Prokuroria Speciale në aksion: Arrestohet edhe një i dyshuar për krime lufte në rastin e varrezës masive në Zubin Potok
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë njoftuar për arrestimin e edhe një personi të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, në kuadër të hetimeve që lidhen me rastin e varrezës masive të zbuluar në Zubin Potok.
Sipas komunikatës së përbashkët, i dyshuari me inicialet J.R. është arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale "Krime lufte kundër popullsisë civile".
Autoritetet bëjnë të ditur se arrestimi është rezultat i një pune intensive hetimore të zhvilluar nga hetuesit policorë dhe Prokuroria Speciale, në kuadër të përkushtimit institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.
Ky është arrestimi i radhës që lidhet me këtë rast, pas ndalimit të personave të tjerë në ditët e fundit. Hetimet po zhvillohen paralelisht me procesin e ekshumimeve në lokacionin në Zubin Potok, ku autoritetet kanë gjetur mbetje mortore që dyshohet se mund t'u përkasin 23 intelektualëve shqiptarë të Mitrovicës, të zhdukur me forcë gjatë luftës në vitin 1999.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë theksuar se do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe se opinioni publik do të njoftohet me kohë për zhvillimet e mëtejshme të rastit.