PDK-ja dhe Aleanca vazhdojnë protestën para Qeverisë: Deputeti Kurti është uzurpator, nuk do të ndalemi - NACIONALE

PDK-ja dhe Aleanca vazhdojnë protestën para Qeverisë: Deputeti Kurti është uzurpator, nuk do të ndalemi

59 minuta më parë

nga NACIONALE

PDK-ja dhe Aleanca kanë vazhduar aksionin para Qeverisë.

Grupi Parlamentar i PDK-së dhe ai i Aleancës, së bashku me asamblistë, drejtorë dhe aktivistë nga Komuna e Prishtinës, kanë vazhduar edhe sot qëndrimin te hyrja e Kryeministrisë.

Deputetët e këtyre dy partive i kanë bërë thirrje sërish liderit të VV-së, Albin Kurti, që të heqë dorë nga uzurpimi i Qeverisë dhe t’i kthehet rendit kushtetues.

Ata kanë bërë me dije se vetëm në këtë mënyrë i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, përsëriti dy thirrje për deputetin Kurti:

“Jemi përsëri këtu për t’ia kujtuar dy gjëra deputetit Kurti: E para, në këtë ndërtesë, ti dhe ministrat e tu jeni uzurpatorë. E dyta, kthejuni rendit kushtetues – ejani dhe konstituojeni Kuvendin. Ne nuk do të ndalemi. Këtu. Në Kuvend.Por për një gjë të jeni të sigurt: Kosova do të fitojë. Qytetarët do të fitojnë”, ka thënë Deliu - Kodra.

Thirrje të njëjtë i ka drejtuar Kurtit edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri.

Ai e ka akuzuar Kurtin se po pengon konstituimin e Kuvendit dhe po cenon mandatin e deputetëve të zgjedhur nga qytetarët.

“Porosia është shumë e thjeshtë që shkelësi recidivist i Kushtetutës vazhdon të struket në zyrën e vet. Ai 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës ua ka marrë mandatin që ja ka dhënë populli. Ai një njeri i vetëm nuk lejon që të ushtrojmë detyrën tonë si të zgjedhur të popullit, të votuar nga sovrani në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai e ka bllokuar konstituimin e Kosovës me të vetmin qëllim me e gjet diku një derë në mënyrë që edhe pozicionin e presidentit me e kap për partinë e vet dhe me e kthy logjikën e partisë që e udhëheq parti shtet. Mandati është i yni, i deputetëve që na ka dhënë populli. Këtë mandat nuk guxon as Albin Kurti as askush tjetër na e merr dhe veprimet që po e pengojnë moskonstituimin e Kuvendit”, ka thënë Tahiri.

Mediave sot iu është drejtuar edhe asamblistja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fjolla Vukshinaj-Reçic.

Ajo ka vlerësuar se mosfunksionimi i Kuvendit nuk është vetëm çështje e debatit politik.

Sipas saj, kjo bllokadë po i prek drejtpërdrejt qytetarët, komunat dhe projektet zhvillimore.

“Bllokimi i Kuvendit të Kosovës nuk është një debat abstrakt politik. Nuk është vetëm një derë e mbyllur në këtë ndërtesë. Pas çdo dite që Kuvendi mbahet i bllokuar, është një qytetar që pret, një familje që ka një hall, një komunë që ka një projekt dhe një nevojë që mbetet pa zë”, ka thënë ajo.

Asamblistja e Prishtinës përmendi disa shembuj të qytetarëve nga komuna të ndryshme, nga ndërmarrësit dhe fermerët, deri te studentët, punëtorët, pensionistët dhe familjet që presin shërbime më të mira nga shteti.

“Këto janë pasojat reale të institucioneve të bllokuara. Sepse një Kuvend që nuk funksionon nuk mund t’i trajtojë siç duhet nevojat e qytetarëve, nuk mund të zhvillojë debatin për politikat dhe buxhetet që u duhen komunave dhe nuk mund t’i mbajë institucionet përgjegjëse”, është shprehur ajo.

Lajme të ngjashme