Kurti ‘harron’ se është pushtetar: Qëndrimin për shaminë e kam dhënë para disa vjetësh, s’duhet ndaluar - NACIONALE

Kurti ‘harron’ se është pushtetar: Qëndrimin për shaminë e kam dhënë para disa vjetësh, s’duhet ndaluar

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media ka folur edhe për lejimin e shamisë. Fushatë kjo për ndyshimin e udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla, e që është shndërruar në debat publik.

Kurti ka premtuar se Ligji për Komunitete fetare do të sillet në Kuvend. E sa i përket qëndrimit të tij, sikur të mos i kishte ndryshuar kurrë, tha se e ka dhënë para shumë vjetëve.

“... nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe elementeve të tjera fetare në jetën publike, duhet të jenë të lirë...”, tha Kurti.

Ndërkohë që prag për çështjen e shamisë e përmendi moshën 16-vjeçare, me arsyetimin se është prag për shumë gjëra.

E me këtë rast, Kurti vendosi që këtë çështje ta shndërrojë në një tjetër kauzë – lejimin e votimit në këtë moshë.

“Moshën 16-vjeçare e shohim si prag për shumë gjëra. Në të ardhmen e afërt nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të ishte 16 vjet. Këtë moshë e shohim si prag për shumë gjëra, sikur edhe për bartjen e shamisë”, tha Kurti.

Kjo deklaratë vjen pas peticionit që të ndryshohet udhëzimi administrativ për çështjen e shamisë.

Vajzat me mbulesë megjithatë vijojnë mësimet

Përkundër ndalimit ligjor, vajzat me mbulesë vazhdojnë arsimimin në shkollat publike. Rrallëherë ato përballen me ndalimin e hyrjes në objekte shkollore. Së fundmi, një gjë e tillë ndodhi në mars të 2022-tës.

Gazeta Nacionale ka pyetur Labinot Maliqin, imam i njohur nga Prishtina, i cili vazhdimisht është marrë me ndalimin e shkollimit të vajzave me shami.

Madje, Maliqi disa herë ka intervenuar në rastet kur vajzave u është pamundësuar vazhdimi i shkollimit për shkak të uniformës fetare.

Hoxhë Maliqi ka theksuar për Nacionale se aktualisht nuk ka asnjë rast që i ndalohet mësimi vajzave me shami në shkollat publike të Kosovës.

“Për momentin jo! Të gjitha rasteve që më janë paraqitë, pas intervenimit u është mundësuar vijimi i shkollimit.”

Nacionale është interesuar edhe për rastin e vajzës me mbulesë që ishte penguar në mars të këtij viti të vijonte mësimet në shkollën “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.

Ai tregoi se tashmë kjo çështje është rregulluar, dhe se vajza e mbuluar vazhdon mësimet.

“Po [është zgjidhë problemi], menjëherë. Ka qenë në shkollën fillore "Xhemail Mustafa””, tha imam Maliqi për Nacionale.

Nisma për heqjen e ndalimit

Në kërkesën e tij, Berisha ka kërkuar që anulimi të bëhet për shkak të pavlefshmërisë absolute të këtij neni.

“Formulimi i përdorur në dispozitën e kontestuar ka pasur për rezultat mohimin e të drejtave themelore të garantuara me nenin 47 të Kushtetutës së Kosovës [E Drejta për Arsimin] për të gjitha nxënëset të cilat kanë bartur mbulesë të kokës për shkak të bindjeve fetare”, thuhet në kërkesë.

Tutje në kërkesën e tij, Berisha, që është jurist i së drejtës kushtetuese, ka theksuar se një kufizim i tillë është antikushtetues.

“Për më tepër, kufizimi arbitrar i lirive dhe të drejtave themelore përmes një akti administrativ është i ndaluar në Republikën e Kosovës. Në bazë të nenit 55 paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ”të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj””, shkruan në shkresën e tij ish-këshilltari i Kurtit.

Sipas Berishës, dispozita që ai e konteston, paraqet një akt absolutisht të pavlefshëm, duke theksuar se është obligim i MASHTI-t që të anulojë të njëjtin.

Ndërsa, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka thënë se tashmë janë duke e trajtuar me kujdes këtë çështje.

“Si ministri këtë çështje jemi duke e trajtuar me kujdes dhe sapo të kemi një vendim të ri do t'ju njoftojmë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka obligim që të sigurohet që çdo fëmijë të jetë në shkollë”, theksoi MASHTI.

Presioni publik

E pasi u bë publike kërkesa e ish-këshilltarit të Kurtit, filloi një fushatë që kërkon heqjen e këtij udhëzimi adminsitrativ.

Nëpërmjet hashtagut “#ndryshojeni_ua_për_shaminë”, mijëra persona i janë bashkuar kërkesës për të shfuqizuar ndalesën ligjore që u bëhet vajzave me shami.

Madje, komentuesit disa herë me radhë, e kanë “bombarduar” me komente edhe faqen zyrtare të kryeministrit Albin Kurti, e atë të ministres së MASHTI-t, Arbërie Nagavci. Qindra komente kishin vetëm një kërkesë: ndryshimin e udhëzimit nga MASHTI.

Debati publik është karakterizuar si gjithnjë me përplasje rreth asaj nëse duhet ose jo të lejohet mbulesa në shkollat publike.

Kujtojmë që Kurti, para se të bëhej kryeministër, në disa raste e ka treguar qëndrimin e tij për këtë temë. Shefi i ekzekutivit tregonte se ai është në favor të lejimit të shamive në shkolla për vajzat mbi 16 vjeç.

Lajme të ngjashme