Edhe një i dyshuar, edhe një lokacion tjetër: Krejt çka ndodhi të dielën për varrezat masive të luftës së fundit
Hetimet për varrezat masive në komunën e Zubin Potokut po vazhdojnë me intensitet, ndërsa Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë arrestuar edhe një person të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile dhe kanë identifikuar një lokacion të ri ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.
Sipas komunikatës së përbashkët të institucioneve, i dyshuari me inicialet J.R. është arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale. Ai dyshohet për veprën penale "Krime lufte kundër popullsisë civile". Autoritetet kanë bërë të ditur se arrestimi është rezultat i hetimeve intensive që po zhvillohen në kuadër të rastit.
Paralelisht me arrestimet, Prokuroria Speciale ka njoftuar se gjatë veprimeve në terren është identifikuar edhe një lokacion i ri i dyshuar në fshatin Jabukë të Zubin Potokut, ku besohet se mund të ketë mbetje mortore. Për këtë lokacion do t'i kërkohet Gjykatës Themelore në Prishtinë leje për zhvarrim dhe kryerjen e ekzaminimeve forenzike, ndërsa pas autorizimit do të vazhdojnë veprimet hetimore në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente.
Këto zhvillime vijnë pas zbulimit të një varreze masive në Zubin Potok, ku autoritetet dyshojnë se mund të jenë varrosur 23 intelektualë shqiptarë nga Mitrovica, të zhdukur me forcë gjatë luftës në vitin 1999.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko. Ajo ka deklaruar se në Kosovë ende ekzistojnë shumë varreza masive të pazbuluara, të cilat, sipas saj, dëshmojnë për përmasat e krimeve të kryera gjatë luftës.
Në një intervistë për "Info Magazine" në Klan Kosova, Biserko tha se çdo zbulim i një varreze të re rikthen në vëmendje përgjegjësinë e Serbisë, duke theksuar se shteti serb nuk është përballur plotësisht me të kaluarën. Ajo shtoi se, megjithëse Tribunali i Hagës dënoi drejtues ushtarakë dhe politikë serbë për krimet në Kosovë, gjykata për krime lufte në Serbi nuk vazhdoi ndjekjen penale ndaj personave të tjerë të përfshirë në këto krime, duke e cilësuar këtë si një dështim të drejtësisë.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë theksuar se hetimet do të vazhdojnë dhe se opinioni publik do të njoftohet për çdo zhvillim të ri lidhur me rastin.