Kur doli e zhvleftësuan, tash e madhërojnë: Opinioni i GjND-së për pavarësinë e Kosovës dhe çka thoshte Vetëvendosja për të - NACIONALE

Kur doli e zhvleftësuan, tash e madhërojnë: Opinioni i GjND-së për pavarësinë e Kosovës dhe çka thoshte Vetëvendosja për të

2 orë më parë

nga Xhezair Dashi

Katër ditë pasi Kosova e kishte marrë verdiktin nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë se pavarësia e saj nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, siç e kishte sfiduar Serbia, partia Vetëvendosje do të nxirrte gazetën e saj javore.

Në ballinë ishte një artikull që do të jepte leximin e saj se çfarë, në fakt, kishte thënë GJND-ja.

Sipas Vetëvendosjes, qytetari i Kosovës nuk kishte arsye të gëzohej, sepse “fatkeqësisht, kjo gjë nuk është e vërtetë.”

Në atë shkrim, Vetëvendosja do të elaboronte se si përkthehej vendimi i GJND-së për pavarësinë e Kosovës dhe pse ai nuk ishte ashtu siç po e interpretonin “politikanët dhe analistët”.

Ndonëse Kosova tashmë kishte në dorë një dokument të institucionit më të lartë të drejtësisë ndërkombëtare, i cili së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përdorej si argument juridik për shtetet që hezitonin ta njihnin, Vetëvendosja hezitonte vetë ta njihte atë si konfirmim të plotë të pavarësisë.

Në atë kohë, Vetëvendosje shkruante:

“Opinioni i GJND-së mund të përmblidhet në tri pika kryesore: a) Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkel të drejtën ndërkombëtare. b) Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkel Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. c) Kjo pavarësi nuk e ka shkel Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë.”

"Sa i përket pikës së parë, pothuajse të gjithë analistët, politikanët e zyrtarët, e kanë interpretuar atë si bazë të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Do të ishte mirë të ishte kështu, por kjo gjë fatkeqësisht nuk është e vërtetë."

Më tej, Vetëvendosje kundërshtonte interpretimin se opinioni i Gjykatës ishte bazë e drejtpërdrejtë për ligjshmërinë e pavarësisë.

“Gjykata vetëm ka shpjeguar se nuk ka norma pozitive të së drejtës ndërkombëtare të cilat e sanksionojnë shpalljen e pavarësive apo ndalimin e tyre,” thuhej në analizë.

Sipas saj, konstatimi se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkel të drejtën ndërkombëtare” nuk nënkuptonte automatikisht se kjo shpallje ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më pas, qëndrimi zyrtar i udhëheqjes së Kosovës për këtë opinion paraqitet ndryshe.

Kryeministri Albin Kurti sot e ka cilësuar opinionin e GJND-së si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetit të Kosovës.

“Sot shënojmë përvjetorin e opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës – një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e shtetit tonë dhe një referencë e rëndësishme në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare,” shkroi Kurti.

Ai theksoi se vendimi i Gjykatës i dha fund një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë së Kosovës.

“Duke konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, GJND-ja i dha fund një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë dhe mëvetësisë sonë,” deklaroi Kurti.

Edhe presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, e përshkroi opinionin e 22 korrikut 2010 si një moment që forcoi pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Ajo tha se vendimi “konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.”

Lajme të ngjashme