Dita D-efinuese për Abdixhikun: Het-triku i humbjeve e mbledh LDK-në në votëbesim të kryetarit
Het-triku i humbjeve zgjedhore, duke variuar mes 18, 13 dhe 16% në tri palë zgjedhje për Lumir Abdixhikun besohet të ketë përcaktuar përfundimisht cilësinë dhe potencialin e lidershipin e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Rezultatin e ke të dobët, nuk mundemi më me ty,” ishin fjalët të cilat Gazmend Muhaxheri–një nga mbrojtësit, tash kundërshtuesit–tha t’ia ketë thënë Abdixhikut qysh pas Kuvendit të 31 janarit.
Aty Abdixhiku kishte dalur me legjitimet mbijetues prej vetëm 54% mbështetje nga delegatët, duke pasqyruar mbështetjen e hollë–çdo i dyti kundër–ndaj tij për të drejtuar partinë më të vjetër në vend.
355 delegatë sot mblidhen në ora 18:00 për të hedhur në (zh)votim Abdixhikun, pas pesë vite e gjysmë kryetar i LDK-së.
Florian Dushi i LDK-së, një nga iniciatorët e nismës për shkarkim të Abdixhikut, mbrëmë në “Debat Plus” e dha për punë të kryer që Kuvendi zgjedhor i LDK-së i ka votat për të realizuar zhvotimin e Abdixhikut nga karriga e të parit të partisë.
Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, dhe një nga mbështetësit vokal–ndër edhe të vetmit që e ka bërë publikisht kohëve të fundit–tha të kundërtën, që besojnë në rikonfirmimin e Abdixhikut.
Florian Dushi i dha tri arsye kryesore që e kanë të bërë të paprapakthyeshme nismën për zhvotimin e Abdixhikut: Rezultatet e dobëta zgjedhore, veprimet jostatutare të kryetarit, dhe trajtimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe.
“Tri zgjedhjet e fundit kanë deklaruar se LDK-ja nuk po rritet dhe kanë filluar debatet, interpretimet rreth rezultatit të dobët të LDK-së”, ka thënë ai.
Ferati, përkundrazi, i qëndron asaj që Abdixhiku “ka ende çka të japë.”
“Mendoj që ende ka çka për t’i dhënë LDK-së dhe mendoj që është një prej kryetarëve që ka qenë jashtëzakonisht aktiv edhe një prej kryetarëve më punëtorë në kuptim të terrenit edhe të riorganizimit e të organizimit të LDK-së për krejt këto vite”, deklaroi ai.
Para pesë vite e gjysmë, Lumir Abdixhiku mori 191 vota nga 328 delegatë të pranishëm të Kuvendit të LDK-së për ta drejtuar partinë.
58% e organit më të lartë drejtues i besuan lidershipin e partisë pas humbjes zgjedhore të 14 shkurtit 2021.
Abdixhiku e mori partinë me krenari të zellshme, duke thënë se të vjetrit "nuk kanë të drejtë të flasin."
Pesë vite më vonë, pas tri palëve zgjedhjesh, konsiderohet t'i ketë shterruar mundësitë për ngritje elektorale.
Rezultatet e partisë kanë variuar mes 18%, 13% dhe 16% gjatë këtyre viteve.
Në janar të këtij viti, Kuvendi Zgjedhor i LDK-së e hodhi Abdixhikun në votëbesim.
Ai kaloi me legjitimitet mbijetues prej 54%, ndërsa 46% e partisë ishin kundër drejtimit të tij.
Shtatë muaj më vonë, e njëjta iniciativë është ngritur sërish kundër tij.
Të enjten, më 30 korrik, Abdixhiku vendoset përsëri në vagë brenda partisë.
151 nënshkrime u deponuan në Sekretariat të LDK-së për ta (zh)votuar Abdixhikun.
Kuvendi ka 355 delegatë dhe nevojiten 177 vota për shkarkimin e tij, nëse janë të pranishëm të gjithë.
Iniciatorët konsiderojnë se Abdixhiku e ka shpenzuar mundësinë e tij dhe "duhet me lëshu rrugë."
Gazmend Muhaxheri, në Pressing të T7, tregoi çfarë i pati thënë Abdixhikut pas Kuvendit të 31 janarit.
"Nuk mundemi më me ty, rezultatin e ke të keq," tha Muhaxheri se i pati thënë.
"I kam thënë në katër sy, duhet me shku kryetar, duhet me shku edhe unë me ty," shtoi ai.
"Edhe unë kam përgjegjësi që kam besu në ty... qytetarët nuk po të besojnë e duhet me lëshu rrugë," deklaroi Muhaxheri.
Muhaxheri, dikur mbështetës i madh i Abdixhikut, tani është një nga iniciatorët e shkarkimit të tij.
Ai rikujtoi se çdo i dyti delegat ishte kundër Abdixhikut për të qenë kryetar.
Gjithashtu theksoi se 40% e elektoratit të LDK-së nuk e votoi atë si deputet më 7 qershor.
Sipas Muhaxherit, partia duhet të hapë një proces të ri zgjedhor me garues të shumtë.
"Nëse ke ra në vendin e tretë duhesh me u përgatit me lëshu rrugë," deklaroi ai.
Edhe Avdullah Hoti ka kritikuar lidershipin aktual, duke thënë se partia nuk mund të pajtohet me humbjet.
"Nuk mund të ulim kokën dhe të ndihemi rehat me këto rezultate të dobëta," shkroi Hoti.
Sipas tij, një parti që nuk kërkon llogaridhënie pas humbjeve nuk i shërben interesit të vet politik.
Hoti argumentoi se iniciativa për Kuvend përputhet me mekanizmat demokratikë të brendshëm të partisë.
Ai tha se lidershipi aktual nuk ka respektuar standardin e vendosur nga Isa Mustafa më 2021.
Atëherë, Mustafa mori përgjegjësi pas humbjes dhe hapi rrugën për zgjedhjen e Abdixhikut.
Në të njëjtën linjë, Hykmete Bajrami tha se Kuvendi do të tregojë kënaqësinë e delegatëve me drejtimin e LDK-së.
Ajo theksoi se partia ka përfunduar e treta në tri zgjedhje parlamentare radhazi.
Bajrami shtoi se LDK nuk ka arritur fitore të rëndësishme as në nivel lokal.
"Nëse përgjigjja është 'jo', atëherë duhet të kemi guxim për ndryshim," shkroi ajo.
Sipas saj, rezultatet e dobëta të përsëritura nuk mund të shpjegohen vetëm me rrethana politike.
"Kur rezultatet mungojnë një herë, mund të flitet për rrethana," deklaroi Bajrami.
"Kur mungojnë vazhdimisht, përgjegjësia nuk mund t'u mvishet më rrethanave," shtoi ajo.