Gërvalla për punën e Grupit të Vizave: Nuk pati kundërshtime e kontestime për liberalizimin e vizave
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka bërë një reagim lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, që u diskutua sot në Grupin Punues për Viza të Këshillit të BE-së.
Gërvalla në një shkrim në Facebook, tha siç njoftoi Presidenca çeke, takimi ishte përkrahës dhe pozitiv.
“Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt”, tha ajo derisa paralajmëroi se diskutimet vazhdojnë.
Në fund, kryediplomatja tha se Gërvalla e përshëndet vendosjen në agjendë të vizave në Këshill, për herë të parë në këtë formë.
“Siç e kemi thënë edhe më parë, sot nuk ishte dita e vendimit. Sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili kohë të gjatë ka vendnumëruar, por që tani është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes së tij, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës prej kohësh”, tha ajo.
Postimi i plotë:
Sot në Bruksel, procesi i liberalizimit të vizave shënoi një hap shumë të rëndësishëm përpara. Diskutimi i mbajtur në Grupin Punues për Viza të Këshillit të BE-së, siç njoftoi edhe Presidenca çeke, ishte shumë pozitiv dhe përkrahës. Para vendeve anëtare, Komisioni konfirmoi edhe një herë se Kosova i ka plotësuar dhe vazhdon t'i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe rekomandimi pozitiv që Komisioni ka bërë qysh në vitin 2018 mbetet i vlefshëm.
Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt.
Ne e mirëpresim vendosjen e çështjes së vizave në agjendë të Këshillit, për herë të parë në këtë formë. Po ashtu falënderojmë Kryesuesen e rradhës të Këshillit, Republikën e Çekisë, për angazhimin që procesi të ecë përpara sa më parë. i jemi falendërues vendeve anëtare që shprehin përkrahje për procesin që do duhej përmbyllur me heqjen e barrikadave të izolimit për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Siç e kemi thënë edhe më parë, sot nuk ishte dita e vendimit. Sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili kohë të gjatë ka vendnumëruar, por që tani është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes së tij, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës prej kohësh.
