Plas debati për shamitë në rrjete sociale pas deklarimit të Kurtit - NACIONALE

Plas debati për shamitë në rrjete sociale pas deklarimit të Kurtit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tash e disa ditë në vendin tonë ka nisur një kampanjë, përmes së cilës po kërkohet që të ndryshohet udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e shamisë nëpër shkolla. Lidhur me këtë çështje, u prononcua edhe kryeministri Albin Kurti, i cili përmendi si prag moshën 16-vjeçare, e që shkaktoi reagime të shumta në rrjete sociale.

Kërkesës që të ndryshohet udhëzimi administrativ, e që të lejohet bartja e mbulesës në shkolla, më në fund iu përgjigj kryeministri Albin Kurti.

Ky i fundit, të premtën para mediave tha se qëndrimin për këtë çështje e ka dhënë para shumë vjetëve, atëherë kur ishte në opozitë.

“... nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe elementeve të tjera fetare në jetën publike, duhet të jenë të lirë...”, tha Kurti.

Kryeministri e përmendi si prag për çështjen e shamisë moshën 16-vjeçare, të cilën vendosi ta shndërrojë në një tjetër kauzë – lejimin e votimit të kësaj moshe.

“Moshën 16-vjeçare e shohim si prag për shumë gjëra. Në të ardhmen e afërt nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të ishte 16 vjet. Këtë moshë e shohim si prag për shumë gjëra, sikur edhe për bartjen e shamisë”, tha Kurti.

Deklarata e Kurtit ngjall debat në rrjete sociale

Deklarata e të parit të shtetit shkaktoi reagime e debate në rrjete sociale. Gazetari Ridvan Berisha, me këtë rast, pati një apel për kolegët dhe mediat.

Ai bëri thirrje që mos “të shkelen” kurthet e kryeministrit duke raportuar lidhur me çështjen e shamisë.

“Kosova ka me bollëk brengash të tjera, i dijmë dhe i përjetojmë të gjithë ne. Më së paku çështja e bartjes së shamisë për fëmijët nëpër shkolla ka ta bëjë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Grupe mirë të organizuara dhe edhe politikanë të ndryshëm gradualisht po e ndërtojnë shtratin e viktimizimit. Bilanci i tyre është ekspozimi i zhvillimit të doktrinës së islamit politik, bartjen e shamisë po e përdorin vetëm si siguresë, kamuflazh ashiqare. Leksion i keq për shtetin laik”, ka thënë ai.

Lidhur me deklaratat e tij, kryeministri mori edhe një tjetër reagim kundër, këtë herë nga profesori Nezir Kraki, i cili i ka dalë disa herë në mbështetje atij.

“Ka gabu atehere dhe gabon edhe sot kur deklaron se maturiteti fillon ne moshen 16 vjecare. E keta myhybët e tij qe s’guxojne gojen me e qel duhet t’i thone qe eshte gabim. Sqarimi i tij nuk eshte koherent dhe krahasimi me mundesine e marteses ne moshen 16 vjecare eshte absurd. Absurd sepse per martese nen moshen 18 vjecare duhet pajtimi i prindit dhe po i bie qe edhe per vendosjen e shamise fjala e prindit eshte e fundit”, ka shkruar Kraki në Facebook.

Ai madje shtoi se Kurti po e lidh çështjen e shamisë me mundësinë e votimit nga mosha 16-vjeçare, gjë të cilën konsideron se kryeministri po e bën për të fituar vota.

Pas prononcimit të Kurtit para mediave, reagoi edhe analisti Jusuf Thaçi. Ky i fundit, tha se dilemën e ka zgjidhur Profeti.

“Dilemën e ka zgjidhur Profeti: Mos e lini shkollimin për shkak të shamisë! Derisa të tjerët ta përfundojnë “debatin” (debat i thënçin) se a duhet të lejohet apo jo shamia për nxënëset e shkollave publike në Kosovë dhe derisa kjo çështje të zgjidhet përfundimisht me legjislacion, unë e kam një porosi për vajzat (por edhe për prindërit e tyre) që ballafaqohen me dilemën për të zgjedhur mes shkollimit ose shamisë”.

Ndërkaq, gazetari Valon Syla tha se kryeministit me këto deklarata, synon ta fsheh dështimin në ekonomi dhe kolapsin në diplomaci.

“Pasi nuk ju dhezi ta shesin luften me Serbi për targa, tash synojnë ta dhezin një luftë brenda sojit për shamia. Ju lus mos bini pre të këtyne rrenave. Ato kanë një qëllim: ta mshefin dështimin absolut në ekonomi, kolapsin total në diplomaci dhe paaftësinë statistikisht të dëshmuar nē qeverisje. Kujdes dhe mos e lejoni urrejtjen nga autori i të gjitha urrejtjeve, Albin Kurti”, ka thënë ai.

Pas deklaratës së Kurtit ka reaguar edhe gazetari Ilir Mirena. Ky i fundit, ironizoi duke thënë se “kryeministri do ta bëjë sefte realizimin e premtimeve me çështjen e shamisë”.

“Albin Kurti deri me sot asnje premtim se ka mbajtur, e as s’ka provu me e realizu ndonje prej tyre. Po get sefte do me e ba me shamia t’çikave”, tha ai.

Nisma për heqjen e ndalimit

Në kërkesën e tij, Durim Berisha ka kërkuar që anulimi të bëhet për shkak të pavlefshmërisë absolute të këtij neni.

“Formulimi i përdorur në dispozitën e kontestuar ka pasur për rezultat mohimin e të drejtave themelore të garantuara me nenin 47 të Kushtetutës së Kosovës [E Drejta për Arsimin] për të gjitha nxënëset të cilat kanë bartur mbulesë të kokës për shkak të bindjeve fetare”, thuhet në kërkesë.

Tutje në kërkesën e tij, Berisha, që është jurist i së drejtës kushtetuese, ka theksuar se një kufizim i tillë është antikushtetues.

“Për më tepër, kufizimi arbitrar i lirive dhe të drejtave themelore përmes një akti administrativ është i ndaluar në Republikën e Kosovës. Në bazë të nenit 55 paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ”të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj””, shkruan në shkresën e tij ish-këshilltari i Kurtit.

Sipas Berishës, dispozita që ai e konteston, paraqet një akt absolutisht të pavlefshëm, duke theksuar se është obligim i MASHTI-t që të anulojë të njëjtin.

Ndërsa, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka thënë se tashmë janë duke e trajtuar me kujdes këtë çështje.

“Si ministri këtë çështje jemi duke e trajtuar me kujdes dhe sapo të kemi një vendim të ri do t'ju njoftojmë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka obligim që të sigurohet që çdo fëmijë të jetë në shkollë”, theksoi MASHTI.

Lajme të ngjashme