Për të qeshur, a për të qarë? Si ra Albin Kurti në fjalët e Avdullah Hotit? - NACIONALE

Për të qeshur, a për të qarë? Si ra Albin Kurti në fjalët e Avdullah Hotit?

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Mbrëmë u arrit një marrëveshje në Bruksel për targat, por ku flitej edhe për propozimin franko-gjerman. Në fakt, mos-përfshirja e propozimit franko-gjerman ishte arsyeja pse ishte refuzuar propozimi i BE-së më 21 nëntor. Por, si ishte parashikuar kjo nga Avdullah Hoti?

“Fatkeqësisht, dialogu për njohje reciproke degradoi në dialog për tabela të veturave, sado e rëndësishme që është kjo çështje.” – kishte thënë Avdullah Hoti më 25 prill. Pra, gati shtatë muaj më herët.

“Nuk mund të shkojë kryeministri në Bruksel me prioritet targat.” – tha ndërkohë kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme, më 23 nëntor.

Por, Kurti kishte shkuar në Bruksel me prioritet targat. Në fakt, targat ilegale kishin qenë kryetemë e Brukselit për katërmbëdhjetë muaj – nga shtatori i vitit 2021.

Nga 21 shtatori i 2021-s e deri në prill 2022, ishte negociuar për arritjen e një marrëveshjeje për targat ndërkohë prej muajit qershor Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për ndalimin e të gjitha targave ilegale.

Ai e kishte interpretuar një çështje të tillë si çështje sovraniteti e dinjiteti.

Shtyrjet

Vendimi për targat ishte marrë në qershor, dy muaj pas dështimit të arritjes së marrëveshjes. Por, prej atëherë, Kurti ka shtyrë e rishtyrë vendimin, herë me vendime publike e herë tinëzisht e në mënyrë të heshtur. Kurti e konsideronte si shumë të rëndësishme çështjen e targave, pavarësisht asaj se çka do të deklaronte më pas.

Më 1 shtator, ai kishte marrë vendim për shtyrjen më të madhe për 61 ditë, deri më 31 tetor, përkundër që kërkesa amerikane kishte qenë të shtyhej për plot 10 muaj.

“Targat e lëshuara nga Serbia... janë trashëgimi e regjimit të Millosheviqit...”kishte thënë kryeministri Kurti.

Para ardhjes së datës 31 tetor, presioni ndërkombëtar ishte rritur për shkak të frikës së madhe nga eskalimi i tensioneve në veri të Kosovës.

Veçanërisht e ashpër kishte qenë ShBA-ja që kishte shprehur “zhgënjim e shqetësim”.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës i ka refuzuar kërkesat për ta bërë (shtyrjen e afatit) nga partnerët e saj ndërkombëtarë.” – kishte thënë Departamenti amerikan i Shtetit.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian me anë të Josep Borrelit kishte rënduar Kosovën më 21 nëntor.

Albin Kurti do të merrte vendim që të shkallëzonte vendimin, duke e nisur fillimisht me qortime. Por, ardhja e fazës së gjobitjes më 21 nëntor e bëri narrativën qeveritare edhe më të çrregullt.

Policia e Kosovës – pa dyshim pa fajin e saj – do ta shtynte njëanshëm vendimin për 22 nëntor. Më pas, do të shtyhej vendimi edhe prej 22 nëntorit për tetë orë (nga 00:00 në 08:00) dhe në fund nga 22 nëntori, ora 08:00 për katëdhjetë e tetë orë më 24 nëntor, ora 08:00.

Kur e kuptoi Kurti?

Rreth dy javë më parë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti duket se do të kuptonte gabimin e tij me targat ilegale.

Në një konferencë për medie, ai do të denonconte Republikën e Serbisë për tensionet në veri të vendit, duke u shprehur se “ajo po e maskonte refuzimin e planit franko-gjerman” përmes tyre.

“Unë e thashë shumë qartë se qëllimi i Beogradit nuk është për të mos e pranuar planin. Por, për ta maskuar refuzimin e planit. Ata e kanë refuzuar planin. Por, duan ta maskojnë refuzimin. Ata po i bëjnë këto drama për këtë çështje."kishte thënë kryeministri më 7 nëntor.

Kurti gjatë ditës së djeshme dhe asaj të pardjeshme ka denoncuar në mënyrë konspirative rolin e kryediplomatit Borrell pikërisht për heqjen dorë nga plani franko-gjerman. Bashkimi Evropian ka mohuar se Borrell siç pretendonte Kurti, kishte hequr dorë nga ky plan.

“Çdo pretendim se BE-ja po heq dorë nga propozimi i saj për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili mbështetet nga Gjermania, Franca dhe SHBA, është i pavërtetë.” - ishte shprehur për Nacionalen Peter Stano.

Duhet thënë se edhe analistë dhe politikanë tjerë të opozitës po ashtu kishin denoncuar Kurtin gjatë këtyre muajve për mbifokusimin në çështjen e targave ilegale.

Lajme të ngjashme