Çkado që mund të bëjë Serbia “është tepër pak, tepër vonë”, Kosova në KiE “punë e kryer” – Intervistë me Nevenka Tromp - NACIONALE

Çkado që mund të bëjë Serbia “është tepër pak, tepër vonë”, Kosova në KiE “punë e kryer” – Intervistë me Nevenka Tromp

2 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Kundërshtitë e hapura të Beogradit – edhe në trajta skajshmërisht vullgare si “Kosova përherë Serbi” – që pamë dje në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës “janë veçse bërtima të një fëmije të lazdruar që s’ndryshojnë gjë te anëtarët e KiE-së”.

Kështu na tha profesoresha në Universitetin e Amsterdamit, njëherit njohëse e shquar e çështjeve rajonale, Nevenka Tromp, në një bisedë rreth votimit të suksesshëm të djeshëm në PACE ku Kosova u votua masivisht për të shkuar drejt fazës së fundit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Por, në pikturën e gjerë, sipas saj, realiteti është krejt tjetër. Serbia, na thotë ajo, në fakt “është pajtuar e dorëzuar” që Kosova veçse të jetë në KiE; dhe se “bërtimat e djeshme” ishin asgjë përveç një servimi “për konsum të brendshëm politik” në audiencën serbe.

Për mua ky proces është krejtësisht i kryer”, thotë Nevenka Tromp, pa e vënë as në dyshim se mund të ketë “ndofarë përmbysje të minutave të fundit”.

Për lajtmotivin e djeshëm që dëgjuam dje nga deputetët serbë në PACE, Tromp e sheh krejtësisht falso e cila, sipas saj, përkthehet në një pozicion “absolutisht disfatist”.

Se çfarë paska Serbia në dorë të ndalojë procesin? Të largohet? Kjo është pozicion absolutisht i llahtarshëm disfatist, dhe nuk do ta bëjnë”.

Edhe vetë Serbia në 2003’ën u bë anëtare e KiE-së në proces të përshpejtuar, dhe atë krejtësisht e motivuar politikisht, kur e vranë kryeministrin Zoran Gjingjiq nga krahët nacionalist-militantë. Largimi s’do të ishte shenjë fuqie, por dobësie”, na tha ajo.

Për atë që Serbia ‘njofton’ për betejë të fortë kundërshtuese në nivelin e ministrave të jashtëm – i.e, në instancën e fundit vendimmarrëse – Tromp është e bindur që “çka do që Serbia do të bëjë është tepër pak dhe tepër vonë”.

Këtu ajo trajton edhe vetë ‘këshillat’ që Vuçiq u bënte kabinitetit të ministrave të tij se kundërshtia e Kosovës në KiE nuk duhet të bëhet mbi premisat (gjoja) se “Kosova nuk është shtet...sepse vendet që e njohin s’ua pranojnë...por që s’ka proces themelimi i Asociacionit duhet të jetë argumenti juaj më i fortë”.

Ky është një pranim i llahtarshëm nga Aleksandar Vuçiq që shtetësia e Kosovës nuk duhet të përdoret si argument kundër Kosovës ndërsa Daçiqi thotë se si Këshilli i Evropës mund ta ftojë këtë territor si anëtare? Kjo veçse tregon këtë dorëzim që Serbia e ka pranuar dhe për të shkuar te Asociacioni”, thotë ajo në bisedë me Nacionalen.

Por, çka përbën për të dëshmi të paeukivoke se procesi do të vijojë mirë është ajo që deputetët dje në PACE ishin “skajshmërisht në dijeni për faktet në terren”.

Prandaj, sipas saj, “Vuçiqi këtu s’mund të manipulojë me fakte siç paramendon”.

Për atë se a mund të pres Kosova votë finale nga ministrat e jashtëm të vende anëtare të KiE-së në mes të majit pa e proceduar tutje Asociacionin për rishikim kushtetues, Tromp e jep që “është e qartë” që Kosova “nuk ka zgjidhje tjetër”.

Kosova do të duhet të përmbush të gjitha kërkesat nga KiE nëse do të bëhet pjesë e kësaj organizate tejet të rëndësishme. Për mua s’ka dyshim që këtu s’kemi të bëjmë me diçka ‘a ta konsideroj, apo të mos e konsideroj’. Këto janë instruksione, obligime dhe pritje tepër të qarta; dhe Kosova duhet të bëjë ç’mos çka mund të bëjë”, na tha Nevenka Tromp.

Lajme të ngjashme