S’ndalen debatet në rrjete sociale, edhe pas përmbylljes së kampanjës për lejimin e shamisë në shkolla - NACIONALE

S’ndalen debatet në rrjete sociale, edhe pas përmbylljes së kampanjës për lejimin e shamisë në shkolla

1 vit më parë

nga NACIONALE

Iniciuesit e kampanjës për ndryshimin e udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e shamisë nëpër shkolla, Durim Berisha e Liridon Kurti sot thanë se kanë marrë konfirmim nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit se do të anulohet neni 3, paragrafi 1.13. Edhe pas përmbylljes së kampanjës disa ditore, reagimet në rrjete socialekanë vazhduar.

Durim Berisha e Liridon Kurti konfirmuar se po e mbyllim kampanjën, për shkak se MASHTI ka konfirmuar se do ta anulojë nenin 3, paragrafit 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014.

Deri më tani, nga ky dikaster nuk ka pasur një reagim publik lidhur me këtë çështje. Gazeta Nacionale e ka kontaktuar ministren Arbërie Nagavci dhe zëvendësministrin Dukagjin Popovci, por asnjëri nga ta nuk janë përgjigjur.

Debati për shaminë vazhdon

Sidoqoftë, pavarësisht kësaj, debati në rrjete sociale ka vazhduar.

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla e ka quajtur hipokrizi heshtjen e partive politike në lidhje me këtë debat.

Edhe sot, heshtje nga partitë politike... mesiguri po zhvillojnë debate të brendshme filozofike për të gjetur konsensusin rreth shamisë! #Hipokrizi”, ka shkruar Haradinaj- Stublla.

Ndërkaq, profesori i filozofisë, Blerim Latifi, ka publikuar disa të dhëna që po qarkullojnë në rrjete sociale, ku shihet se vetëm 15 për qind e gjinisë femërore kërkojnë që të ndryshohet ky udhëzim administrativ.

Disa gra e mbrojnë dhe madje e lavdërojnë nënshtrimin e gjinisë së tyre Disa të tjera, duke mos njohur gjë tjetër përveç traditës patriarkale, nënshtrohen pa bërë zë. Dhe një grup tjetër i grave, të cilat të prekura nga idetë moderne të lirisë dhe barazisë, ngrihen kundër nënshtrimit.” – shkroi Latifi mes tjerash në Facebook.

Analisti Rron Gjinovci ka konsideruar se kjo fushatë nuk kishte të bënte me shkollimin e vajzave, por me kontrollimin e gruas.

“Arsyeja pse e mbyllen peticionin eshte sepse dolen keto te dhana. U vertetu ajo qe e dishim, kjo fushate s'kishte t'bente me shkollimin e vajzave po me kontrollimin e gruas si te tille. Mbyllja e fushates paprite, pa u arrite asni qellim nuk ka shpjegim tjeter. Ne mbyllje te fushates dhe peticionit organizatoret e dhane ni shifer, simbas tyne 45% te peticionistave ishin gra, ama nuk u mbeshtet me asnje burim. Mbyllja e peticionit e pamundeson me gjeneru te dhana nga peticioni, pra me e pa sa perqind te peticionistave ishin gra. Une nuk ju beson deklarates se tyne pa i pa faktet. Dyshoj qe shumica derrmuse e peticionistave kane qene burra”, ka thënë ai.

Pas përmbylljes së kampanjës ka reaguar edhe gazetari Ilir Mirena, i cili pati disa fjalë për feministët.

“Ku jane more k’to grate e kauzave te medha, k’to feministet e zeshme, k’to “marshojm s’festojme? Ku jane mshef? Meqe s’po guxojne me u shpreh as pro e as kontra per punen e shamise, kta burrat qe po luftojne per shamia te tyre, duhet me dal ne te ardhmen ne k’so protesta”, ka thënë ai.

Nisma për heqjen e ndalimit dhe reagimi i Kurtit

Durim Berisha kishte kërkuar që anulimi të bëhet për shkak të pavlefshmërisë absolute të këtij neni.

“Formulimi i përdorur në dispozitën e kontestuar ka pasur për rezultat mohimin e të drejtave themelore të garantuara me nenin 47 të Kushtetutës së Kosovës [E Drejta për Arsimin] për të gjitha nxënëset të cilat kanë bartur mbulesë të kokës për shkak të bindjeve fetare”, thuhet në kërkesë.

Tutje në kërkesën e tij, Berisha, që është jurist i së drejtës kushtetuese, ka theksuar se një kufizim i tillë është antikushtetues.

“Për më tepër, kufizimi arbitrar i lirive dhe të drejtave themelore përmes një akti administrativ është i ndaluar në Republikën e Kosovës. Në bazë të nenit 55 paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ”të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj””, shkruan në shkresën e tij ish-këshilltari i Kurtit.

U dëshën disa ditë, e shumë reagime nëpër rrjete sociale e debate të ndryshme, që për këtë çështje, t’i thotë disa fjalë edhe kryeministri Albin Kurti.

Ky i fundit, të premten para mediave tha se qëndrimin për këtë çështje e ka dhënë para shumë vjetëve, atëherë kur ishte në opozitë.

“... nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe elementeve të tjera fetare në jetën publike, duhet të jenë të lirë...”, tha Kurti.

Kryeministri e përmendi si prag për çështjen e shamisë moshën 16-vjeçare, të cilën vendosi ta shndërrojë në një tjetër kauzë – lejimin e votimit të kësaj moshe.

“Moshën 16-vjeçare e shohim si prag për shumë gjëra. Në të ardhmen e afërt nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të ishte 16 vjet. Këtë moshë e shohim si prag për shumë gjëra, sikur edhe për bartjen e shamisë”, tha Kurti.

Lajme të ngjashme