Ulët, shumë ulët: Shtyrja e heshtur bizare e gjobitjes njëditëshe për targa ilegale tregon qysh i sheh Qeveria Kurti qytetarët - NACIONALE

Ulët, shumë ulët: Shtyrja e heshtur bizare e gjobitjes njëditëshe për targa ilegale tregon qysh i sheh Qeveria Kurti qytetarët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në këto çaste në Bruksel po zhvillohen bisedimet mes Kosovës, BE-së, Serbisë e ndoshta edhe mes tjetërkujt në Bruksel. Ka mungesë transparence, gjithëprani konfidencialiteti dhe terr informativ. E po në terr, u shty faza e gjobitjes për serbët me targa ilegale. Qysh ndodhi ky veprim?

Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, kur e gjithë Kosova po priste po numëronte orët ankthshëm për nisjen e fazës së gjobitjes me 150 euro për serbët me targa ilegale, Policia e Kosovës do të dilte me një komunikatë.

Ishte ora 16:08, saktësisht. Kryeministri Kurti ishte nisur për në Bruksel, me një fluturim ku do të udhëtonte me klasë ekonomike.

Komunikata e Policisë do të mbante një emër aq të mërzitshëm, ndoshta duke shpresuar që të mos lexohej nga kurrkush: “Policia e Kosovës vazhdon angazhimet e saj në zbatim të ligjit dhe të rendit kushtetues!”

Pas dy paragrafesh, ose pas 126 fjalësh, Policia do të fliste edhe për nisjen e fazës së gjobitjes. Pra, fjalia problematike që efektivisht shtynte nisjen e fazës së gjobave ishte vënë diku mes rreshtash që të mos shihej. Dhe ishte shkruar me gabime.

“Sipas vendimit deri më datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) nëntor... do të fillojë zbatimi drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi.” – shkruante Policia e Kosovës.

Për ata që kontestojnë se vendimi është shtyrë arbitrarisht nga Policia, i keni më poshtë edhe provat që e tregojnë një gjë të tillë.

Policia kapet pas semantikës

Policia e Kosovës duket se për ta ndërruar efektivisht vendimin qeveritar është shërbyer për semantikën e vendimit të mëhershëm.

Në vendimin e publikuar nga Kurti, thuhej se vendimi i qortimit do të ndodhte prej datës 1 nëntor e deri më 21 nëntor. Pra, jo edhe më 21 nëntor. E prej 21 nëntor sipas vetë Policisë së Kosovës do të niste faza e gjobitjeve.

Por, Policia nuk është se shquhet për përdorim të mirë të gjuhës shqipe, e si duket as për përdorim të makinës kërkimore.

Në një komunikatë të datës 31 tetor 2022, vetë Policia e Kosovës do të lëshonte një deklaratë ku në mënyrë eksplicite do të tregonte se kur do të niste gjobitja.

“...nga data njëzet e një (21) nëntor deri më datë njëzet një (21) janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi.” – thoshte Policia e Kosovës në faqen e saj në Facebook.

Pse ndodhi kjo?

Nuk do mend që shtyrja e nisjes së gjobitjes në mënyrën e heshtur bizare është bërë për t’i krijuar hapësirës takimit Kurti-Vuçiq-Borrell që po mbahet në këto momente.

Nuk dihet nëse do të ketë ose jo marrëveshje, por mënyra se si ka ndodhur shtyrja është poshtëruese për qytetarët e Kosovës, për të cilët duket se Qeveria ka konsideratë tepër të ulët.

Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme deri tash nuk kanë kthyer përgjigje për Nacionalen në lidhje me shtyrjen bizare të nisjes së gjobitjes, ndërkohë as nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim publik.

Aktualisht, dihet se data kur pritet të nis gjobitja e serbëve me targa ilegale është nesër, dhe tashmë jemi në orët e fundit.

Analisti Parim Olluri e interpretoi këtë shtyrje si “kujdes të Qeverisë Kurti për disponimin e Vuçiqit”.

Imer Mushkolaj ishte edhe më brutal me fjalët e tij: “Sen s'është për marakli të dialogut shtyrja për një ditë e afatit për veturat me targa ilegale. Pas të hanes, vjen e martja,”

E Valon Syla, i tha këto fjalë duke mos kuptuar ndoshta atë që kishte ndodhur: “Çka boni bre Qeveria Kurti? E shtyjti për një ditë, për me shty apet, a? Ani, ani.”

Qeveria Kurti është kritikuar vazhdimisht për mungesën e transparencës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe duket se kjo shtyrje e heshtur bizare e ilustron edhe një herë këtë mungesë transparence.

Lajme të ngjashme