"Lufta" e Kurtit dhe shamia në shkolla - kryetemat e javës - NACIONALE

"Lufta" e Kurtit dhe shamia në shkolla - kryetemat e javës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Debati për shaminë fetare dhe për luftën, ishin dy nga temat kryesore që dominuan javën që po e lëmë pas. Nuk mbeti kush pa e komentuar nismën për ndryshimin e udhëzimit administrativ për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla, teksa për luftën e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, ishte kryeministri, Albin Kurti, që parashikoi një gjë të tillë.

Java e dytë e muajit gusht 2022, u zhvillua kryesisht rreth debatit për shaminë fetare dhe për luftën. Këto dy tema dominuan rrjetet sociale. Pati reagime, kundërshtime, ofendime teksa në fund kampanja u shpall e mbyllur e debati për luftën po vazhdon.

Shamia në shkolla

Ka një javë që ka filluar një nismë e dy qytetarëve. Nisma në fjalë kërkonte që të ndryshohet një udhëzim administrativ që do të lejonte bartjen e shamisë fetare në shkolla.

Për këtë u bë një fushatë e jashtëzakonshme në gati krejt rrjetet sociale. Po ashtu, sipas organizatorëve, në peticionin e tyre, u mblodhën 20 mijë nënshkrime.

Debatit i erdhi fundi veç pasi reagoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministria e Arsimit.

Kurti ka premtuar se Ligji për Komunitete fetare do të sillet në Kuvend.

“... nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe elementeve të tjera fetare në jetën publike, duhet të jenë të lirë...”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë që prag për çështjen e shamisë e përmendi moshën 16-vjeçare, me arsyetimin se është prag për shumë gjëra.

E me këtë rast, Kurti vendosi që këtë çështje ta shndërrojë në një tjetër kauzë – lejimin e votimit në këtë moshë.

Moshën 16-vjeçare e shohim si prag për shumë gjëra. Në të ardhmen e afërt nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të ishte 16 vjet. Këtë moshë e shohim si prag për shumë gjëra, sikur edhe për bartjen e shamisë”, ka thënë Kurti.

Deklarata e Kurti përsëri shkaktoi debat të cilët kundërshtuan pasi sipas tyre, Kurti po tenton të përfitojë vota teksa hoxha, Shefqet Krasniqi e pa si hajgare deklarimin e Kurtit.

Ndryshe, Durim Berisha e Liridon Kurti konfirmuan mbylljen e kampanjës, për shkak se MASHTI ka konfirmuar se do ta anulojë nenin 3, paragrafit 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014.

Paralajmërimet e Kurtit për luftë

23 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, kryeministri, Albin Kurti po paralajmëron se një konflikt mund të ndodhë sërish.

Dy herë brenda pak ditësh, kryeministri Albin Kurti ka folur për mundësinë e fillimit të një lufte të re në Kosovë.

Fillimisht e tha për gazetën italiane “La Repubblica”, e më pas edhe për “Reuters”. Sipas shefit të ekzekutivit, është e papërgjegjshme që të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve.

Deklarimet e Kurti nuk pritën hiç mirë tash kur situata në veri të vendit ishte e tensionuar për shkak të vendimit për reciprocitet për targa dhe dokumentet të identifikimit me Serbinë.

Reagime pati dhe nga partitë opozitare.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar të mos ndjellet frikë e panikë të qytetarët, derisa shtoi se Serbia e di shumë mirë se çfarë sjellë konflikti me NATO-në.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri me paralajmërime të tilla, nënkupton se e dëshiron krizën dhe ëndërron protagonizëm te paniku.

Kujtojmë se Kurti dhe Vuçiq do të takohen në Bruksel me 19 gusht.

“Dimër i vështirë”

Inflacioni, çmime të larta, kriza ushqimore, mundësia për luftë mes Kosovës e Serbisë, janë disa nga lajmet me të cilat janë përballur kosovarët kohëve të fundit.

Përveç këtyrë të thëna më lartë, Qeveria Kurti paralajmëroi edhe krizë me energji elektrike.

Me një vendim të Kuvendit të Kosovës, Qeveria ka shpallur situatë emergjente në sektorin e energjisë.

E këtë të mërkurë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, foli rreth problemeve që priten të jenë me sektorin e energjisë elektrike duke thënë se na pret një dimër i vështirë.

Besoj është e qartë për të gjithë. Dimri i ardhshëm do të jetë tejet i vështirë për të gjithë Evropën, kjo do të na ndikojë edhe neve në masën që ne kemi nevojë për import të energjisë. Është mirë të jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që po na presin. Jemi duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të realizueshme për një kohë të shkurtër. KEK-u është duke i bërë të gjitha përpjekjet që ndërhyrjet në blloqe të bëhen para dimrit. Duhet të kursejmë energjinë”, deklaroi Rizvanolli.

Nacionale ka dërguar pyetje për të kuptuar se çka nënkupton dimër i vështirë, mirëpo deri më tani, Ministria e Ekonomisë nuk kanë kthyer përgjigje.

Për të mos harruar, një ngjarje makabre ndodhi në Mal të Zi. Në Cetinje mbetën të vrarë 11 persona dhe gjashtë të tjerë u plagosën.

Lajme të ngjashme