Plas sherri për villat në Batllavë, edhe një drejtor i Inspekcionit shkarkohet në Podujevë - NACIONALE

Plas sherri për villat në Batllavë, edhe një drejtor i Inspekcionit shkarkohet në Podujevë

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Kreu i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shkarkuar edhe drejtorin e radhës të Inspekcionit, njëherit i treti që nga marrja e mandatit.

Bëhet fjalë për Besnik Mulliqin. Ky i fundit para pak çastesh përmes një postimi në Facebook konfirmoi shkarkimin.

Mes tjerash, ai falënderoi ata që e mbështetën, teksa pranoi se rrënoi objekte në Orllan.

“Të nderuar qytetarë të Podujevës, të dashur aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje!,Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA. Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekve të mia të vazhdushme për t’a mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm!Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar!Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz.Të gjithë juve qytetarë të Podujeves dhe aktivistë të Lëvizjes, ju falënderoj nga zemra për përkrahjen e vazhdueshme!”, shkroi ai.

Gazeta siguroi vendimin e plotë që mban firmën e të parit të komunës respektive.

Megjithatë, Nacionale nuk u mjaftua me kaq dhe telefonoi direkt Mulliqin.

Mulliqi tha se nuk është në dijeni të asaj se kush janë pronarët e villave, porse e di që janë ilegale.

“Shkarkimin e kam pranuar pas rrënimeve të bëra. Por ky nuk është problemi i vetëm. Ka edhe çështje të tjera për të cilat nuk jam pajtuar. Kemi pasur edhe probleme të tjera. Nuk e di të kujt janë shtëpitë, por e di që janë ilegale, të papajisura me leje”, tha fillimisht Mulliqi.

Ndërkaq, ai konfirmoi se është drejtori i tretë i shkarkuar nga e njëjta drejtori.

Po, është e vërtetë. Jam drejtori i tretë që po shkarkohem”, përfundoi Mulliqi për Nacionalen.

Shkarkimi i tij, dihej tash e një kohë. Kjo pasi, siç mëson gazeta, një javë më parë ka pasur një konflikt me kreun e komunës, konflikt në të cilin veçse iu konfirmua që do të shkarkohej pas pushimit të kryetarit në Turqi.

Dhe pikërisht një ditë para se të kthehej nga pushimi, Mulliqi mori vendim për rrënimin e villave.

Përveç Mulliqit, për Nacionalen foli edhe ish-drejtori i dikasterit respektiv, Ajet Potera.

Sipas Poterës, duhen bërë hetime dhe auditime, sepse aty nuk është në rregull diçka.

"Unë mendoj që duhet të ketë hetim dhe auditim sa më parë sepse aty nuk është në rregull diçka!", tha Potera për Nacionalen.

Gazeta gjithashtoi tentoi të flasë edhe me kryetarin Bulliqi, por që i njëjti nuk e hapi telefonin.

Kujtojmë gjithashtu se Bulliqi shpeshherë është bërë pjesë e ballinave të mediave.

Kjo kryesisht për shkak të ndonjë skandali, siç ishte ai i punësimit të vajzës në ATK.

Lajme të ngjashme