Intervistë me Ardian Gjinin | Gjendja jashtëkushtetuese, konfrontimi dhe “çmontimi” i shtetit nga Kurti
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka dhënë vlerësime të rënda për krizën politike dhe institucionale në të cilën ndodhet Kosova.
Në një intervistë për Nacionalen, Gjini sheh se vendi ndodhet në situatë të paprecedentë, pas tejkalimit të afateve për konstituimin e Kuvendit.
“Fatkeqësisht Kosova është veç në krizë, edhe një herë. E përsëritur që nga shkurti 2025. Jemi në situatë që nuk kam mujt me imagjinu ndonjëherë.”
Gjini, ish-anëtar edbhe i Komisionit Kushtetues, kujtoi procesin e hartimit të Kushtetutës dhe mekanizmat që synonin parandalimin e bllokimit institucional nga pakicat.
Sipas tij, hartuesit nuk kishin parashikuar “kurrë” mundësinë që vetë shumica të shndërrohej në burim të bllokadës.
“Askush nuk ka mbërri as me mendu në atë kohë që duhet me vendos disa siguresa se çka edhe nëse shumica nuk don m’e e bë.”
Ai e cilësoi situatën si obstruksion ndaj shtetit dhe paralajmëroi se Kosova po përballet me problem të thellë të legjitimitetit institucional.
“E ne jemi qe 1 vjet e gjysmë e më shumë në situatë kur shumica i bën obstruksion shtetit, është e paprecedent, për keqardhje.”
Gjini kritikoi edhe dobësimin, sipas tij, të institucioneve të drejtësisë dhe mekanizmave të tjerë që duhet të funksionojnë si arbitër ndërmjet forcave politike.
“Ne kemi gjyqe, prokurori, gjykatë kushtetuese, të cilët duhet me qenë arbitri i kësaj beteje politike, e cila në demorkaci është permanente.”
Ai tha se disa institucione janë cenuar përmes ndryshimeve ligjore, rekrutimeve problematike dhe presionit të ushtruar përmes llogarive të rreme në rrjetet sociale.
Gjini ngriti akuza edhe ndaj zyrtarëve qeveritarë, duke pretenduar se ministra të betuar si deputetë vazhdojnë të qëndrojnë ilegalisht në detyrë.
“Secili ministër, që është në zyre, e që është betu si deputet, është ilegalisht aty.”
Përtej përgjegjësive politike, ai paralajmëroi se vazhdimi i krizës mund ta çojë Kosovën drejt një situate pa rrugëdalje kushtetuese.
“Ne sot jemi në territor që nuk kemi qenë kurrë më parë.”
Gjini tha se tejkalimi i afatit për konstituimin e Kuvendit e ka futur procesin politik në kundërshtim me rendin kushtetues.
“Afati për konstitum ka kalu, që do të thotë, çka do që jemi duke bë tash, është njëfarë forme kundër Aktgjykimit, kundërkushtetuese.”
Ai paralajmëroi veçanërisht për 5 tetorin, duke pretenduar se atëherë mund të krijohet boshllëk edhe në mekanizmin për dhënien e mandatit qeverisës.
“Me datën 5 tetor nuk ka më as kush me dhanë mandatin në Kosovë, as për krijim të qeverisë.”
Gjini përdori tone veçanërisht të ashpra duke akuzuar Kurtin për “çmontim” të shtetit.
“Jemi në sitautë ku një person është tu e çmontu shtetin e vet. Shtet për të cilin kemi bë mund me gjenerata.”
Ai tha se dëmtimi i rendit kushtetues prodhon edhe pasoja për imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Po ju them që mesazhi që po del prej Kosovës në botë, është që ‘shqiptarët s’dinë me bë shtet.’”
Duke folur për incidentin mes Time Kadrijajt dhe Albin Kurtit, Gjini mohoi se veprimi i deputetes kishte qenë i planifikuar.
“Ka qenë aksion vetanak i Time Kadrijajt. Ajo thjesht përfaqësoi pezm të shumëkujt të deputetëve.”
Ai kritikoi edhe paraqitjen e kryeministrit me flamurin shqiptar në foltoren e Kuvendit, duke e interpretuar atë si mesazh problematik ndërkombëtarisht.
“Nëse Kryeministri i Kosovës, ai që e lyp mandatin, del vetëm me flamur shqiptar në foltore të Kuvendit, mesazhi që e dërgon jashtë Kosovës është tepër i qartë: ‘Nuk po e du këtë shtet.’”
Për Gjinin, kriza aktuale tejkalon përplasjen ndërmjet partive dhe prek vetë funksionimin e shtetit.
“Shkatërrimi i rendit kushtetues mundet me shkaktu pasoja shumë më të rënda.”