuar të Bashkimit Evropian dhe interesave të shteteve brenda tij.

Historiku i Zonës Schengen

Në vend të fjalës për historikun, thënë shkurtimisht liberalizimi i vizave paraqet “mundësi për të lëvizur lirshëm brenda zonës Schengen”. Zona Schengen lindi në marrëveshjen e 14 qershorit të 1985 mbi largimin gradual të pikave kufitare, në mes Republikës Federale të Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Luksemburgut dhe Holandës.

Emri Schengen, mbeti nga vendi ku u nënshkrua kjo marrëveshje – një qytezë brenda Luxemburgut.

Me qartësimin e idesë, numri i vendeve nënshkruese është rritur gradualisht – duke arritur në 26 të tillë, që kanë pranuar kushtet e kësaj marrëveshjeje.

Marrëdhënia në mes Bashkimit Evropian dhe Schengen Zonës gëzon një rëndësi të veçantë, meqë shpeshherë këto dyja përdoren reciprokisht, ndonëse janë entitete të ndryshme. Në situatë të zakonshme, nënshkrimi i marrëveshjes Schengen, nuk varet domosdoshmërisht nga pranimi brenda institucioneve të Bashkimit Europian – vende të ndryshme mund të zgjedhin nënshkrimin e marrëveshjes për udhëtime të lira – pa regjimin e vizave – duke mos synuar të jenë pjesë e BE-së.

Lajme të ngjashme