Ajri i ndotur vazhdon të bëj kërdi në Kosovë, 16 operatorë s’i tregojnë ndotësit ndërsa politika tallet - NACIONALE

Ajri i ndotur vazhdon të bëj kërdi në Kosovë, 16 operatorë s’i tregojnë ndotësit ndërsa politika tallet

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

A keni dëgjuar për ndonjë shtet në të cilin 16 nga 18 operatorët nuk i raportojnë fare shkarkimet e ndotësve të ajrit edhe pse kanë marrë leje të integruar për atë çështje? Kemi një lajm për ju: është Kosova! E gjithë kjo ndodh, derisa 760 kosovarë në vit vriten nga këta ndotës dhe derisa prej kryeministrit e teposhtë ose tallen ose s’e kuptojnë fare problematikën.

Deputetë të partive opozitare janë çuar në këmbë duke kërkuar themelimin e një komisioni parlamentar që do të hetonte menaxhimin energjetik në Kosovë gjatë këtij viti. Derisa Kuvendi zhurmon e për atë çka ndodhi ka mjegull, nga ajri ndotur në Kosovë vdesin nga 760 njerëz çdo vit.

Kjo statistikë është ofruar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës [AMMK]. Kontribuesi më i madh në ndotje janë termocentralet në Obiliq.

Derisa ligjvënësit kosovarë përplasen duke goditur tavolinat para vetes e duke u sharë me “robë” pa ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar ndotjen e ajrit, robët kosovarë do të vdesin përditë.

Investimet në përmirësimin e cilësisë së ajrit janë të pakta dhe jo në proporcion me sasinë e lartë të ndotjes së ajrit.

Kështu ka konfirmuar AMMK-ja:

Investimet në sektorin e ajrit nuk janë në proporcion me ndotjen e ajrit e cila vjen nga burime të shumta. Gjatë vitit 2021, investimet në sektorin e ajrit ishin të limituara. Investimet nga buxheti publik në sektorin e ajrit për vitin 2021 janë orientuar për furnizim dhe mirëmbajtje të stacioneve për monitorimin e cilësisë së ajrit që janë nën menagjimin e AMMK”, thuhet në raportin për vitin 2021.

E keqja vazhdon edhe më tej. AMMK thotë se operatorët nuk raportojnë të dhënat për shkarkimet e ndotësve të ajrit pavarësisht dhënies së lejeve për operimin e tyre nga ana e Qeverisë.

Edhe pse deri në vitin 2021 janë 18 operatorë të pajisur me Leje te Integruara, prej tyre vetëm dy raportojnë të dhëna mujore në AMMK për shkarkimet e ndotëseve në ajër”, thuhet ndër të tjera në raportin e kësaj agjencie fort me rëndësi.

E dëmet ekonomike si pasojë e ndotjes së ajrit vlerësohen të jenë rreth 240 milionë dollarë.

Sipas Bankës Botërore, kostoja e vlerësuar ekonomike e lidhur me vdekshmërinë nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit në Kosovë është prej 160 - 310 milionë dollarë amerikanë, ekuivalent me 2.5% -4.7% të bruto produktit vendor (BPV) në vitin 2016. Kostot ekonomike të lidhura me dëmin shëndetësor janë mesatarisht 240 milionë dollarë”, thuhet ndër të tjera në raportin e AMMK-së.

Çka thotë programi i Qeverië Kurti për mbrojtjen e ambientit?

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka lëvizur paksa në këtë drejtim. Kuvendi ka kaluar në lexim të parë Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja.

Përmirësimi i cilësisë së ajrit; Do të angazhohemi për përmirësimin e ajrit dhe resurseve natyrore nëpërmjet kompletimit të kornizës ligjore dhe rishikimit të kornizës strategjike. Në kuadër të përmirësimit të kornizës strategjike do të miratojmë Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja dhe udhëzimin administrativ për rregullat dhe normat e shkarkimeve në ajër nga burimet e palëvizshme të ndotjes. Po ashtu, do të përgatisim dhe lansojmë portalin kombëtar për cilësinë e ajrit. Me qëllim të ndërmarrjes së masave kundër ndotjes, do të bëjmë vlerësime për identifikimin e burimeve të ndotjes së ajrit për gjithë territorin e vendit. Po ashtu, do të plotësojmë kornizën strategjike me miratimin e Strategjisë për Zhvillim të Qëndrueshëm Mjedisor. Për adresimin e ndotjes së ajrit në zona të caktuara, do të hartojmë masat e kontrollit të ajrit për Prishtinën, për zonat tjera të rëndësishme të anglomerateve dhe për zonat të ndjeshme”, thuhet në planprogramin e Qeverisë.

Ndërkaq, kryeministri Kurti, gjatë një seance në Kuvend ka treguar që filterat do të instalohen në termocentral pasi të jenë instaluar bojlerat, ndërsa rëndësia e filtrimit të tymit të termocentralit është jetike.

Sa i përket filterave, ata kanë deshtë me i instalu filterat por kur kanë shku aty e kanë pa që është llom, duhet niher bojlerat tani filterat. Ju s’i keni bë as bojlerat as filterat. Nuk ka filtera pa bojlera. Tash ne do t’i vendosim bojlerat që t’i vendosim edhe filterat”, kishte thënë me nënqeshje Kurti.

Në fund të ditës, Komisoni hetimor do të zvarritet edhe më gjatë ndërsa ndotja e ajrit pa masa parandaluese do t’i mbushë mushkëritë e kosovarëve për çdo ditë.

Lajme të ngjashme