Kurti ankohet se nuk u ftua në dialog me Vuçiqin as në shtator e as në tetor, denoncon Borrellin - NACIONALE

Kurti ankohet se nuk u ftua në dialog me Vuçiqin as në shtator e as në tetor, denoncon Borrellin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur përsëri problemin kryesor të dështimit të bisedimeve në Bruksel sipas këndvështrimit të tij. Ai u ankua se nuk ishte ftuar as në shtator e as në tetor nga Brukseli për ta takuar Vuçiqin nga kryediplomati evropian duke nënkuptuar se ky i fundit nuk donte ta çonte përpara planin franko-gjerman.

Dikush mund ta quajë ironi të fatit që kryeministri Kurti nga një refuzues i dialogut të ankohet se nuk po ftohet më shpesh në dialog. Por, pikërisht kjo ndodhi sot në konferencën e tij për media pas mbledhjes së 109 të Qeverisë së Kosovës.

Ai shpjegoi më në qartësi problemin themelor që si duket kishte ndikuar në dështimin e dialogut më 21 nëntor, që nxiti edhe një reagim të ashpër nga ana e kryediplomatit evropian Josep Borrell.

Kryeministri tregoi edhe një bashkëbisedim me kryediplomatin Borrell, duke e denoncuar atë që quan “heqje dorë nga plani franko-gjerman”.

“Nuk mund të shkojë kryeministri në Bruksel me prioritet targat. Ata hoqën dorë nga propozimi i Bashkimit Evropian. Kur unë i thashë Borrellit në Paris se (ky është) propozim frankogjerman... ai tha nuk është propozim franko-gjerman por propozim i Bashkimit Evropian. I thashë në rregull z. Borrell, tash e tutje do ta quajmë propozim të Bashkimit Evropian. Si bëhet tash që Bashkimi Evropian thotë, po merremi vesh veç për targat?” – u shpreh kryeministri i Kosovës.

Dhe, në këtë pikë kryeministri nis e ankohet që nuk kishte pasur diskutime më intenzive për planin në fjalë, duke nxitur edhe nënkuptime të caktuara.

“Tash ndodhemi ku ndodhemi sepse, pika e parë e kornizës së marrëveshjes praktikisht u braktis bashkë me propozimin (franko-gjerman)... A e mbani në mend se në gusht jemi marrë vesh për takime të rregullta mujore (me Vuçiqin). Kam pritur në shtator s’më kanë ftuar, kam pritur në tetor s’më kanë ftuar... Nëse Parisi Berlini e Brukseli me mbështetjen e Washingtonit sjellin një propozim, dhe dy muaj të mos ketë takim...” – tha Albin Kurti.

Lajme të ngjashme