Festa e Pavarësisë së ShBA-së: Prattipati përmend mundësinë e bashkëpunimit në energji, Haxhiu asnjë fjalë për gazin
Liderët institucionalë dhe politikë të Kosovës mbrëmë kanë marrë pjesë në festen e SHBA-së për 250 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, e cila është organizuar nga ambasada amerikanë në Prishtinë. Në këtë ceremoni nga një fjalë rasti e kanë mbajtur e ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA-së, Anu Prattipati, dhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Derisa diplomatja amerikane e ka përmendur investimet në energji si mundësi bashkëpunimi në mes të dy vendeve, Haxhiu nuk e ka thënë asnjë fjalë në lidhje me projektin e gazit amerikan, i cili po refuzohet nga Qeveria e Kosovës.
Në një fjalim me rastin e 250-vjetorit të shtetësisë amerikane, e ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA-së, Anu Prattipati, ka vlerësuar se thellimi i integrimit të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar po hap mundësi bashkëpunimi "të pakufishme", veçanërisht në mbrojtje, tregti e energji.
Sipas saj, investitorët amerikanë nuk kërkojnë thjesht treg shitjeje, por partnerë afatgjatë.
Kosova, ka thënë ajo, mund t'i ofrojë njëkohësisht të tria këto, ngase një vend i qëndrueshëm nuk i shërben vetëm vetvetes, por edhe stabilitetit më të gjerë evropian.
“Teksa Kosova vazhdon të zhvillohet dhe të thellojë integrimin e saj në komunitetin ndërkombëtar, mundësitë për bashkëpunim, veçmas në mbrojtje, tregti, investime ekonomike dhe energji, janë të pakufishme. Bizneset amerikane po kërkojnë partnerë të besueshëm, fuqi punëtore dhe tregje konkurruese. Kosova ka mundësi që të jetë të tri këto gjëra”, ka deklaruar Prattipati.
Në anën tjetër, Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, nuk e ka përmendur fare çështjen e projektit të gazit.
Në adresimin e saj, ajo ka folur rolin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në promovimin e demokracisë dhe lirisë.
Haxhiu ka thënë se përvjetori i pavarësisë amerikane nuk është vetëm një datë për t’u shënuar, por një rikthim te parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar shteti amerikan.
“Sonte, ne festojmë 250 vjet të Pavarësisë së Amerikës. Një numër i tillë lehtësisht mund të shndërrohet vetëm në një ceremoni. Por në rastin e Amerikës, ai na kthen te një revolucion që nisi me një pyetje shumë konkrete politike: Kush ka të drejtë të qeverisë dhe nga buron kjo e drejtë?”, ka deklaruar Haxhiu, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për boten.
“Përgjigjja e dhënë në vitin 1776 ishte radikale për kohën e saj dhe mbetet sfiduese edhe sot. Pushteti nuk qëndron mbi popullin; ai e merr legjitimitetin nga populli dhe duhet të kufizohet nga ligji, përfaqësimi dhe barazia qytetare. Sot, këto fjalë u përkasin shumë përpjekjeve demokratike, por ato hynë në historinë moderne përmes një revolucioni që sfidoi një perandori”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera, në fjalimin e saj, Haxhiu ka rikujtuar edhe lidhjet historike të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara.
“Shqiptarët e kuptuan herët se parimet amerikane kishin rëndësinë më të madhe atëherë kur e ardhmja e një kombi vendosej pa praninë e popullit të tij në tryezën e vendimmarrjes. Në Konferencën e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, pavarësia e Shqipërisë u vu përballë vendimeve të të tjerëve. Presidenti Ëilson i dha çështjes shqiptare forcë politike kur tha, thjesht dhe vendosmërisht: ‘Shqipëria duhet të jetë e pavarur’”, ka vlerësuar ajo.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Gjithashtu pjesë e kësaj feste ishin edhe zyrtarë të shumtë të partive parlamentare dhe jo parlamentare.