Maliqi për kushtëzimin e Francës: Ndërlidhja e sistemit ETIAS me vendimin për viza s'ka logjikë
Politologu Agon Maliqi ka folur në lidhje me sistemin ETIAS, të cilin po raportohet se Franca e ka paraqitur si kushtëzim të ri për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Maliqi përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se ky sistem pritet të hyjë në funksion në nëntor të vitit 2023 për të gjitha vendet që kanë liberalizim.
Ai ka theksuar se ndërlidhja e këtij sistemi me vendimin për vizat nuk ka logjikë, dhe duket si vendim i lidhur me dialogun i cili mund të ndryshohet në takimin e radhës.
“Ndërlidhja e këtij sistemi me vendimin për vizat nuk ka kurrëfarë logjike, por njësoj si vitet e mëparshme duket vendim kryekëput politik i lidhur me dialogun, i cili mundet me u ndryshu në takimin e radhës. Vendim thellësisht i padrejtë, por i paralajmëruar gjithsesi për shkak të peshës që po ia japin dialogut në kontekstin e luftës në Ukrainë”, ka thënë ai.
Tutje, ai paralajmëroi se njëjtë, Kosova nuk do të mbështetet as për anëtarsësim në Këshillin e Evropës.
Postimi i plotë i Maliqit në Facebook:
Ky sistemi ETIAS pritet të vihet në funksion në nëntor 2023 dhe do të vlejë për të gjitha vendet që kanë liberalizim - kur udhëton në BE duhesh thjesht me u regjistru online e me informu se po vjen. Ndërlidhja e këtij sistemi me vendimin për vizat nuk ka kurrëfarë logjike, por njësoj si vitet e mëparshme duket vendim kryekëput politik i lidhur me dialogun, i cili mundet me u ndryshu në takimin e radhës. Vendim thellësisht i padrejtë, por i paralajmëruar gjithsesi për shkak të peshës që po ia japin dialogut në kontekstin e luftës në Ukrainë. Serbisë para disa ditësh ia ndalën importin e naftës ruse (humbje vjetore rreth 600 milionë) dhe ia nisën procesin në parlament evropian për suspendimin e mundshëm të negociatave. Neve na kanë kapë qitu në këtë pikë nevralgjike sepse s’po kanë për çka tjetër me na kapë, dhe sepse këtu në këtë pikë elementare e kemi nguju veten qysh prej demarkacionit dhe taksës 100%. Njëjtë nuk do të na mbështesin as për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
