Kurti adreson përplasjet me Borrellin, ngre pretendime të çuditshme për atë që ndodhi në Bruksel
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish mbi përplasjet e tij me Bashkimin Evropian në mbledhjen e sotme të kabinetit të tij qeveritar duke nënkuptuar mes tjerash se Josep Borrell i kishte kryer shërbim Serbisë duke hequr nga tavolina Planin Franko-Gjerman. Çka tha tjetër kryeministri?
Kryeministri i Kosovës u shfaq sërish kritik e i ashpër ndaj kryediplomatit evropian, Josep Borrell.
“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, e ndryshoi premisën e negocimit. Në kundërshtim me parimin e propozuar nga ai, foli vetëm për masat e targave. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja për Propozimin Franko-Gjerman u zhduk nga tavolina, duke iu përshtatur qëllimit të Serbisë që kishte ardhur në Bruksel jo për propozim por për targa,” – u shpreh z. Kurti.
Pra, sipas tij, BE-ja kishte hequr dorë nga plani i BE-së – sado kontradiktore të tingëllojë kjo.
“Ndërkaq autorët e propozimit e braktisën propozimn e tyre andaj edhe takimi përfundoi. Unë isha i fundit që e lëshova ndërtesën e BE-së.”
Bashkimi Evropian dje përmes një përgjigje për redaksinë e gazetës Nacionale ka përgënjeshtruar këto pretendime të kryeministrit Kurti duke i quajtur “të pavërteta”.
Sipas tij, në tavolinën e negociatave ishin plot tetë opsione por asnjë prej të cilave nuk i pranoi Serbia. Në anën tjetër, Josep Borrell, kishte thënë krejt tjetërçka në Bruksel. Shefi i diplomacisë evropiane kishte thënë se BE-ja kishte bërë një propozim të cilin “e kishte pranuar Vuçiqi, por e kishte refuzuar Kurti!”
Çka po ndodh?
Është një përplasje e ashpër dhe si asnjëherë tjetër mes Bashkimit Evropian dhe një kryeministri të Kosovës.
Ai u shpreh i ashpër edhe në lidhje me kthimin e mundshëm të zyrtarëve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës.
“Njësoj siç këto janë çështje të sundimit të ligjit në vendin tonë, nuk mund të jeni dorëheqjet e kthimit të zyrtarëve shtetërorë çështje e pazareve.” – u shpreh kryeministri, duke adresuar përpjekjen ose mendimin që kthimi i serbëve të bëhej përmes një negocimi të mundshëm në Bruksel.
Përsëri Borrelli
Por, në fjalën e tij kryeministri vazhdoi t’i kthehej e t’i kthehej Borrellit dhe në një pikë duket se adresoi edhe pengesën që mund t'i bëhet Kosovës në rrugën e saj integruese drejt BE-së.
“Takimi i nivelit të lartë duhet të jetë për qëllime të larta. Sot në Bruksel ndodhet Zv. Kryeministri Besnik Bislimi – mbase do të ketë edhe një takim e përpjekje që brenda këtyre 48 orëve të arrihet dakordimi. Ne e kemi vullnetin dhe gatishmërinë. Evropa është kontinenti ynë... ” – vazhdoi kryeministri më pas duke thënë që donin të bëheshin pjesë e Bashkimit Evropian dhe vlerave më të larta të saj.
Ai u shpreh se hyrja e Kosovës në BE ishte edhe “bashkim familjar” për qytetarët e Kosovës që do të bashkoheshin potencialisht me familjet e tyre në mërgim. Por, kjo duket mjaft problematike si fjali pasi që bastardizon krejt çështjen e integrimit në Evropë për shtetin tonë.
“Ndaj Bashkimit Evropian, si në të kaluarën e si sot, shpesh kam qenë kritik e jam kritik por asnjëherë i hidhëruar. Jam kritik ndaj përfaqësuesit të lartë Borrell, që e braktisën propozimin e Bashkimit Evropian.” – tha më tej kryeministri.
Në anën tjetër, ai nuk adresoi specifikisht kritikat e Josep Borrellit që u thanë më 21 nëntor në Bruksel. Ai u shpreh mes tjerash se derisa Lajçak po bënte një propozim, Borrelli "veçse kishte dalë para mediave".
Kryeministri i Kosovës e konfirmoi edhe se në Bruksel aktualisht ndodhej zëvendësi i tij, Besnik Bislimi duke provuar të gjente një zgjidhje.

