“Mësimi duhet të fillojë”, deputetë e përfaqësues të VV-së me fushatë thirrjeje për nisje të vitit të ri shkollor - NACIONALE

“Mësimi duhet të fillojë”, deputetë e përfaqësues të VV-së me fushatë thirrjeje për nisje të vitit të ri shkollor

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se përkundër pakos ndihmëse të publikuar dje nga Qeveria e Kosovës, sindikata që ai drejton nuk do të tërhiqet nga greva.

Shkak sipas tij është fakti se kërkesat nuk janë përmbushur plotësisht.

Veç kësaj, ai ka mohuar zërat se mësimi do të mbahet në komunat që udhëhiqen nga kryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne i kemi bërë të ditura kërkesat tona. 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të pagave. 50 eurot e ofruara nga qeveria konsiderojmë se nuk i mbulon kërkesat tona. Ne e përgëzojmë qeverinë për pakon e miratuar por kjo nuk i plotëson kërkesat tona. Ligji i pagave po vonohet ndërsa ju po e shihni se çmimet po rriten çdo ditë”, ka thënë Jasharaj për Klan Kosovën gjatë së dielës.

“Mësimi duhet të fillojë”

Ky është “hashtagu”. Kështu titullohet fushata që ka filluar të shpërndahet në rrjetet sociale nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e qeveritarët poashtu.

E para reagoi ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kjo e fundit duke shfrytëzuar rrjetin social “Facebook” ftoi mësimdhënësit që t’u kthehen bankave shkollore.

“Të mbash fëmijët jashtë bankave të shkollës dhe jashtë objekteve shkollore, jo vetëm se është e padrejtë, por është e kundërta e vetë misionit të mësimdhënëses/it”, ka thënë ndër të tjerash Kusari.

Një tjetër deputet që bëri thirrje për punëtorët e personelit arsimor ishte Agon Batusha.

Batusha tha se secili meriton respekt për kontributin në arsim, por nga nesër duhet t’u kthehen normalitetit, pasi kanë punë për të bërë.

“Me gjithë respektin për kontributin e secilit e secilës në arsim, nga nesër është e duhur t’i kthehemi normalitetit.Kemi punë për të bërë së bashku, por nuk do duhet t’i sakrifikojmë gjeneratat e reja.Ligji i Punës dhe mbi gjitha ai i arsimit parauniversitar janë të qartë për këto raste. Fëmijët që vijnë në objektin e shkollës nuk do duhet të kthene prapa, e aq më pak që dera e shkollës të jetë e mbyllur për ta”, shkroi ai.

Kolegia e Batushës, Arijeta Fejza tha se humbjet që janë regjistruar si shkak i pandemisë vazhdojnë të mbesin të dukshme, si në aspektin e boshllëkut të mësimnxënues, ashtu edhe në atë socio-psikologjik.

“Ne jemi të përkushtuar, siç është parë tashmë, që mësimdhënësit të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë dhe të bëhen vazhdimisht pjesë e skemave që ndihmojnë me inflacionin. Përveç kësaj për herë të parë kemi ndarë buxhetin për mësimdhënësit që vuajnë nga sëmundje kronike, kemi punësuar 100 asistentë dhe kemi buxhetuar edhe 300 të tjerë, që përveç për nxënësin janë ndihmë e madhe edhe për mësimdhënësin.Dhe kjo është vetëm një listë e ngushtë sepse ne jemi të përkushtuar për shkollën, për mësimin, për mësimnxënien e për dijen”, tha tutje ajo.

Reagime pati edhe nga radhët e asamblistëve.

Kuvendari prishtinas, Ermal Osmani ka thënë se mësimdhënësit po e degradojnë veten për 50 euro.

Në fund ai bëri thirrje edhe për prindërit që nesër t’i dërgojnë fëmijët në shkollë.

“Nesër fillon mësimi. Nuk ka arsye, është e pandershme. Për 50 euro po e degradoni vetën, institucionin arsimor dhe shtetin. Nga unë do ta humbni respektin. Nuk ndalohet mësimi i fëmijëve për qef të opozitës. Pagat do të rriten. Çka dreqi po doni?! Kjo punë nuk është hajgare.Prindër, nesër duhet ti dërgojmë fëmijët në shkollë”, përfundoi Osmani.

Kujtojmë se sot me 5 shtator bëhen 12 ditë prej kur e gjithë BSPK-ja është në grevë, me ç’rast kërkojnë plotësimin e kërkesave, respektivisht nga 100 euro deri në miratimin e ligjit për paga.

Duhet përmendur gjithashtu se me këto greva janë krijuar dy tabore, pro dhe kundër.

Çdo lëvizje e sindikalistëve, nga eksponentë të pushtetit po shihet si lëvizje e ndikuar nga opozitarët, kurse nga ana tjetër, opozitarët kanë vërshuar kritika ndaj kryeministrit, duke thënë se përkundër gjendjes në arsim, dialogu me sindikatat nuk duhet të mungojë.

/Nacionale/

Lajme të ngjashme