Protesta e PDK-së dhe Aleancës para Qeverisë: Bllokada e institucioneve po dëmton edhe komunat - NACIONALE

Protesta e PDK-së dhe Aleancës para Qeverisë: Bllokada e institucioneve po dëmton edhe komunat

1 orë më parë

nga NACIONALE

Deputetë të PDK-së dhe përfaqësues të Aleancës kanë vazhduar edhe sot protestën e tyre para Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit të institucioneve.

Zyrtarët e këtyre partive kanë bërë me dije se bllokada institucionale, e cila po shkaktohet nga partia në pushtet po e dëmton Kosovën dhe komunat.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka bërë me dije se ngërçi politik po i dëmton edhe qytetarët dhe komunat e Kosovës.

“Aktgjykim të Gjykatës Supreme thuhet qartë. Kryeministër dhe deputet nuk mund të jesh. Duhet të zgjedhësh. Deputet dhe ministër nuk mund të jesh. Duhet të zgjedhësh. Prandaj i bëj ftesë deputetit Albin Kurti, gjegjësisht vandalit politik. Që t’i ndalë këto vandalizma. Të kthehet në parlament, nëse i ka 61 vota ta zgjedhë qeverinë, për t’ia votuar kryetarin dhe nënkryetarin e kuvendit do t’ia votojmë ne, ja bëjmë votat edhe ne edhe aleanca, dhe të fillon së funksionuari ky shtet”, ka thënë ai, duke i bërë thirrje Kurtit për reflektim.

“Përndryshe në këto kushte, në këto rrethana, në këto momente, kur Kosova pret. Kur Kosova pret ata të cilët e kanë krijuar këtë realitet. Kur e kanë shpallur pavarësinë e këtij vendi. Kur e kanë bërë këtë vend shumë të rëndësishëm për të gjithë ne. Ai krijon kriza. Sepse duke krijuar kriza, ai menaxhon situata për të keqet e vendit. Prandaj i bëj ftesë le të kthehet në kuvend. Sepse mund të bëhet vonë për këtë vend dhe për të gjithë të cilët janë pengesë për ecjen përpara të këtij vendi”, është shprehur ai.

Kryetari i degës së Aleancës në Ferizaj, Alberton Sahiti, i cili ka marrë pjesë sot në protestë, ka bërë me dije se komunat po përballen me probleme të mëdha,

Sipas tij, kjo po ndodh për shkak të mungesës së përkrahjes nga niveli qendror.

“Ju e dini të gjithë se me çfarë probleme, me cilat sfida po përballen sot komunat e Kosovës, e sidomos komuna e Ferizajt që mendoj që është njëra prej komunave që është prekur më së shumti nga mosprojektet dhe mosrealizimet dhe mosfunksionimit të mirëfilltë të kësaj, apo mos përkrahja e kësaj qeverie. Kurrë më shumë se sot nuk i bëjmë thirrje këtij personi, këtij individi, që të thërrasë seancat, të mos bllokojë vetëm institucionet qeverisëse mirëpo të mos bllokojë edhe komunat. Jemi në një prag, jo të mirë, jemi në një gjendje të jashtëzakonshme edhe komunat edhe komplet Kosova nuk mendoj që ne i kemi borxh gjithë atyre njerëzve që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë vend, për këto institucione”, ka thënë Sahiti.

Para mediave sot ka folur edhe shefi i Grupit të asamblistëve të PDK-së në Ferizaj, Arian Imeri.

Ai ka thënë se protesta është edhe në emër të përfaqësuesve komunalë dhe pjesëtarëve të ekzekutivit lokal nga regjioni i Ferizajt.

“Jam këtu para Qeverisë së Republikës së Kosovës që të shpreh në shenjë proteste për mos konstituimin e institucioneve dhe mos funksionalizimin e tyre. Këtë qëndrim e shpreh edhe në emër të anëtarëve të kuvendeve komunale dhe pjesëtarëve nga ekzekutivi i komunave që vijnë nga regjioni i Ferizajt. Mos konstituimi i institucioneve qendrore nuk është një krizë politike e radhës në Prishtinë, po është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj çdo komune, ndaj çdo familje dhe ndaj çdo lagje në komunat nga vijmë”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për tejkalim të ngërçit politik.

“Prandaj kjo do të kërkojmë që të bëhet një zgjidhje sa më shpejt sa i përket formimit të institucioneve. Njëherit shkruar një pasiguri juridike sa i përket komunikimit në mes të institucioneve qendrore dhe institucioneve lokale, prandaj kërkojmë nga, edhe nga organet e drejtësisë që sa më shpejt ta sqarojnë këtë situatë. Raportet në mes të institucioneve komunale dhe institucioneve qendrore kërkojnë institucione funksionale, kërkojnë vendimmarrje të ligjshme me idenë që vendimet, proceset të cilat fillojnë tani mos të kontestohen nesër, sepse pasojat pastaj juridike, financiare po i bartin qytetarët tanë”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme