Krejt VV-ja drejt e në AKP, edhe vajza e Shpejtim Bulliqit rehatohet në Agjencinë e Privatizimit - NACIONALE

Krejt VV-ja drejt e në AKP, edhe vajza e Shpejtim Bulliqit rehatohet në Agjencinë e Privatizimit

1 vit më parë

nga Gazeta Nacionale

Agjencia Kosovare e Privatizimit së fundmi është kthyer në një vend punësimi për Lëvizjen Vetëvendosje. E tash aty, e emëruar është edhe vajza e Shpejtim Bulliqit, kryetarit të Podujevës nga radhët e partisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Egzonë Bulliqi, vajza e kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë një kontratë në AKP, të cilën dikur VV premtonte ta shuante tërësisht. Vajza e gjeografit kryetar komune, është emëruar në pozitën e Ofruesit të Shërbimeve në Zyrën e AKP-së në Prishtinë.

Rekomandimi për emërimin e Egzonë Bulliqit në këtë pozitë është bërë nga Komisioni Përzgjedhës i Shërbimit Civili të AKP-së dhe është miratuar edhe nga drejtori menaxhues i këtij institucioni.

Egzonë Bulliqi ka qenë ndër kandidatet më të suksesshmë në këtë garë, sipas rezultateve të publikuara nga AKP në Prishtinë.

Me 87 pikë, ajo është rënditur në vendin e 2 në listë, duke u rekomanduar nga Komisioni Përzgjedhës i Shërbimit Civil të AKP-së.

Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një qëndrim nga kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për çështjen e punësimit të vajzës së tij. Përkundër insistimit të Nacionales, Bulliqi nuk ka kthyer përgjigje.

As vajza e tij, Egzonë Bulliqi, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Nacionales.

Agjencia Kosovare e Privatizimit është bërë edhe me drejtor të ri menaxhues. Në këtë institucion, që pushteti aktual synon ta zhbëjë, është emëruar Arben Limani. Sipas një njoftimi për media, Bordi i AKP-së ka vendosur që Limani të zgjidhet në pozitën që deri sot ishte vakante.

Por, në Agjencinë që pritej të shuhej, Qeveria ka emëruar një familjar të një militanti të VV-së. Arben Limani duket të jetë ‘shpërblyer’ për përkrahjen që i vëllai i tij, Faton Limani, i ka dhënë Lëvizjes Vetëvendosje, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Komunikata e Bordit të AKP-së përmend përvojën e gjatë të Arben Limanit, duke theksuar specializimin në zhvillim dhe zbatimin e politikave publike.

Tutje, aty theksohet se Limani është angazhuar në AKP që nga viti 2009 e deri më tani, teksa thuhet se ka mbajtur edhe pozitën e drejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Bordit të Drejtorëve nga viti 2011 e tutje.

Por, që nga sot, ai do të jetë numri një i AKP, e cila ka nisur edhe një valë të re të privatizimit.

Megjithatë, Bordi i AKP-së nuk ka përmendur edhe afërsinë e familjes Limani me VV-në. Në fakt, Faton Limani, i vëllai i drejtorit të ri menaxhues, është militant i VV-së.

Ndonëse jeton në SHBA, Limani është shumë aktiv në përkrahjen për VV-në.

Sa ishte në opozitë, Albin Kurti, kryeministër i tanishëm i Kosovës, ishte shumë kritik ndaj mënyrës së privatizimit të ndërmarrjeve publike e shtetërore kosovare.

Privatizim i egër neoliberal ishte togfjalëshi me të cilin e përshkruante Kurti shitjen e aseteve publike tek personat e ndërmarrjet private në Kosovën e pasluftës.

Por, duket që shuarja nuk do të ndodh së shpejti.

Ndonëse ka kohë që e ka paralajmëruar shuarjen e AKP-së, kjo e fundit nëpërmjet një komunikate për media, ka shpallur shitjen e re të aseteve përmes likuidimit.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.55. Lista e tenderëve për privatizim me këtë valë të shitjeve përmban 52 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tone”, thuhej në komunikatë.

Lajme të ngjashme