Rrahman Jasharaj: Prej grevës veç vdekja dhe varri më ndalojnë - NACIONALE

Rrahman Jasharaj: Prej grevës veç vdekja dhe varri më ndalojnë

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Prej grevës veç vdekja dhe varri më ndalojnë!” – u shpreh sot kryesindikalisti Rrahman Jasharaj që duket me të drejtë i pezmatuar me sulmet e vazhdueshme qeveritare në drejtim të tij dhe punëtorëve të sektorit të arsimit. Çka tha në konferencën e sotme dhe pse duhet t’i lexojmë mirë ato që i tha?

Jasharaj ishte përsëri në ballë të konferencës së jashtëzakonshme që e thirrën sindikalistët, përkrah Atdhe Hykollit (kryetar i BSPK-së).

Kryetari i SBAShK-ut përsëriti paralajmërimin e tij se “nëse Qeveria nuk reflektonte ndaj kërkesave të grevistëve, 1 shtatori do t’i gjente nxënësit në shtëpi,” duke treguar se nuk ishte zmbrapsur nga kërcënimet e pushtetit me ndalje të pagave.

"Kërkesat e grevistëve janë legjitime dhe në rrugë të Zotit. Grevat do të zgjasin sa të thonë ata. Greva do të duket edhe më e fuqishme më 1 shtator, së bashku me kolegët në çerdhe, në arsim, që janë në punë, por nuk kryejnë asnjë detyrë dhe nëse vazhdohet kështu, 1 shtatori do t’i zë nxënësit në shtëpi,” – u shpreh z. Jasharaj.

Kryesindikalisti i punëtorëve të arsimit kritikoi Qeverinë edhe për mungesë të dhembshurisë për mësimdhënësit por as për nxënësit që do të humbnin orë mësimi.

"Po të donte Qeveria të shprehte dhembjen, po ta kishte dhimbjen se nxënësit do të humbin orë, në vend të kërcënimeve, Kurti e Murati do të uleshin me përfaqësues të sindikatave. Do të insistojmë që të përgatitet lënda dhe adresa tanimë dihet, do të drejtohet ndaj ministrit Murati, që publikisht në vend që të jetë zë i Qeverisë për ulje të tensioneve, ai kërcënon. Qëllimi i tij ka qenë ta kërcënojë dikë dhe ta ngulfas zërin,”

Më tej, Jasharaj paralajmëroi edhe me padi ministrin Murati pas deklarimeve të këtij të fundit se sindikata që drejton kishte mbledhur 3 milionë euro nga anëtarësia në pesë vitet e fundit dhe mund t’i paguante grevistët për orët në të cilat grevojnë.

“Hekurani me qëllim nuk e ka lexu as ligjin sindikal. Statuti na obligon dhe të gjithë punëtorët e arsimit e dinë se 40 për qind i kthehen shkollave, 10 për qind mësimdhënësve, edhe mediet e dinë që ne i kemi dërguar në deti, ne bëjmë trajnime etj. Këtë buxhet nuk e kemi për të shpërndarë rroga sepse s’kemi takat.” – u shpreh kryesindikalisti më tej.

Qeveria e Kosovës është kritikuar vazhdimisht për shpërfilljen e dialogut social me punëtorët e vendit, gjendja e të cilëve është varfëruar ndjeshëm pas rritjes enorme të inflacionit gjatë këtij viti por edhe viteve të kaluar si pasojë e karantinave për të ndaluar përhapjen e pandemisë.

Jasharaj në fund ka folur edhe për projektligjin për Paga për të cilin tha se asnjë nga sindikalistët nuk e ka parë dhe nuk është ftuar për diskutime për punimin në atë projekligj.

“Asnjë nga udhëheqësit sindikal versionin që po reklamojnë nuk e kanë parë. Sindikatat nuk kanë marrë pjesë fare në punimin e këtij ligji. Ishte një përpjeke për të ndikuar të njerëzit të krijojnë mëdyshje. Ligj abstrakt por edhe procedurat duhen edhe 14 muaj që të mirtohet. Askush nuk e din sa është koficienti.”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme