Numrat e dhimbshëm të ikjes nga Kosova, Kurti u flet diasporës se si “po krijohen kushtet” për kthim - NACIONALE

Numrat e dhimbshëm të ikjes nga Kosova, Kurti u flet diasporës se si “po krijohen kushtet” për kthim

51 minuta më parë

nga Xhezair Dashi

Kosova vazhdon të tkurret me numra të dhimbshëm vit pas viti.

Aq shumë saqë, për kokë banori, tejkalon edhe vende që janë vatra lufteje.

Numrat zyrtarë të Bashkimit Evropian në “Eurostat” regjistrojnë largimin e madh të popullsisë së Kosovës drejt vendeve të unionit prej 27 shtetesh.

Që nga koha kur Qeveria e Vetëvendosjes drejton Kosovën, rreth 13% e popullsisë së vendit mund të llogaritet se kanë lëshuar Kosovën.

Bëhet fjalë për rreth 40 mijë persona mesatarisht në vit, përafërsisht sa një komunë e Istogut.

Ndërsa për pesë vite, për aq sa Eurostat-i disponon shifra, janë regjistruar rreth 210 mijë persona.

Kjo shifër është përafërsisht sa një Prishtinë e tërë.

Megjithë këto shifra të zymta dhe këtë trend shqetësues, Albin Kurti vazhdon të paraqesë një pamje tjetër.

Sipas tij, Kosova është në proces të krijimit të kushteve për kthimin e mërgatës.

Kështu u tha ai diasporës në një takim të mbajtur pardje në sheshin e Prishtinës.

“Po krijohen kushtet për kthim për shkak të sundimit të ligjit, për shkak të qeverisjes së mirë, për shkak të luftimit të korrupsionit, për shkak të investimeve në bujqësi e në ushtri.”

“Po krijohen kushtet që bashkëdhetarët me u kthy”, tha Kurti.

Ai shtoi se shumë familje kanë ende lidhje me Kosovën.

“E di që shumë prej juve e keni pasur familjen këtu, po një ose dy keni shkuar në perëndim.”

“Tash ndoshta atje jeni më shumë se këtu, por ka shumë familje që tash një ose dy po i kthejnë prej perëndimit në Kosovë.”

Sipas Kurtit, arsyeja e kthimit lidhet me pronat dhe mundësitë ekonomike.

“Këtu e kanë tokën, këtu e kanë shtëpinë, ndoshta e kanë blerë edhe një banesë tjetër dhe në këtë mënyrë kanë ku kthehen.”

Ai tha gjithashtu se qindra bashkatdhetarë mund të kyçen në institucionet publike dhe mijëra në sektorin privat.

“Besoni, përveç se në Kosovë me rritjen ekonomike 4% mesatarisht,” tha Kurti.

Përveç kësaj, ai u tha mërgimtarëve se Evropa nuk është më aq e sigurt pas agresionit rus në Ukrainë.

Ai tregoi rastin kur, sipas tij, një gjerman i kishte kërkuar strehë një shqiptari në rast të një sulmi rus.

Gjatë fushatës zgjedhore, bashkëpunëtorja e parë e Kurtit, Donika Gërvalla, shkonte edhe më tej.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në TëVë1, ajo thoshte se “në çdo udhëtim me aeroplan” takonte njerëz që ishin larguar dhe po ktheheshin.

“Jo gjithçka në Gjermani e Zvicër është e lehtë, siç u duket”, tha Gërvalla.

Ajo shtonte se “Gjermania është në krizë të rëndë ekonomike.”

Kurti, gjatë një tubimi elektoral në Podujevë, bënte gjithashtu një krahasim mes Kosovës dhe Gjermanisë.

“Kosova po lulëzon, e fatkeqësisht Gjermania është buzë recesionit.”

Sipas tij, “kanë me u kthy gjithnjë e më shumë bashkëatdhetarët tonë” dhe vendi duhet të përparojë.

Lajme të ngjashme