“Ambasadori dinte më shumë për veriun”: A e pranoi Kurti se e gënjeu popullin? - NACIONALE

“Ambasadori dinte më shumë për veriun”: A e pranoi Kurti se e gënjeu popullin?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dalëngadalë ka nisur të thotë të vërtetën mbi atë që ndodhi prej 20 marsit e deri më 23 mars. Por, kjo e vërtetë e tij është në kundërthënie të plotë me fjalët e tij të përsëritura shumë herë prej 21 marsit.

Sot zyrtarët policorë të Kosovës do të ishin duke shpërndarë gjoba prej 150 eurove për qytetarët serbë me targa ilegale. Të paktën, nëse s’do të ndodhte asgjë në Bruksel më 23 mars.

Por, sot jo që nuk ka gjoba por nuk ka as qortime si më herët për shkak të marrëveshjes së asaj mbrëmjeje që thelbësisht është e njëjta me atë të datës 21 mars që ishte refuzuar prej tij. Ky refuzim kishte nxitur reagim të ashpër nga BE-ja, me Borrellin që e qortoi ashpër Kosovën, por edhe nga ShBA-të.

Megjithatë, marrëveshja e 23 nëntorit u interpretua si më e ndryshme nga Kurti dhe vartësit e tij.

Plani franko-gjerman

Kryeministri i Kosovës e refuzoi marrëveshjen për targa të hënën e 21 nëntorit për shkak se “Josep Borrell kishte hequr dorë nga normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe nga plani franko-gjerman”.

Sado e çuditshme të dukej që kryediplomati i BE-së të refuzonte një plan të përkrahur nga dy shtetet më të forta të BE-së, aktivistët, deputetët e ministrat e tij nisën menjëherë sulmet e ashpra ndaj Borrellit. Nuk pati ndonjë pikëpyetje as në lidhje me mënyrën se si po mbështetej nga Kurti një propozim që s’i jepte Kosovës as njohjen nga Serbia (njohja në qendër?) dhe s’e hiqte Asociacionin.

Kurti u shpreh se “nuk ishte kryeministër i targave” derisa e denonconte edhe vetë Borrellin për rolin e tij në dialog. Duhet kujtuar se takimi i 21 nëntorit ishte thirrur nga kryediplomati evropian për shkak të nisjes që priste të ndodhte të fazës së gjobitjes, e e cila pritej të rriste tensionet.

Ambasadori

Kurti megjithatë duket se ka ndryshuar qëndrim, dhe e ka përgënjeshtruar veten duke e pranuar se ka lëshuar pe për çështjen.

Në paralajmërimin e intervistës me Kurtin që e bëri gazetari Michael Martens, ai tregon se Kurti i ka thënë që e kishte bërë kompromisin për targa “pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë që situata në veri të Kosovës “mund të përkeqësohej rëndë dhe pakthyeshëm”.

“Ambasadori amerikan “kishte më shumë informacione se unë” mbi situatën në veri, më tha Kurti, duke përmendur “shqetësimet e sigurisë” por pa hyrë në detaje të mëtejme.” – shtoi z. Martens në një postim në Twitter.

Reagimet

Muhamet Hamiti nga LDK-ja shprehu një shqetësim mjaft serioz pas kësaj deklarate: paaftësia e kryeministrit të Kosovës që t’i kuptojë mesazhet tona dhe të aleatëve tanë me kohë.

Analisti Ilir Mirena ishte paksa më i ashpër e më cinik në deklarata.

“Në fakt, Kurti moti është në terr, prej Rambujesë (Rambouillet) e këndej. Fatkeqësisht, terri i tij ishte si epidemi. I pat përfshi nja 51 për qind të qytetarëve të Kosovës...” - u shpreh ai.

Deklarata e Kurtit dhënë për gazetarin Martens është kritikuar edhe nga ekspertët vendorë të sigurisë.

Por, deri tash nuk ka ndonjë fjalë nga ana e simpatizantëve të partisë në pushtet.

Në anën tjetër, sulmet ndaj shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell nga ana e Vetëvendosjes janë shuar. Madje, ministri i Kurtit Hajrulla Çeku përmendi me mburrje edhe “duartrokitjen e ngrohtë” që i kishte bërë Borrell një fjalimi të djeshëm të Kurtit në Madrid.

Duhet të kujtojmë se për arritjen e marrëveshjes, autoritetet kosovare fillimisht kishin shtyrë fazën e gjobitjes prej datës 21 për në datën 22 nëntor. E më pas, e kishin shtyrë sërish për tetë orë në datën 22. Për ta shtyrë për herë të tretë për 48 orë, deri më datën 24, çka do të lejonte kohë që marrëveshja të arrihej në mbrëmjen e 23 nëntorit.

Përgjatë gjithë kësaj kohe, Kurti asnjëherë nuk e ka pranuar se ka gënjyer në lidhje me deklaratat e tij për përfaqësuesin Borrell, deklarata që ishin përgënjeshtruar nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme