Kurti i dobët në medie ndërkombëtare: Katër intervistat që e skuqën nga sikleti - NACIONALE

Kurti i dobët në medie ndërkombëtare: Katër intervistat që e skuqën nga sikleti

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Pas ardhjes në pushtet, kryeministri i Kosovës ka vendosur që të shpërfill mediat kosovare duke dhënë intervista kryesisht për media ndërkombëtare. Por, jo të gjitha intervistat kanë shkuar ashtu siç mund të ketë shpresuar. Më poshtë keni katër prej tyre, bërë bashkë me të fundit, ku Kurti vihet në siklet.

Agresioni rus në Ukrainë duket se vetëm sa ia rriti Kurtit idenë se tashmë ishte në rolin e një lojtari të rëndësishëm ndërkombëtar. Ai ishte kryeministër i një vendi, që gjithnjë sipas tij, mund të ishte viktimë e tendencës së Rusisë për ta zgjeruar konfliktin.

Por, jo të gjithë gazetarët që e intervistuan pranuan t’ia njihnin këtë rol. Disa prej tyre i bënë pyetje për çështjet e brendshme të Kosovës, mes tyre edhe për... Facebook-un e policëve të Kosovës, intimidimin e gazetarëve, fjalorin e tij etj.

I. Intervista në Deutsche Welle

Intervista përballë gazetarit të famshëm Tim Sebastian, e publikuar në tetor 2022, ishte ndoshta më e sikletshmja deri më tash.

Kurti ishte bërë gati t’i përsëriste fjalët e tij të zakonshme, që edhe ne i kemi mësuar përmendsh, dhe duket se nuk priste që të ndërhyhej.

“Ju i keni përmendur mediet më herët. Një tjetër problem është peizazhi medial në Kosovë. Nuk keni censurë shtetërore, por intimidimet dhe ngacmimet e gazetarëve janë shumë të përhapura. Çka po bëni që t’i dilni kundër kësaj?” – e pyeti z. Sebastian kryeministrin e Kosovës në mënyrë krejt të papritur.

Kurti nuk kishte pasur një përgjigje koncize. Më pas, gazetari Sebastian i kishte përmendur rastet e denoncimit të rasteve nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ku ishin intimiduar apo sulmuar gazetarët. AGK-ja e kishte denoncuar, mes të tjerësh, edhe shefin e stafit të tij, Luan Dalipin, dhe këshilltarin e tij, Hysamedin Ferajn.

Sebastian do të bënte edhe të tjera ndërhyrje ndaj Kurtit, duke e pyetur mes tjerash edhe nëse i kishte rënë pishman për gazin lotsjellës, nëse e shihte fjalorin e tij si të papërgjegjshëm dhe për strategjinë e tij në dialog.

Kjo intervistë nuk ishte shpërndarë fare nga kryeministri Kurti në llogarinë e tij në Facebook si rëndom apo në Twitter.

II. Intervista në Der Spiegel

Intervista e dhënë për Der Spiegel është dhënë gjatë muajit dhjetor 2022, derisa tensionet në veri ishin të larta për shkak të barrikadave serbe.

Nga kjo intervistë po nxjerrim vetëm pyetjen për “pozat” e anëtarëve të njësisë speciale në veri të vendit.

Pse forcat speciale po pozojnë me armët e tyre në rrjetet sociale, dhe nganjëherë me simbolet e UÇK-së?” – ishte pyetja e Der Spiegel. E çka tha Kurti? Thjesht dhe vetëm “Unë nuk i përcjell këto...”

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje më 21 dhjetor 2022 – tetëmbëdhjetë ditë më parë - në lidhje me këto pretendime, por deri tash nuk ka marrë asnjë përgjigje.

III. Intervista në FAZ

Intervista në Frankfurter Allgemeine Zeitung ishte ndoshta më e përfolura për shkak të një pjese të hequr në të. Gazetari Michael Martens që e kishte realizuar intervistën, derisa po e paralajmëronte tregoi se Kurti i kishte thënë efektivisht ishte nënshkruar marrëveshja për targat sepse... ambasadori amerikan dinte më shumë.

Kurti ishte ftuar për një takim urgjent në Bruksel meqë po skadonte afati për fazën e qortimeve për serbët me targa ilegale. Po niste faza e gjobave që mund ta tensiononte situatën. Ai kishte refuzuar propozimin e parë, dhe Borrell e kishte qortuar rëndë Kosovën. Poooor, dy ditë më vonë ai do të pranonte të njëjtin propozim që e kishte refuzuar fillimisht.

Faza e gjobave nuk kishte nisur asnjëherë gjatë atyre dy ditëve. Ambasadori amerikan Jeff Hovenier kishte kërkuar shtyrje... dhe kjo ishte pranuar sepse, siç thoshte Kurti, ai kishte ditur më shumë për situatën e sigurisë në veri.

Kjo pjesë e intervistës, edhe pse më kryesorja, ishte hequr krejtësisht në mënyrë të çuditshme. Dhe se u hoq, u pranua nga vet gazetari Michael Martens pavarësisht që do të vlerësonte se ajo deklaratë e kishte befasuar edhe atë.

IV. Intervista me Al Jazeera

Në intervistën e fundit, Kurti foli për shumë gjëra. Por ajo që duket e çuditshme ka të bëjë me grupet famëkeqe “Wagner” dhe “Ujqërit e Natës”. Kurti u vu në siklet prej gazetarit që i kërkoi fakte për këtë pretendim të tij.

“Wagneri dhe Ujqërit e Natës nuk janë diçka që na befason neve,” – tha Kurti fillimisht.

“Ndonjë detaj për praninë e saktë të grupit Wagner?” – pyeti gazetari.

“Ata janë në Serbi, sepse (atje) është baza humanitare ruse në Nishë,” – u përgjigj Kurti, derisa gazetari ia precizoi pyetjen.

“Në Kosovë?” – kundërpyeti gazetari.

Kurti nuk dha ndonjë informatë e madje la të nënkuptohej se Kosova nuk kontrollon kufijtë e saj, duke thënë se e kishte të vështirë ta dinte se ku ishin bërë disa nga filmimet e grupit “Wagner” që ai kishte parë.

“Ata erdhën në kufijtë e Kosovës. Dhe është për ne e vështirë ta dimë se ku janë bërë disa nga fotot, sepse ata janë nëpër fshatra. Prandaj, është e vështirë ta dimë se ku janë filmuar këto grupe të armatosura.”- u shpreh kryeministri.

Nëse Kurti po arrin atë që po kërkon përmes intervistave për medie ndërkombëtare nuk dihet. Por, ajo që dihet është se shpërfillja ndaj mediave vendore prej anës së tij po vazhdon.

Lajme të ngjashme