Çka ndodhi? Publikohet intervista e Kurtit, por jo fjalët e tij ku thotë "ambasadori amerikan dinte më shumë"
Intervista e shumëpritur e kryeministrit Albin Kurti dhënë për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung është publikuar, por aty nuk ndodhen pjesa kryesore, më kryesore e saj. Si u bind ai të bënte kompromisin për targa bazuar në disa fjalë të ambasadorit amerikan?
Gjatë paralajmërimit të intervistës, gazetari Michael Martens më 26 nëntor do të shkruante këta rreshta si vijon.
“Kurti ka thënë që kishte arritur kompromisin për targa pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë se situata në Veri të Kosovës “mund të përkeqësohej rëndë dhe pakthyeshëm”. Ambasadori amerikan “kishte më shumë informata se unë” mbi situatën në veri, tha z. Kurti, duke përmendur “shqetësime mbi sigurinë” por pa hyrë në detaje.”

Megjithatë, asgjë nga kjo sa u tha më lart nuk ekziston në “intervistën e plotë” që si duket është censuruar.
Jemi pajtuar që të mos zbatojmë vendimin tonë për të ndëshkuar vozitësit me targa ilegale serbe. Serbia është pajtuar që të mos lëshojë më targa të kohës së regjimit të Millosheviqit. Ne e bëmë këtë gjë, jo vetëm që të de-eskalojmë situatën, por edhe të krijojmë mundësi për nisje të menjëhershme të negociatave për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo duhet të kryhet para pranverës së vitit 2023. Ky ishte qëllimi real i kompromisit.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ju ka kritikuar në mënyrë të pazakontë që fillimisht dështuat të gjenit një kompromis. A jeni njeri kokëfortë – apo e kishte gabim Borrelli?
Nuk jam kokëfortë. Kam parime. Ka parime dhe vlera të cilave i përmbahem... Ne nuk shkojmë në Bruksel për të negociuar mbi zyrtarët policorë, prokurorët, doganierët dhe shefat e kadastrave. Ne jemi aty si përfaqësues të dy shteteve që po negociojnë normalizimin e raporteve të tyre. Ka të bëjë me dialogun dhe për marrëveshje në parim, jo veç për dialogun rreth menaxhimit të krizës. Nuk na vyen dialogu për hir të dialogut por për të treguar që Brukseli është aktiv. Nuk do të kisha shkuar në Bruksel vetëm për targa. Shkoj në Bruksel për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse. Sidoqoftë, z. Borrell ka ngulmuar që ne vetëm të nënshkruajmë një deklaratë mbi targat dhe të pretendojmë se ky ishte sukses i madh. Ky ishte mospajtimi i vetëm që pata me të.
Ju ishit i burgosur politik në Serbi kur presidenti aktual Aleksandër Vuçiq ishte ministër i Propagandës në regjimin e Millosheviqit. A e tendos kjo bisedën tuaj, apo ju i mbani ndjenjat jashtë ekuacionit?
Kurrë nuk i heq ndjenjat e mia. Emocionet janë pjesë e rëndësishme e asaj që ne jemi dhe asaj që ne bëjmë. Por, jam mjaftueshëm me përvojë që ta lë anën racionale për të vendosur se çka them e çka nuk them. Nuk u lirova nga burgu serb vitin e kaluar, por para më shumë se 20 vitesh. Problemi i vetëm për mua nuk është ajo që Vuçiqi ishte dikur, por ajo që ai është sot dhe që nuk shfaq pendim për atë që ishte. Në vend se të pendohej që ishte ministër i Informacionit të Millosheviqit, ai pendohet që unë jam liruar nga burgu. Ai e ka thënë këtë gjë shumë herë, dhe kjo më irriton. S’ka të bëjë me çka kam kaluar në burg, por me faktin se sa pak gjëra kanë ndryshuar në Serbi.
Ka shumë fjalë për iniciativën franko-gjermane për të zgjidhur konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës. Cili është plani?
