Kosova e vetmja nga rajoni që s’mori pjesë: Çka tha ministrja jonë, e çka ambasadori i Norvegjisë? - NACIONALE

Kosova e vetmja nga rajoni që s’mori pjesë: Çka tha ministrja jonë, e çka ambasadori i Norvegjisë?

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Më 17 nëntor nën organizimin e Norvegjisë, u mbajt në Beograd të Serbisë konferenca rajonale e titulluar “mundësitë e investimit në energjinë e ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor”. Veç Kosova nuk mori pjesë duke ngritur shqetësimet për një dëmtim të mundshëm raportesh me Norvegjinë.

Serbia ishte vendi nikoqir i kësaj konference. Në këtë mbledhim morën pjesë Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina si dhe Zëvendësministri i Energjisë së Norvegjisë, Andreas Eriksen, dhe drejtues e përfaqësues të kompanive prestigjoze norvegjeze në fushën e energjisë.

Mos-pjesëmarrja e Kosovës në konferencën e organizuar nga Norvegjia, ishte mes disa ngjarjesh tjera që nuk duken aq të mira për raportet bileterale të dy shteteve.

Norvegjia në shtator njoftoi se do të mbyllte ambasadën e saj në Kosovë prej vitit 2023. Në mars, kryeministri i Norvegjisë kishte shprehur zhgënjim me kryeministrin Kurti. Ndërsa, tash nuk na ftuan.

“Nuk kemi humbur asgjë”

Ndërkohë, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit, Kosova nuk ka humbur asgjë ndërkaq bëri thirrje që të mos ‘brengosemi’.

Ju grantoj që nuk jemi duke humbur asgjë dhe ju garantoj që jemi duke bërë gjithçka për të jetësuar tregun e përbashkët me të cilat i përmenda, shtetet tona mike me të cilat kemi bashkëpunim si Shqipëria e Maqedonia e Veriut,” - ka thënë ajo në një konferencë për media të premten.

Rizvanolli që paralajmëronte për “dimër të vështirë”, ka thënë Kosova nuk ka mbetur prapa për mospjesëmarrjen në konferencën në Beograd.

Unë në asnjë mënyrë nuk e shoh dhe jam shumë e bindur dhe dua që edhe ju të jeni bindur dhe të mos brengoseni për këtë gjë që mungesa në takimin e djeshëm i cili u mbajtë në Beograd nuk është asnjë humbje për ne dhe nuk do të thotë që ne po mbesim prapa.”, ka thënë ajo.

Çka tha Norvegjia?

Ambasadori norvegjez në Kosovë, Jens Erik Grondahl, ka thënë se Kosova mbetet partner i fortë i Norvegjisë për energjinë e renovueshme teksa nuk ka komentuar mos-pjesëmarrjen e Kosovës.

Ambasadori me anë të dy shkrimeve në Twitter, foli për Kosovën dhe konferencën në Beograd.

Kosova është pjesë përbërëse natyrore e çdo zgjidhjeje rajonale energjetike.” – tha fillimisht Groendahl, duke nënkuptuar se ishte kritik ndaj vendit të tij, Norvegjisë, për mospjesëmarrjen e Kosovës.

"E pamë qëndrimin tuaj," - i tha përdoruesi i Twitter Faton Kokaj, duke e shpërndarë edhe fotografinë ku dukeshin pesë liderët e vendeve rajonale përveç Kosovës.

Por, ambasadori vazhdoi më tej duke u shprehur si vijon:

Interesimi i madh në konferencën e kësaj jave për energjinë e rinovueshme në Beograd vlerësohet shumë. Ndryshe nga komentet, Kosova mbetet një partner i fortë për Norvegjinë, duke përfshirë energjitë e rinovueshme dhe për krijimin e një tranzicioni drejt një të ardhmeje më të mirë të përbashkët,

A u prish Norvegjia me Qeverinë Kurti?

Vizita e kryeministrit Kurti në mars të këtij viti në Norvegji, mund të themi se ishte një ndër elemenete e para të ‘dëmtimit’ të raporteve mes dy shteteve.

Kurti ishte takuar me kryeministrin e këtij vendi, Jonas Gahr Støre, por i cili kishte pasur qëndrim befasisht qortues ndaj tij.

Nuk mund ta marrim stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si të garantuar. Sfidat e pazgjidhura nga vitet ’90 mund t’i vënë zjarrin rajonit përsëri,”- kishte thënë fillimisht z. Støre pas takimit.

E më pas, kishte ardhur edhe ‘zhgënjimi’.

Marrëveshjet duhet të zbatohen dhe palët duhet të shmangin veprimet që dobësojnë besimin mes tyre. Prandaj e shfrytëzova këtë takim për të shprehur zhgënjimin që Kosova nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe më 3 prill, sipas mënyrës se si ishin mbajtur zgjedhjet e kaluara”.

Përveç kësaj ‘përplasje’, një tjetër hap i Norvegjisë ishte mbyllja e ambasadës në Prishtinë.

Por, ne kemi një përgjegjësi për të përdorur burimet tona në një mënyrë që na mundëson të mbrojmë interesat norvegjeze në mënyrë sa më efektive të jetë e mundur”, kishte thënë Ministrja e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Anniken Huitfeldt për mbylljen e ambasadës.

Nuk dihet nëse mos-ftesa e Kosovës në konferencën e organizuar nga Norvegjia është një tjetër krisje e raporteve.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova është duke planifikuar investime 4.5 miliardë euro në energji të pastër.

Kemi një strategji shumë ambicioze e cila është në bazë të Deklaratës së Sofjes, ku nga viti 2031 duam të prodhojmë energji elektrike 400 MËh nga era apo 35 për qind të prodhimit të përgjithshëm. Këtë vit kemi rritur rreth 6 për qind buxhetin për këtë sektor dhe kursim të energjisë. Dhe nga viti i ardhshëm do të fillojmë me ndërtimin e projekteve për energji të ripërtëritshme”, ka thënë më 14 nëntor kryeministri Albin Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Lajme të ngjashme