A u prish Norvegjia me Albin Kurtin? "Zhgënjimi" i 29 marsit, mbyllja e ambasadës në Kosovë dhe tash ngjarja e fundit - NACIONALE

A u prish Norvegjia me Albin Kurtin? "Zhgënjimi" i 29 marsit, mbyllja e ambasadës në Kosovë dhe tash ngjarja e fundit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ambasadat e Norvegjisë në Beograd e Sarajevë kanë organizuar një konferencë rajonale të titulluar “Mundësitë e Investimit në burimet e ripërtëritshme të energjisë në Ballkanin Perëndimor”. Por, ata nuk kishin ftuar një shtet të Ballkanit Perëndimor: Kosovën! Pse ndodhi kjo dhe qysh mbërritëm nga afërsia më e madhe me Kurtin te largësia më e madhe?

Fillimisht, të flasim për konferencën e më pas se si erdhëm deri në këtë pikë.

Konferenca në fjalë do të organizohet në Beograd, dhe pjesëmarrës do të jenë të gjithë ata që pyeten në rajonin në të cilin bëjmë pjesë.

Serbinë e përfaqëson presidenti Aleksandër Vuçiq. Shqipërinë e përfaqëson kryeministri Edi Rama. Maqedoninë e Veriut e përfaqëson kryeministri Dimitar Kovaçevski. Malin e Zi e përfaqëson kryeministri Dritan Abazoviq. Dhe Bosnjen e përfaqëson kreu i Këshillit të Ministrave të Bosnjes, Zoran Tegeltija.

Sipas portalit serb nga vendi ynë Kosovo Online, Kosova s’do të jetë mes pjesëmarrësve. Gazeta Nacionale ka pyetur zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziun, në lidhje me këtë çështje por ai nuk denjoi të kthente përgjigje deri në këtë moment.

Çka ndodhi me Norvegjinë?

Ballkani Perëndimor ka gjashtë shtete dhe jo pesë, për shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës mes të cilave është edhe Mbretëria e Norvegjisë.

Mirëpo, zhvillimet nga Norvegjia nuk kanë qenë gjithaq pozitive në këtë vit megjithëse nuk ishte gjithmonë kështu.

Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Jens Erik Grøndahl mund të raportohet se ishte “ambasadori i tij i preferuar” dhe Norvegjia “shteti i tij i preferuar” ndoshta edhe për arsye personale.

Vetëm në vitin 2021, Kurti ka takuar ambasadorin norvgjez të paktën pesë herë. Për më shumë, ishte Norvegjia – dhe jo një nga shtetet e QUINT-it (ShBA-ja, Italia, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania – që nënshkroi memorandum të mirëkuptimit për të mbështetur Qeverinë e Kosovës për Integrim Evrpoian dhe Dialog. Në bazë të kësaj ishte krijuar edhe një grup ekspertësh të përbërë nga Veton Surroi, Robert Muharremi, Bernard Nikaj, Leon Malazogu e Muhamet Mustafa.

Teposhtëze

Por, duket se raportet e ngushta me Norvegjinë nuk janë më aq të ngushta. Një ‘aksident’ i papritur kishte ndodhur më 29 mars të këtij viti, kur kryeministri Kurti kishte udhëtuar për në Osllo.

Kurti ishte takuar me kryeministrin e këtij vendi, z. Jonas Gahr Støre, por i cili kishte pasur qëndrim befasisht qortues ndaj tij.

“Nuk mund ta marrim stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si të garantuar. Sfidat e pazgjidhura nga vitet ’90 mund t’i vënë zjarrin rajonit përsëri,”- kishte thënë fillimisht z. Støre pas takimit.

E më pas, kishte ardhur edhe ‘zhgënjimi’.

“Marrëveshjet duhet të zbatohen dhe palët duhet të shmangin veprimet që dobësojnë besimin mes tyre. Prandaj e shfrytëzova këtë takim për të shprehur zhgënjimin që Kosova nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe më 3 prill, sipas mënyrës se si ishin mbajtur zgjedhjet e kaluara,”

Norvegjisë nuk i kishte pëlqyer vendimi i Qeverisë Kurti për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në vendbanimete serbëve të Kosovës.

Një tjetër pikë e ulët u shënua në shtatorin e këtij viti. Ambasada e Norvegjisë në Prishtinë do të mbyllej, kishte njoftuar qeveria e këtij shteti.

“Por, ne kemi një përgjegjësi për të përdorur burimet tona në një mënyrë që na mundëson të mbrojmë interesat norvegjeze në mënyrë sa më efektive të jetë e mundur,” - kishte thënë Ministrja e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Anniken Huitfeldt.

Për ironi, raportohet se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka familjen e tij të ngushtë (gruan dhe vajzën) me banim në Osllo të Norvegjisë.

Lajme të ngjashme