Plaga e ekonomisë së Kosovës, deficiti tregtar: Qeveria mburret me “rritje të eksporteve për 16%”
Rritja e eksporteve, sipas Qeverisë së Kosovës, është tregues i suksesit ekonomik.
Të dhënat zyrtare dhe raportet e institucioneve ndërkombëtare, në anën tjetër, tregojnë se gjendja është larg nga të qënit shpresëdhënëse.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë për Ekonomia Online, pranoi edhe vetë se hendeku tregtar mbetet i thellë.
“Po, deficiti tregtar është në vlerat deri në 6 miliardë në bazë vjetore,” deklaroi ajo, duke shtuar se “eksportet janë rritur me 16 për qind” krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ajo thotë se qeveria po investon në grante për prodhuesit, parqe industriale dhe ndryshime ligjore që do t'u japin përparësi prodhuesve vendorë në prokurimin publik.
“Është afërsisht 1 miliard vlera e prokurimit publik... imagjinoni sikur të paktën 50 apo 70 për qind e kësaj vlere të shkojë në kontraktim të produkteve vendore,” tha ministrja.
Statistikat, si vendoret ashtu edhe të huajat, tregojnë se ritmi i importeve vazhdon të jetë mbidominues në ekonominë e vendit.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 eksportet arritën në 521.2 milionë euro, ndërsa importet në 3.614 miliardë euro.
Kjo u përkthye në deficit tregtar prej 3.093 miliardë eurosh.
Eksportet u rritën me 19.2 për qind krahasuar me një vit më parë, por importet u rritën me 7.8 për qind.
Në terma absolutë, siç raportoi së fundi gazetari i Nacionales, Flakon Demaku, importet u shtuan me 261.2 milionë euro, më shumë se trefishi i rritjes prej 83.9 milionë eurosh të eksporteve.
“Për çdo euro mallra të eksportuara, Kosova importoi 6.93 euro mallra.”
Edhe pse mbulueshmëria e importeve nga eksportet u përmirësua nga 13 në 14.4 për qind, niveli mbetet ndër më të ulëtit në rajon.
Nga shkurti deri në qershor, deficiti tregtar u zgjerua çdo muaj krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Vetëm gjatë qershorit, eksportet arritën 102 milionë euro, ndërsa importet 680.3 milionë euro, duke krijuar deficit mujor prej 578.3 milionë eurosh.
Raporti Vjetor 2025 i Bankës Qendrore të Kosovës arrin në të njëjtin përfundim.
Sipas BQK-së, ekonomia u rrit me 3.6 për qind, por “eksportet neto kontribuuan negativisht në rritjen ekonomike me minus 3.1 pikë përqindje”.
Institucioni thekson se deficiti tregtar i mallrave u thellua me 12.5 për qind, duke arritur në 6.1 miliardë euro.
Eksportet e mallrave ranë lehtë në 942.1 milionë euro, ndërsa importet u rritën në 7 miliardë euro.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar paraqet tablo të ngjashme.
Në raportin e publikuar më 1 prill 2026, FMN vlerëson se “aktiviteti ekonomik është moderuar, ndërsa presionet e inflacionit janë intensifikuar”.
Institucioni lidh ngadalësimin ekonomik me “eksporte më të dobëta neto dhe kërkesë private më të butë”, ndërsa paralajmëron se deficiti i jashtëm pritet të thellohet edhe gjatë vitit 2026.
FMN rekomandon gjithashtu kufizimin e shpenzimeve aktuale dhe orientimin drejt investimeve publike me ndikim zhvillimor.
Ndërkohë, ministrja pretedon se sektori i shërbimeve mbetet pika më e fortë e ekonomisë.
“Një komponentë që jep shpresë është ajo e sektorit të shërbimeve. Aty kemi bilanc pozitiv tregtar,” deklaroi ajo, duke veçuar industrinë e teknologjisë së informacionit.
Megjithatë, raportet ndërkombëtare dhe statistikat vendore flasin për problem strukturor.
Rritja e eksporteve është e përnjëmendtë, por pesha shumë më e madhe e importeve vazhdon ta zgjerojë hendekun tregtar.