Zgjedhjet e brendshme në VV, a ka kush i del kundërkandidat Albin Kurtit?
Nga nesër Lëvizja Vetëvendosje u hap mundësinë anëtarëve të saj që të kandidojnë për kryetar të partisë. Më shumë gjasë, kandidat do të jetë edhe vetë Albin Kurti, lideri i tanishëm i VV-së, që ka drejtuar këte parti që nga themelimi, përjashtimisht një mandati të Visar Ymerit si kryetar i subjektit sot më të madh ne Kosovë. Analistët nuk presin ndryshim në kreun e VV-së, pasi që Kurtin e vleresojnë si kryetar të pakontestueshëm të partisë në pushtet.
Kohëve të fundit u raportua për një përçarje brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, megjithatë, deri më tani nuk ka asgjë të konfirmuar.
Në fakt, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë gjithmonë më e rezervuar sa u përket deklaratave për përçarjet e mundshme, derisa njihet si një subjekt politik ku secili ka mendim të ngjashëm me tjetrin.
A ka Kurti kundërkandidat?
Para pesë viteve, subjekti politik që tani është në pushtet, mbajti zgjedhjet e brendshme. Ky proces, do të zhvillohet sërish këtë vit. Në një situatë të tillë, lind pyetja; a ka kush që i del si kundërkandidat Kurtit për kryetar të partisë?
Lidhur me këtë çështje, gazeta Nacionale bisedoi me zyrtarin e Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hysenin, dikur pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Hyseni, pati një përgjigje komplet ironizuese sa i përket zgjedhjeve në ish-partinë e tij.
“Kam shumë kershëri dhe e pres me padurim epilogun e procesit zgjedhor në VV. Shumë gjëra po ndodhin, veç parashikueshmeri nuk bëjmë dot. Jam aq i grishur sa më bëhet t’i harroj të gjitha e të kthehem për ta përjetuar këtë situatë singulare, këtë ekces demokracise. Një proces aq i hapur e aq i zbritur në popull. Një proces ku politika e informuar nga teoria shkëmbehet me praktikën e mençurinë popullore”, tha ai për Nacionalen.
Pyetur nga gazeta Nacionale se a mund të ketë një kundërkandidat Kurti në procesin e brendshëm zgjedhor, Hyseni na tha se “një kandidat i ri, serioz, e revolucionar, ka mbledhur një duzinë kuadrosh e lum anëtarësh të cilës, nuk është i sigurt se Kurti mund t’i mbijetojë”.
Edhe kjo përgjigje, ishte me ironi.
“Thuhet madje, se dinamikat e krijuara kanë krijuar aq shumë zjarr sa një kandidat i ri, serioz dhe revolucionar ka mbledhur një duzinë kuadrosh e lum anëtarësh. Për vete nuk jam i sigurt nëse vetë Albin Kurti do t’i mbijetojë kësaj stuhie. Sidoqoftë, mbase edhe i fiton me ndonjë margjinë të ngushtë, por nuk do të mundet të qeverisë pa i përfshirë grupimet inovatore që po lulëzojnë, që vetëm aty mund të lulëzonin me ato 1000 ngjyra”, tha ai për gazetën Nacionale.
Zyrtari i PSD-së, foli edhe për mundësinë që të krijohen fraksione brenda partisë së Kurtit, derisa i përmendi pak edhe dorëheqjet e fundit në Komunën e Podujevës, ku udhëheqë Vetëvendosja.
“Fraksionet janë normaliteti i një demokracie si kjo në VV, ku ka heteredoksi, e ku mbizotëron shumësia. Ka veç një sqarim jo pa rëndësi që duhet bërë. Ndryshe prej subjekteve ku mbrohen interesa partikulare, materiale ose të pushtetit, këtu është krejt ndryshe. Merreni shembullin e dorëheqjeve të fundit në Podujevë. Kush iu tha që aty plasaritjet janë për lejet e ndertimit buzë liqenit Batllave?! Jo, jo, krejt konceptuale: po ndahen hegelianët e majtë dhe hegelianët e djathtë. Një grup i strukturalistëve, ndërkohë, kishte mbetur anash, i margjinalizuar”, tha ai.
