150 milionë eurot e Qeverisë s’e ndalin grevën, pakoja e Kurtit kritikohet nga opozita e ekspertët
Përkundër pakos 150 milionëshe të Qeverisë Kurti, sindikalistët kanë paralajmëruar vazhdimin e grevës, duke mos e pranuar ofertën e ekzekutivit. Ndërsa, njohësit e ekonomisë vlerësojnë se një pako e tillë nuk e lufton inflacionin, që në korrik shënoi 14,2%, gjersa opozita thekson se Kurti po synon të blejë paqen sociale.
Nga kjo pako, në vlerë prej 150 milionë euro, punëtorët e sektorit publik do të ndihmohen me nga 50 euro, për çdo muaj të këtij viti fiskal, pensionistët, studentët, punëtorët e ndërmarrjeve publike me 100 euro.
Siç shkroi dje Nacionale, nëpërmjet projektligjit për punë publike, Qeveria synon të kompensojë inflacionin në çmimet e materialit ndërtimor.

Pako që nuk zgjidh problemin
Profesori i Ekonomisë, Muhamet Sadiku thotë se kjo pako, është përpjekje e qeverisë të bëjë diçka në lidhje me inflacionin.
Por e njëjta nuk ndikon asgjë në ekonomi.
“Kjo është një përpjekje e Qeverisë së Kosovës për t’u përballur me inflacionin. Kjo përpjekje mund të konsiderohet si infuzion i disa nga kategorive që janë tejet të rrezikuara. Si pako është pozitive veç që ka me u dhanë për një kohë më të gjatë kjo shumë e paraparë, për sektorin publik. Por, kjo shumë është e pamjaftueshme për të ndikuar ndonjë gjë në inflacion”, tha Sadiku për gazetën.

Ai shton se Qeveria duhet të hartojë një plan afatgjatë, duke shtuar se pakoja aktuale nuk zbut krizën ekonomike.
“Shumë pak ringjallje ka me u pa me këto pare, një ndihmë e tillë nuk është zgjidhje për krizën në Kosovë. Kosovës i duhet një plan më afatgjatë, i cili e zbut krizën ekonomike, e cila i ka kaplu shumicën e familjeve”, tha ai.
Sektori privat i cili nuk është përfshirë në këto shtesa, përveç në subvencionimin prej 50% të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat për 3 muajt e parë, është lajm i keq sipas profesorit të Ekonomisë.
“Pa sektorin privat as ekonomi të mirëfilltë në vend s’ka, lajm i keq që të njëjtit nuk janë përfshirë në këtë pako”, tha ai.
SBAShK: Greva vazhdon
Pas këtij vendimi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, thotë se do të vazhdojnë grevën, sepse kjo pako nuk ka lidhje me ta.
Sipas Ymer Ymerit nga SBAShK-u, kërkesat e tyre nuk janë shqyrtuar nga qeveria.
“Vazhdohet me grevë, deri të plotësohen kërkesat tona. Kjo pako e qeverisë e cila u bë publike të shtunën, s’ka të bëjë me kërkesën tonë. Na e çmojmë këtë pako, mirë që janë nda”, tha Ymeri për gazetën Nacionale.

Ai thotë se ende nuk kanë marrë ftesë nga Kurti për takim. Por në rast se do të ndodhë një gjë e tillë SBAShK-u janë të gatshëm edhe në 12 ose 1 të natës t’i shkojnë në takim.
“S’kemi pas ftesë, por nëse kemi në 12,1 të natës shkojmë”, shtoi ai.
Opozita
Edhe partitë opozitare kanë pasur shumë kritika ndaj pakos së prezantuar nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministrit Kurti.
Nga Lidhja Demokratike e Partia Demokratike e Kosovës, vlerësuan se pako e re financiare nuk zgjidh problemet e qytetarëve të shkaktuara nga kriza e inflacionit të lartë më të cilin po përballet vendi, por ka qellim blerjen e paqes sociale.
“Ndarja e 50 eurove dhe 100 eurove për kategori të caktuar shoqërore nuk i tejkalon problemet e qytetarëve që po iu rëndohet jeta me greva, me reduktime të energjisë elektrike dhe me rritje të çmimeve të të gjitha produkteve. Qeveria duhet të procedojë sa më shpejtë Ligjin e Pagave në Parlament, të nisë dialogun social me sindikatat për të zbutur sadopak situatën e rënduar ekonomike”, deklaroi Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së.

Ndërsa, ish-ministri i Ekonomisë, Blerand Stavileci, nga radhët e PDK-së, në një përgjigje për gazetën Nacionale tha se Kurti me pakon e re financiare po tenton të blejë paqen sociale.
“Duke mos ditur ta krijojë edhe një politikë të vetme zhvillimore, ka gjetur një rrugë të plogësht dhe të pamjaftueshme që ta blejë paqen sociale dhe elektorale me nga 50 e 100 euro, me të cilat as minimalisht nuk mbulohen vështirësitë dhe rëndimet financiare që sot i ka secila familje, secili punëtor dhe secila firmë e vendit tone”, tha ai.