Më 9 shtator, mua më vizituan emisari i BE-së Mirosllav Lajçak dhe këshilltarët Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne. Ajo çka prezantuan dukej një iniciativë shumë serioze. Më sollën një listë modelesh dhe idesh, që i kemi diskutuar gjerësisht para se t’i çonin në Beograd. Iu kam thënë se ajo do të ishte një bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
Pse duhet që Aleksandër Vuçiqi të jetë i interesuar në kompromis për Kosovën kur shpërblimi për të cilin shpresonte dikur – anëtarësimi i Serbisë në BE – nuk duket më realist?
Janë bërë nëntë muaj prej invazionit rus në Ukrainë, dhe Serbia është bërë për kohë të gjatë me Rusinë. Çdokush që e kupton se Serbia nuk do t’i bashkohet BE-së në të ardhmen e afërt duhet të mos harrojë që nuk është vetëm Brukseli që nuk e do Beogradin, por edhe që Serbia e preferon Moskën.
Sidoqoftë, marrëveshja nuk po dështon vetëm për shkak të Serbisë. Paraardhësit tuaj kanë premtuar që enklavat dhe vendbanimet serbe në Kosovë do të lejoheshin që të bëheshin bashkë në një Asociacion. Ata e bllokuan një gjë të tillë. Pse?
Serbia vazhdon të thotë që kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Ata thonë Kosova është shtet artificial. Por në këtë shtet artificial të supozuar, e duan një asociacion shumë të vërtetë. Sllogani serb është: “Ju nuk ekzistoni – por ne duam diçka prej juve.” Nuk do të funksionojë në atë formë. E dyta, kur kërkoni diçka, sillni në mendje se e njëjta kërkesë mund të bëhet edhe ndaj jush. Minoritetet përbëjnë tetë për qind të popullësisë në Kosovë dhe rreth 20 për qind në Serbi. Serbia duhet të mendojë për parimin. Për më tepër, gjykata kushtetuese ka thënë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është në pajtim me kushtetutën tonë.
Parimi kyç i politikës tuaj ndaj Serbisë është reciprociteti. A mund ta imagjinoni një model në të cilin komuniteti serb në Kosovë merr saktësisht të njëjtat të drejta si komuniteti shqiptar në Serbi?
Unë jam për reciprocitet në të drejta të të gjitha minoriteteve në Ballkan. Kjo është formula për paqe. Të drejtat e minoriteteve janë të rëndësishme për të luftuar dominimin nacionalist. Por Beogradi nuk kërkon të drejta për serbët. Serbia do këto të drejta të jenë të territorializuara, dhe kjo është diçka krejt e ndryshme. Beogradi do që komuniteti serb të formojë një bashkësi, por nuk e njoh asnjë serb në Kosovë që ma ka kërkuar këtë gjë, dhe marrë dhjetëra letra nga qytetarët serbë të vendit tonë për çdo javë. Vetëm Vuçiqi e do atë gjë.
Sidoqoftë, BE-ja dhe Washingtoni duket se po insistojnë në formimin e Asociacionit. A është parandalimi i saj më i rëndësishëm se sa kërcënimi i raporteve me aleatët perëndimorë?
33 marrëveshje janë nënshkruar në Bruksel gjatë dekadës së kaluar. Dy të tretat prej tyre nuk janë zbatuar nga Serbia. E pranoj që këto 33 marrëveshje ekzistojnë dhe jam i gatshëm që t’i konsiderojë kur nisin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në propozimin franko-gjerman. Por Serbia po e veçon atë marrëveshje pa përfillur 32 të tjerat e as propozimin franko-gjerman. Kur flasim për normalizim marrëdhëniesh, unë jam gati të flas për komunitetet dhe të drejtat e minoritetit serb – por jo si parakusht për bisedimet, por si pjesë e tyre.
Çka mund të thoni mbi aplikimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës?
Ne po llogarisim në mbështetjen e partnerëve dhe miqve tanë në atë formë që vota e pranimit tonë në Këshill të Evropës të ndodh sa më parë që të jetë e mundur. Për më tepër, ne zyrtarisht do të dorëzojmë aplikimin për anëtarësim në BE në muajin dhjetor. Natyrisht, e dimë që anëtarësimi nuk do të ndodh shpejt. Por është e rëndësishme që të shprehim dëshirën për t’iu bashkuar BE-së, zyrtarisht, formalisht e publikisht.