Ndërkaq, analistja Zana Avdiu, konsideron se këtë herë, ka garë më të vërtetë në procesin zgjedhor të LVV-së, ndryshe prej viteve paraprake.
Megjithatë, ajo për Nacionalen theksoi se kryeministri Kurti, “ka pak tendenca autoritare dhe është figurë e pakontestueshme e VV-së”.
“Aq sa e kam përcjell garën brenda degëve të VV-së nëpër qendrat e mëdha, duket se ka garë më të vërtetë në këto zgjedhje, se sa që ka pasur në zgjedhjet e kaluara. Kjo për arsye edhe se VV-ja është partia që tashmë e ka pushtetin dhe sigurisht, gjithësecili dëshiron të marrë një post të rëndësishëm brenda partisë. Ndërsa, sa i përket zgjedhjet së kryetarit, Kurti ka pak tendenca autoritare dhe është figura e pakontestueshme e VV-së”, tha ajo .
Edhe Avdiu, tha se mund të ketë kundërkandidat, për hir të garës, por sipas saj, “jo prej së vërteti”.
“Ndoshta do të ketë kundërkandidat, për hir të garës, por jo prej së vërteti. Ajo me Visar Ymerin, ka qenë një farse për t’u paraqitur kinse parti demokratike, por z.Ymeri nuk ka qenë kurrë kryetar prej së verteti. Kurti do të vazhdojë të jetë kryetar dhe Vetëvendosja do të jetë parti, veç derisa Kurti të jetë në skenën politike. Këtë po e them sepse VV nuk ka histori sikur dy partitë tjera, që edhe pa figurat kryesore të tyre, po vazhdojnë të jenë parti të mëdha e të fuqishme. VV-ja është parti që ekzistenca e saj është lidhur ngusht vetëm me emrin e kryetarit të saj aktual dhe atij të ardhshëm, z.Kurtit”, ka thënë ajo .
Gazeta Nacionale bisedoi edhe me analistin Gazmir Raci. Ky i fundit, na tha se nuk pret që kryeministri të ketë kundërkandidat, për vetë faktin se tani është shef i Qeverisë.
“Por nuk besoj që mund të ketë fraksione, për shkak se janë në pushtet, ata deputetë që pretendojnë të krijojnë fraksione, që mund të ndalin nga një parti e madhe, pastaj duhet të përshëndeten përfundimisht me zgjedhjen e tyre të mundshme të ardhshme në Kuvendin e Kosovës. E kemi parë edhe në të kaluarën, nuk mund të kenë sukses në Kosovë si individë, por vetëm përmes partive të mëdha”, tha ai sa i përket mundësisë së krijimit të ndonjë fraksioni në LVV.
Në fund, Raci tha se debatet, duhet të zhvillohen brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe vendimet të merren nga Grupi Parlamentar.
Përçarja e madhe e LVV-së
Kurti e ka udhëhequr Lëvizjen Vetëvendosje për gati 15 vite, që nga themelimi i saj. Me përjashtim, nga viti 2015 deri në 2017, kur kryetar ishte Visar Ymeri.
Në vitin 2015, Kurti kishte dhënë dorëheqje nga pozita e tij si kryetar, kur kishte publikuar një letër sqaruese për këtë vendim dy muaj para zgjedhjeve të brendshme në Lëvizje.
Në letrën e Kurtit, thuhej se arsyeja kryesore pse ai nuk do të kandidonte për kryetar të partisë, ishte për shkak të mungesës së dëshirës për të punuar në bazë, dhe dëshirën e shprehur për të punuar në terren.
Në ato zgjedhje, kryetar u zgjodh Visar Ymeri, i cili dha dorëheqje dy vite më vonë. Pas dorëheqjes së tij, pasuan edhe shumë të tjera ku disa prej eksponentëve, më pas kaluan në Partinë Socialdemokrate.
Kjo e kishte shtyrë Kurtin që në vitin 2017 ta rimarrë timonin e partisë e cila sot është në pushtet. A ka guximtarë në LVV, a “do t’i lshojë dikujt Kurti rend”? - Kjo pritet të shihet në ditët në vijim.

