Episodi i 20 i Ditarit: Islami politik dhe shamia sipas Buzhalës - NACIONALE

Episodi i 20 i Ditarit: Islami politik dhe shamia sipas Buzhalës

1 vit më parë

nga Berat Buzhala

U soll si çështje së fundi nga një ish-këshilltar i kryeministrit Kurti.

Shamia. Do të jetë temë parësore e episodit të 20 të Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Siç e dini tashmë, një mobilizim i një grupi të konsiderueshëm njerëzish ka filluar të bërë bujë në rrjetet sociale.

Kërkesa e tyre kryesore është ndryshimi i udhëzimit administrativ për shaminë, që ua ndalon grave mbi moshën 16-veçare e që gëzojnë shami të hyjnë në objekte shkollore publike.

Në këtë episod, autori mes të tjerash vë në theks lojën politike që e ka bërë kryeministri aktual, Kurti sa i përket shamisë.

Sipas Buzhalës, opozitari i atëhershëm e kreu i tanishëm i ekzekutivit, kishte manipuluar dy herë me këtë çështje të ndjeshme.

Serbia rrezik numër 1, e jo islami. Ky është manipulimi i pare sipas gazetarit. Kjo pasi, ai vlerëson që Serbia dhe shamia janë dy tregime të ndara.

“Pse është manipulim ky? - Sepse le të themi kushtimisht, janë dy tregime të ndara. Problemi me Serbinë ekziston dhe kjo madje na bën bashkë. Sigurisht që është kërcënim. Problemi me ekstremizmin fetar është që na ndan, është telashe e brendshme, afatgjate. Mirëpo për të tingëlluar bukur, për të përfituar vota, Kurti qëllimshëm i përzien këto”, tha fillimisht Buzhala.

Kurse, sipas këtij të fundit, i dyti manipulim është fraza poetike e Kurtit: E rëndësishme çka ke në kokë, e jo çka ke mbi kokë.

“E rëndësishme çka ke në kokë, e jo çka ke mbi kokë. Çka do me thënë kjo? Pse atëherë, në një rrafsh tjetër ai thotë “duhet me u pa fytyra”. Pse nuk vlen e njëjta rregull edhe për fytyrën?”, shtoi tutje ai.

Ndërkaq, një nga pjesët kryesore që i veçoi autori është ajo ku thuhet se në një botë normale, ku nuk ka agjenda, shamia nuk do të duhej as të vihej në diskutim.

“Në një botë normale, ku çdo kush e shikon punën e tij, ku prapa nuk fshihen agjenda të tjera, ku pas kësaj kërkese vjen një tjetër, shamia nuk do të duhej as të vihej në diskutim. Nuk mundesh një fëmijë t moshës 16-vjecare, që tash nuk është as bash fëmijë më, t’i ndalohet shkollimi, në emër të emancipimit. Pra, është kontradiktore në vetvete, që t’i thuash dikujt nuk mundesh me hy në shkollë me shami, sepse shamia nuk është emancipim, prandaj po ta ndalim shkollimin”, theksoi Buzhala.

Në pjesën e parë të tekstit gjeni pjesën e plotë, njëherit të 20, por assesi të fundit, kurse më poshtë atë të zgjedhur si njërën prej më të rëndësishmeve. Shikim të këndshëm.

Lajme të ngjashme