Çka premtonte Kurti për AKP-në dhe si erdhi në krye motra e Milot Kelmendit, pjesë e grupit të WhatsApp-it me Nagip Krasniqin - NACIONALE

Çka premtonte Kurti për AKP-në dhe si erdhi në krye motra e Milot Kelmendit, pjesë e grupit të WhatsApp-it me Nagip Krasniqin

1 orë më parë

nga NACIONALE

Në maj të vitit 2021, vetëm disa ditë pas ardhjes në pushtet, kryeministri Albin Kurti paralajmëronte shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Sipas tij, hapi i parë drejt mbylljes së AKP-së duhej të ishte shkarkimi i bordit. Kurti e akuzonte atë për përfitime të mëdha nga pagat dhe proceset e privatizimit.

Pesë vjet më vonë, zotimi i Kurtit nuk është realizuar. AKP-ja vazhdon të funksionojë, ndërsa proceset e shitjes së pronave nuk janë ndërprerë.

Madje, në krye të kësaj agjencie tashmë është një përfaqësuese e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në korrik të vitit 2026, Nora Kelmendi, anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e VV-së, rezultoi kandidatja më e poentuar në konkursin për drejtoreshë ekzekutive të AKP-së.

Vetëm disa ditë pasi Kelmendi mori drejtimin e agjencisë, AKP-ja publikoi një komunikatë për media, përmes së cilës njoftoi një valë të re të shitjeve. Në shitje u ofruan 258 prona në të gjithë territorin e Kosovës.

Kështu, pavarësisht fjalimit të bujshëm të Kurtit në vitin 2021 dhe premtimit për shuarjen e AKP-së, procesi i privatizimit vazhdoi edhe gjatë qeverisjes së tij.

Nora Kelmendi është motra e Milot Kelmendit, i cili nga tetori i vitit 2021 shërben si këshilltar për energji në Ministrinë e Ekonomisë. Ai kishte kontribuuar edhe në hartimin e Strategjisë së Kosovës për Energji.

Emri i Milot Kelmendit ishte shfaqur edhe në materialet e publikuara gjatë hetimeve që përfunduan me ngritjen e aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, lidhur me dyshimet për keqpërdorime në tenderë.

Mesazhet e publikuara tregonin se Krasniqi ishte pjesë e një grupi në WhatsApp, në të cilin ndodheshin edhe Albin Kurti, Dejona Mihali, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe Milot Kelmendi.

Në një nga komunikimet, Kurti kërkonte informacione për një kryeinxhinier të Termocentralit “Kosova A”. Në mesin e personave që i përgjigjeshin ishte edhe Milot Kelmendi, i cili deklaronte se nuk e njihte kryeinxhinierin në fjalë.

Në cilësinë e këshilltarit të ministres Rizvanolli, Kelmendi kishte pasur komunikim edhe me Nagip Krasniqin. Ai kishte marrë pjesë, së bashku me Krasniqin, në një takim ndërmjet KEK-ut dhe kompanisë energjetike ESM të Maqedonisë së Veriut.

Pesë vjet pas zotimit për shuarjen e AKP-së, agjencia jo vetëm që vazhdon të funksionojë, por drejtohet nga një përfaqësuese e Vetëvendosjes, familjarisht e lidhur me një këshilltar të Ministrisë së Ekonomisë që shfaqej në komunikimet e publikuara nga rasti i Nagip Krasniqit.

Lajme të ngjashme