Kurtit i ndodh më zi se Besnik Bislimit: KM i Norvegjisë shpreh zhgënjimin me të pas takimit
Një takim e zhvilloi jashtë shtetit, kurse edhe në këtë takim kryeministrit të Kosovës ia përplasën për fytyre qasjen e tij për dialogun me Serbinë, specifikisht refuzimin për zgjedhjet serbe të 3 prillit. Kjo bën që kryeministri në arenën ndërkombëtare të duket shumë i izoluar, ani pse përmes një komunikate Qeveria bëhet sikur "nuk ka ndodhur asgjë".
Zgjedhjet e 3 prillit e kanë përplasur Kosovën me shtetet e QUINT-it në mënyrë direkte. Madje, përplasjen në fjalë e kishte pranuar edhe kryeministri Kurti që kishte thënë se “deklarimi i tyre ishte shumë i ashpër”.
Dhe, kjo temë duket se nuk po mbyllet përkundër dëshirës së Kosovës. Ishte profesori amerikan Edward P. Joseph i cili në një opinion ishte shprehur se “Kurti kishte dëmtuar interesat e Kosovës duke i çuar përpara interesat e Serbisë”.
Kurti – i cili është kritikuar për mungesën e takimeve jashtë vendit – ka shkuar drejt Norvegjisë, një vend me të cilin kishte bashkëpunuar shumë edhe në Kosovë përmes ambasadës së saj në vendin tonë, duke zhvilluar takime të kohëpaskohshme.
Por, përsëri gjërat duket të mos kenë shkuar sipas planit.
Kryeministri i këtij vendi, Jonas Gahr Støre është shprehur me ton tepër kritik ndaj homologut të tij kosovar pas takimit.
“Nuk mund ta marrim stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si të garantuar. Sfidat e pazgjidhura nga vitet ’90 mund t’i vënë zjarrin rajonit përsëri”, tha kryeministri Jonas Gahr Støre.
Rrallë ndodh që një kryeministër i një vendi të shprehë kaq haptas zhgënjimin me atë që ka takuar, e sidomos nëse i takuari është kryeministri i një vendi tjetër.
Sidoqoftë, ka edhe më keq. Kryeministri norvegjez Støre ka vazhduar në sulmin e tij, por kësaj here duke i përmendur specifikisht zgjedhjet e 3 prillit.
“Kjo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet duhet të zbatohen dhe palët duhet të shmangin veprimet që dobësojnë besimin mes tyre. Prandaj e shfrytëzova këtë takim për të shprehur zhgënjimin që Kosova nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe më 3 prill, sipas mënyrës se si ishin mbajtur zgjedhjet e kaluara”, deklaroi z. Støre.
Por, postimi i bërë nga Zyra e Kryeministrit duket “goxha i shkëputur” nga realiteti i fjalëve të kryeministrit norvegjez.
Aty nuk përmendet fare keqardhja e deklaruar nga Støre dhe për më tepër thuhet që ky i fundit “ka shprehur interesim për propozimet konstruktive dhe progresive për Bashkëpunim Rajonal që ka bërë qeveria e Kosovës”.
Për fat të mirë, në këtë postim nuk ka ‘tag’ siç kishte pasur në një postim në Twitter nga z. Besnik Bislimi që ishte përgënjeshtruar publikisht nga Bjorn Berge, njeriu i dytë i Këshillit të Evropës.