‘Presidentja e heshtur’, Osmani ende pa asnjë fjalë rreth shamive në shkolla - NACIONALE

‘Presidentja e heshtur’, Osmani ende pa asnjë fjalë rreth shamive në shkolla

1 vit më parë

nga NACIONALE

Debati për shamitë në shkolla është ndezur edhe më shumë pas deklarimit të sotëm të kryeministrit Albin Kurti. Mijëra vetë kanë nënshkruar peticionin, gjersa pothuajse gjithë analistët e skenës publike kanë dhënë mendimin e tyre për këtë temë.

Por, është shefja e shtetit, ajo që ende nuk ka thënë asnjë fjalë për kryetemën e ditëve të fundit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur disa të rinj në zyrën presidenciale sot në ditën ndërkombëtare të tyre.

Pas takimit, ajo ka postuar disa foto, duke përmendur mungesën e lirisë së lëvizjes, e lavdëruar të rinjtë për sukseset e tyre.

Por, politikanja më e votuar në historinë politike të Kosovës, s’ka ende qëndrim publik për shamitë në shkolla, i cili debat filloi pas një kërkesë për shfuqzimin e udhëzimit administrativ që ndalon uniformat fetare në objektet shkollore.

E heshtura presidente

Shefe e shtetit, politikane e rëndësishme e Kosovës, gruaja në krye të shtetit, feministe, nënë e dy vajzave e juriste e njohur. Të gjitha rrethanat, disi në një formë e “obligojnë” presidenten Osmani të deklarohet rreth çështjes së lejimit të vajzave me mbulesë të vijojnë shkollën.

Përkundër se zëri i saj është kaq i rëndësishëm në temën rreth mbulesës së vajzave minorene, shkëlqësia e saj ende nuk ka folur.

Në fakt, në ditët e fundit, Osmani ka pasur pak aktivitete. E edhe më pak pastime në Facebook, Twitter e Instagram.

Postimi i fundit është i disa orëve më herët, ku në Presidencë ajo priti disa të rinj në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

Ajo shkroi se të rinjtë kosovarë vazhdimisht tregojnë talentin e tyre në arenën ndërkombëtare.

“Pavarësisht kufizimit në lëvizje, të rinjtë tanë si Andi, Arbeni, Arti, Besforti, Duarti, Ernesa, Endriti, Leka, Rinori, e shumë të tjerë, po dëshmojnë se me përkushtim e zell mund të arrihen suksese të mëdha përtej kufijve tanë dhe se meritojnë të ndjehen të barabartë me moshatarët e tyre anekënd Evropës.”, shkroi Osmani.

Por, një tjetër politikan i rëndësishëm, sot e ripërsëriti qëndrimin e tij rreth shamive.

Kryeministri flet si opozitar

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, ka përseritur qëndrimin e tij për shamitë, me të njëjtën gjuhë sikur kur ishte opozitar.

Pra, Kurti me diskurs opozitari tha se vajzave mbi moshën 16 vjeçare nuk DUHET t’u ndalohet bartja e shamisë në shkolla.

MASHTI është duke e përcjellë me vëmendje shqetësimin e qytetarëve që e kanë nisur një fushatë për ndryshim të Udhëzimit Administrativ. Ne do ta kemi edhe e projektligjin për liritë fetare, për komunitetet fetare, por qëndrimin tim unë e kam thënë para shumë vjetëve. Nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe elementeve tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë, por kam thënë se mosha 16 vjeçare është pragu”, deklaroi Kurti këtë të premte në mëngjes.

E deklarimi i Kurtit në favor të lejimit të shamive në shkolla, shërbeu si kerozin për ndezjen e debatit në rrjetet sociale.

I madh e i vogël ka komentuar këtë deklaratë të shefit të Qeverisë, për të cilat ka shkruar Nacionale.

Por, një mesazh direkt për Kurtin, paksa me tone kërcënuese, e pati Shefqet Krasniqi, hoxhë i njohur nga Prishtina.

“Selami”, siç e quajti vetë ai porosinë për Kurtin, ishte i qartë.

“Kjo është diskriminim në vete, shkelje e të drejtave të gruas. Ne ia çojmë një selam kryeministrit, unë nuk përzihem në politikë, por kjo është çështje fetare. S’guxojmë të heshtim dhe na dënon zoti. Selami është ‘ia ndreqe punën mirë, ose le krejt’. Na nuk ndalemi”, ka thënë Shefqet Krasniqi për RTI.

Nuk dihet nëse Kurti do ta dëgjojë këtë “selam” të imam Krasniqit, por debati rreth shamive po vazhdon ende, edhe në momentet e shkrimit të këtij artikulli.

Lajme të ngjashme