Analistët e lidhin liberalizimin e vizave për Kosovën me dialogun, kërkojnë lobim tek vendet bllokuese - NACIONALE

Analistët e lidhin liberalizimin e vizave për Kosovën me dialogun, kërkojnë lobim tek vendet bllokuese

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ndonëse Kosova konsiderohet që i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara, kosovarët vazhdojnë të jenë qytetarët e vetëm të Ballkanit Perëndimor që ende nuk kanë liberalizim të vizave. Mësymja e qytetarëve drejt shteteve të Evropës, vazhdon të përballet me procedura dhe vonesa për vizë në ambasadat ndërkombëtare në Prishtinë.

Megjithatë, tema e liberalizimit të vizave është hapur përsëri në diskursin publik në Kosovë. Analistët e shohin liberalizimin e vizave me procesin e dialogut të Brukselit.

Shtohen deklaratat në favor të liberalizimit

Javëve të fundit, është parë një shpeshtim i deklaratave të diplomatëve dhe zyrtarëve të huaj që e quajnë të padrejtë izolimin e lëvizjes së lirë të Kosovës.

Të premten e javës së kaluar, këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneebereg ka nisur një peticion online për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Mos e izoloni Kosovën. Tani është koha. Të drejta të barabarta për qytetarët e Kosovës si për qytetarët e BE-së. Të drejta të barabarta për të gjithë evropianët”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Twitter.

Ndërkaq, iniciativa e nisur në change.org, është përkrahur edhe ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek.

Lunacek, e ka quajtur iniciativë të rëndësishme nismën e Schneerberger.

Mirëpo, përveç kësaj iniciative, muajve dhe javëve të fundit janë shpeshtuar deklarata edhe nga zyrtarë të tjerë që kërkojnë liri të lëvizjes për Kosovën.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde ka deklaruar se ai do të jetë ambasadori i fundit gjerman që do të pyetet për liberalizimin e fundit.

Po këtë muaj, edhe ministrja austriake për Evropë dhe Kushtetutë, në një takim me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi se Kosova ka përmbushur të gjitha (95) kriteret për liberalizim të vizave.

Liberalizimi dhe dialogu – analistët i shohin të ndërlidhura

Për njohësin e çështjeve të dialogut, Gazmir Raci. Liberalizimi i vizave është i lidhur me rrjedhën e dialogut Kosovë – Serbi dhe se kjo është një vendimmarrje politike.

“Liberalizimi mendoj tash është shumë i lidhur ngushtë me progresin në dialogun e Brukselit, sepse të gjitha kriteret teknike janë plotësuar. Por duket se vetëm vendimmarrja politike mungon. Bashkimi Evropian për të treguar interesim real ndaj Ballkanit, duhet menjëherë të hiqen vizat ndaj Kosovës dhe të hapen perspektiva e qartë për integrim”, thotë Raci për Nacionalen.

Për Racin, integrimi duhet të kaloj në një dimension më të shpejtë për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe të sigurisë.

“Hyrja e gjashtë vendeve të Ballkanit në BE është mundësia e vetme për të ndaluar synimet e Rusisë për destabilizim”, thotë ai.

Një interepretim të njëjtë, e cila e lidh mundësinë e liberalizimit me dialogun, ditë më parë kishte theksuar edhe Demush Shasha, njohës i integrimit evropian, në një intervistë për Gazetë Nacionale.

"Nga viti 2020 diskutimi për lirinë e lëvizjes në kohë pandemie ka qenë i pamundur. Ndërkohë, po ashtu, fatkeqësisht, procesi i liberalizimit të vizave është ndërlidhur me dialogun me Serbinë", tha në intervistë Shasha.

Liberalizimi i vizave është gabim i qartë i BE-së edhe sipas emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Gjermani tha se mosliberalizimi i vizave për Kosovën është njëri nga dy gabimet më të mëdha të Bashkimit Evropian.

Sarrazin është pyetur nëse Kosovës nuk po i liberalizohen vizat pasi vendimmarrësit mendojnë se qytetarët e Kosovës janë kriminelë.

Ai ka thënë se është vërtetë që ekziston problemi i kriminelëve dhe se kriminelët nga Ballkani Perëndimor veprojnë në bashkëpunim me kriminelët me bazë në Evropën Perëndimore.

Por, sipas tij, ky problem do të ekzistojë pa marrë parasysh a bëhet a jo liberalizimi i vizave.

“Nuk mendoj se dikush që është aktiv në aktivitete kriminale ka nevojë për liberalizim të vizave që të udhëtojë në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Sarrazin, që sipas tij, të dhënat nuk tregojnë që ka abuzim me vizat nga kosovarët.

Për ligjëruesin e politikave të Bashkimit Evropoan, Avdi Smajljaj, mbështetja e theksuar nga Gjermania dhe Austria janë të mirëseardhura. Por, sipas tij, kjo çështje duhet të adresohet drejt vendeve bllokuese në Bashkimin Evropian për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës.

“Mendoj se çështja e liberalizimit duhet të targetohet tek dhe në shtetet që janë bllokuese, sidomos Franca dhe Holanda. Institucionet duhet gjetur mënyrën se si t’ua ndërrojnë mendjen shteteve bllokuese, duke përdorur të gjitha lidhjet e mundshme institucionale, lobuese”, thotë Smajljaj për Nacionale.

Analisti theksoi se peticionet nuk janë të mjaftueshme për ndryshimin e shteteve bllokuese.

“Peticioni mundet deri diku të ngrisë si temë, por nuk besoj se di të ketë mundësi për të futur në agjendën vendimmarrëse të këshillit të ministrave, dhe të ketë mundësi të ndryshoj qëndrimin e shteteve bllokuese. Kurse sa i përket kohës kur mund të bëhet liberalizimi, nuk e di kohën, por nuk besoj se këtë vit”, mendon Smajljaj, që për ndryshimet e fundit të Francës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, i quaj “shenja jo shpresëdhënëse”, tha ai.

Franca, që po e udhëheq presidencën e BE-së, është njëra nga shtetet skeptike sa i përket heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.

Parisi zyrtar vazhdojnë të deklarojnë se Kosova ende nuk i ka plotësuar në mënyrë të prerë kushtet e caktuara nga Brukseli.

Lajme të ngjashme