Draft-Strategjia e Qeverisë Kurti për Energjinë: Gabojnë edhe me fjalë kryesore, zero ide deri më 2031 - NACIONALE

Draft-Strategjia e Qeverisë Kurti për Energjinë: Gabojnë edhe me fjalë kryesore, zero ide deri më 2031

1 vit më parë

nga NACIONALE

Strategjitë janë të domosdoshme për të dalë nga krizat. Një e tillë ishte premtuar dimrin e kaluar të krizës energjetike pikërisht për sektorin e energjisë. Tashmë një draft-strategji ka mbërritur, por ajo duket e mangët në çdo nivel.

Sivjet, kriza energjetike ka trokitur në dyert e shtëpive dhe punëve të qytetarëve të Kosovës shumë më herët se që ishte pritur. Në mes të muajit gusht, nisën reduktimet për të paralajmëruar një dimër të vështirë me mundësinë e shtrenjtimit të çmimit dhe reduktimeve edhe më të ashpra. Kjo bën që strategjia e energjisë për dhjetë vitet e ardhshme të jetë më e rëndësishme se asnjëherë.

Por, duket se në mendjen e Qeverisë Kurti II është më shumë lufta kundër ndryshimeve globale klimatike se sa lufta për të gjeneruar më shumë prodhim.

Vetëvendosje kishte pasur vazhdimisht vëmendje të lartë mbi sektorin e Energjisë në të kaluarën. Por si duket, megjithatë nuk kanë pasur një vizion të mirëpërcaktuar. Ata kishin kundërshtuar marrëveshjen e nënshkruar me Contour Global për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, ndërkohë që kanë përkrahur politikat e gjelbra për rritjen e kapaciteteve në energji të ripërtërishme.

Sidoqoftë, një plan serioz për të rritur kapacitetet e përgjithshme të prodhimit të energjisë nuk duket asgjëkundi në 43 faqet e prezantuara në qershor nga Ministria e Ekonomisë, përgjegjëse e sektorit.

Investimet më serioze parashihen të bëhen në termocentralin Kosova B dhe rivitalizimin e Kosovës A.

“Do të punojmë për të ndërtuar kapacitete të reja me burime të ripërtëritshme të energjisë nga dielli dhe nga era, në mënyrë që nga viti 2028 njësitë e rivitalizuara të Kosovës A të kenë nevojë të punojnë vetëm gjatë muajve të dimrit,” - kishte thënë ministrja Artane Rizvanolli në prezantim të kësaj draft-strategjie.

Krizë, krizë, krizë

Për të dalë nga rrethanat aktuale energjetike, është evidente nevoja për investime dhe ndërhyrje, siç e ka theksuar për Nacionalen edhe njohësi i këtij sektori Hamdi Malushaj.

"Krejt kjo (krizë) ka ardhë si pasojë e mosinvestimit, moszhvillimit të sektorit energjetik me kohë. Në këto probleme nuk mund të ketë ndërhyrje të shpejta sepse ndërtimi i kapaciteteve prodhuese do kohë, nuk është aq i shpejtë. Por, që nga koha kur është folë për energjinë dhe për krizën e mundshme të saj, ka mujtë me u ba diçka, në fakt ka mujtë me u ba shumë, sidomos në ndryshimin e bazës ligjore,” – u shpreh ai.

Pamundësia për të bërë ‘ndërhyrje të shpejta’ shtron rëndësinë e ndërhyrjeve dhe investimeve të bazuara te strategjia e përpiluar nga Qeveria e Kosovës, por si duket nuk do të ketë as të shpejta e as të 'ngadalta'.

Ish ministri i Energjisë dhe eksperti i këtij sektori, Ethem Çeku, e ka komentuar në këtë formë draft-strategjinë:

“Ky dokument më shumë do të ishte për vendet skandinave, sesa për Kosovën, sepse i gjithë koncepti i strategjisë për furnizim të qëndrueshëm me energji, për periudhën 10-vjeçare, është bazuar në energji të pastër. Në Kosovë, fatkeqësisht, është gati e pamundur të gjenden të gjitha ato resurse,"

Çka është strategjia në fjalë?

“Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031 (në tekstin e mëtejmë “Strategjia e Energjisë”) është një dokument themelor i cili përcakton drejtimet dhe veprimet kryesore për zhvillimin e sektorit të energjisë gjatë 10 viteve të ardhshme.” – thuhet në pjesën hyrëse që përshkruan draftin.

Por, fatkeqësisht, qasja përshkruese vazhdon gati përgjatë gjithë dokumentit duke përmendur vetëm sipërfaqësisht zgjidhjet e problemeve të energjisë.

Vërejtje serioze në lidhje me qasjen dhe metodologjinë ka gjetur Kristian Sevdari nga Departmenti i Energjisë dhe Erës..

“Besojmë se “Thembra e Aklit” e kësaj strategjie qëndron pikërisht te metodologjia. Në këtë kapitull, është bërë një përshkrim shumë sipërfaqësor i metodologjisë. Pjesët vitale të metodologjisë nuk janë cekur mjaftueshëm. Fatkeqësisht ky draft nuk ofron një aneks ku bëhet një përshkrim i detajuar i metodologjisë dhe të dhënave,” - ka shkruar z. Sevdari në komentin drejtuar Draft-Strategjisë në kuadër të kontributeve në debatin publik.

Megjithëse strategjia shtrihet deri në vitin 2031, mungesa e vizionit për rritje të kapaciteteve është e çuditshme.

Qeveria nga padija synon Kosovë pa CO2 dhe pa banorë

“Vizioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës është të zhvillojë një sektor energjetik pa emetim të dioksidit të karbonit CO2 deri në vitin 2050, të integruar në tregun Pan-Evropian, duke garantuar siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri për qytetarët.”

Në lidhje me këtë çështje, z. Sevdari bën një vërejtje mjaft interesante:

“Thuhet se vizioni është një sistem energjik pa CO2 deri në vitin 2050. Një tjetër kontradiktë me vetë planet e shumë shteteve më të pasura. Ndoshta CO2 neutral është ajo çfarë mendojnë autorët e këtij dokumenti?”

Është e vërtetë se BE-ja ka bërë zotimin për karbon neutral deri më 2050, por si duket Qeveria përnjëmend nuk e ka kuptuar domethënien e një gjëje të tillë.

“Neutraliteti i karbonit nënkupton balansimin mes emetimit të karbonit dhe absorbimit të karbonit nga atmosfera në deponinë e karbonit. Heqja e oksidit të karbonit nga atmosfera dhe deponimi i saj njihet si sekuestrim i karbonit.” - thuhet në një shpjegim..

Nëse Qeveria do t’ia dilte mbanë të hiqte plotësisht dioksidin e karbonit deri më 2050, atëherë Kosova jonë do të mbetej e pabanueshme.

Organizata e z. Sevdari pretendon se ka gjetur edhe kundërthënie të tjera në Draft-Strategjinë për Energji.

“Duke lexuar shifrat e konsumit të energjisë (amvisëria me shumicë) shihet qartë se ekziston një potencial shumë i madh për të reduktuar konsumin përmes politikave energjetike. Por në këtë draft plan mungon një arsyetim se kur mund të kemi një saturim të konsumit dhe cilat politika do të ishin më të favorshme. Gjithashtu i jepet pak vëmendje termocentraleve ekzistuese. Nuk kuptohet se kush do të mbulojë “baseload” të Kosovës për 30 vitet e ardhshme.” – thuhet në koment.

Komentet publike për draft-strategjinë kanë filluar më datën 7 dhe kanë përfunduar më datën 27 qershor.

Në prezantim të kësaj draft-strategjie, ministrja Artane Rizvanolli ishte shprehur si vijon:

"“Angazhimi i këtyre ekspertëve është bërë me përkrahje të USAID-it. Qeveria e Kosovës e ka mbajtur pronësinë dhe vendimmarrjen gjatë këtij procesi. Gjatë zhvillimit të strategjisë ka pasur dialog me të gjitha palët por edhe me ekspertë. Janë mbajtur dhjetëra takime me ekspertë, OJQ, biznese, organizata ndërkombëtare. Ka pasur shumë ide për rrugën që duhet ndjekur, por pika ku do të arrijmë ka qenë e qartë nga fillimi”"

Lajme të ngjashme