Niset peticion për kriminalizimin e përdorimit të buxhetit të shtetit në kohëra zgjedhjesh për “blerje votash”
“Zgjedhje të lira, por jo të ndershme.”
Kjo është një nga kryefjalët përshkruese për mbi një vit e gjysmë në Kosovës kur pushteti i ditës e në detyrë, me buxhet e resurse shtetërore në dorë, garon në zgjedhje duke i vendosur edhe në disavantazh të madh rivalët politikë.
Me shpërndarjen e qindra miliona eurove gjatë periudhave zgjedhore, Qeveria në detyrë ka ndarë ndihma të njëhershme, disa herë, nga 100 euro, për kategori të ndryshme.
Pranues të këtyre njëqindësheve kanë qenë studentët, pensionistët, lehonat dhe punëtorët e sektorit publik, përfshirë edhe pagesën e rrogsë së 13-të për ta.
Kjo është bërë edhe pjesë e mënyrës së operimit elektoral të Vetëvendosjes që përkthehet në zgjerim e mirëmbajtje të mbështetjes zgjedhore.
Opozita dhe vëzhgues të politikës këtë praktikë e kanë definuar si “blerje votash”.
Një nga rastet më të përfolura ndodhi vetëm pak javë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Studentët morën njoftime në telefonët e tyre se kishin pranuar një SMS nga Zyra e Kryeministrit.
Mesazhi, i nënshkruar nga Kryeministri Albin Kurti, i njoftonte se kishin përfituar nga një pagesë prej 100 eurosh.
Ky ishte përmbajtja e SMS-it: “...ju jeni kualifikuar si përfitues i shtesës së njëhershme prej 100 EUR... I juaji, Albin Kurti...”

Tashmë kjo praktikë synohet të ndalohet përmes ndryshimeve ligjore.
Shoqëria civile po kërkon kriminalizimin e përdorimit të parasë publike në periudha zgjedhore për përfitim elektoral.
Qëllimi është që fondet e shtetit dhe të taksapaguesve të mos mund të përdoren si instrument për përfitim politik.
Instituti Kosovar për Drejtësi ka nisur një peticion për mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve.
Nisma synon t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës me kërkesën për ndryshimin e Kodit Penal.
Nëse miratohet, përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral do të sanksionohej si vepër penale.
Naim Jakaj nga IKD deklaroi se iniciativa synon të kufizojë mundësinë që pushteti të ndajë para në varësi të afërsisë së zgjedhjeve.
“Qytetarët e Kosovës meritojnë politika sociale. Meritojnë mbështetje nga shteti. Meritojnë shtesa fëmijët. Meritojnë pensione dinjitoze pensionistët. Meritojnë mbështetje për lehonat. Meritojnë mbështetje punëtorët.”
“Por këto politika duhet të ndërtohen mbi ligj. Duhet të jenë të qëndrueshme. Duhet të jenë të parashikueshme. Jo të varen nga afërsia e zgjedhjeve.”
“Në dy palët e fundit të zgjedhjeve kemi parë vendime për ndarjen e mjeteve publike vetëm pak ditë para votimit,” tha ai.
Sipas Jakajt, veprime të tilla ngrenë dyshime serioze nëse buxheti i shtetit po përdoret për politika sociale apo për përfitim elektoral.
“Demokracia nuk duhet të lërë hapësirë për dyshime të tilla. Paraja publike është e qytetarëve. Ajo duhet të përdoret për interes publik. Jo për interesa partiake apo elektorale.”
“Pikërisht për këtë arsye propozojmë që përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral të sanksionohet si vepër penale,” tha Jakaj.
Edhe Demokracia në Veprim kishte ngritur shqetësime të ngjashme para zgjedhjeve.
DnV vlerësonte se vendimi i Qeverisë në detyrë për pagesa të njëhershme ndaj kategorive të ndryshme të qytetarëve përbënte shkelje ligjore dhe keqpërdorim të resurseve publike.
Sipas organizatës, ndarja e këtyre mjeteve krijonte avantazh të padrejtë për partinë në pushtet dhe binte ndesh me legjislacionin zgjedhor.
DnV theksonte se ligji ndalon përdorimin e burimeve publike për ndikim elektoral.
Organizata nënvizonte gjithashtu se Kuvendi nuk kishte miratuar ndryshimet buxhetore për atë pako financiare.
Po ashtu, Ligji për Qeverinë kufizon vendimmarrjen e një qeverie në detyrë për çështje me implikime financiare.