Nga kundërshtimi në shfrytëzim, si po e merr në dorë VV-ja AKP-në? - NACIONALE

Nga kundërshtimi në shfrytëzim, si po e merr në dorë VV-ja AKP-në?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje dikur insistonte për zhbërjen e AKP-së, sot e shfrytëzon atë për të punësuar njerëzit e saj.

Sipas një hulumtimi të Gazetës Infokus, në 6 mujorin e parë të vitit 2022, me Kontrata për Shërbime të Veçanta, apo Kontrata mbi Vepër, janë punësuar 33 persona.

Punësimi i këtyre personave është bërë nëpërmjet 9 konkurseve të shpallura nga AKP-ja.

Me VV-në në pushtet, AKP-ja jo vetëm që s’është mbyllur, por i ka hapur mundësi shumë përkrahësve të kësaj partie.

Gazeta Nacionale ditë më parë ka shkruar se drejtori i ri menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit është Arben Limani, familjar i një militanti të VV-së.

Agjencia Kosovare e Privatizimit është bërë me drejtor të ri menaxhues. Në këtë institucion, që pushteti aktual synon ta zhbëjë, është emëruar Arben Limani. Sipas një njoftimi për media, Bordi i AKP-së ka vendosur që Limani të zgjidhet në pozitën që deri sot ishte vakante.

Por, në Agjencinë që pritej të shuhej, Qeveria ka emëruar një familjar të një militanti të VV-së. Arben Limani duket të jetë ‘shpërblyer’ për përkrahjen që i vëllai i tij, Faton Limani, i ka dhënë Lëvizjes Vetëvendosje, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Arbeni duket se ia pa hajrin vëllait të tij në Amerikë, teksa Bordi i AKP-së të zgjedhur nga Qeveria Kurti ka emëruar atë në pozitën më të lartë menaxhuese në agjencinë që merret me privatizim.

Siç shihet në profilin e tij në Facebook, pothuajse i gjithë aktiviteti i tij publik është komunikime e fotografi të shpërndara rreth Vetëvendosje.

Limani ka shpërndarë fotografi me mbishkrimin “krejt dhe drejt”, që ishte sllogani i VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.

Por, Limani si një aktivist i devotshëm, nuk ka harruar as të përkujtojë javën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mbahet secilin qershor.

Po ashtu, ai ka postuar edhe fotografi të kandidatëve të ndryshëm që garonin për asamble komunale të Shtërpcës.

E përkrahjen për VV-në, ai nuk e ka ndaluar as pasi kjo e fundit mori udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës.

Ndonëse jeton mijëra kilometra larg nga Kosova, Limani, që është familjar i drejtorit të sapo zgjedhur të AKP-së, ka shpërndarë fotografi përkrahëse për Kurtin si kryeministër.

Limani ka shpërndarë një fotografi që ishte punuar nga Qeveria e Kurtit, e ku tregohej për vendimet që kishte marrë për të lehtësuar krizën ekonomike të këtij viti.

E natyrisht, Limani nuk ka ngurruar të përfshihet edhe në zgjedhjet për Prishtinën. Ai ka bërë disa postime përkrahëse për ish-kandidatin e VV-së për kryeqytet, Arben Vitia.

Madje, ai kishte komentuar edhe emërimin e Blerand Stavilecit, nënkryetar të Prishtinë, duke thënë se me fitoren e Përparim Ramës “përparon Klani Pronto”.

Kurti, kritik i privatizimit

Sa ishte në opozitë, Albin Kurti, kryeministër i tanishëm i Kosovës, ishte shumë kritik ndaj mënyrës së privatizimit të ndërmarrjeve publike e shtetërore kosovare. Privatizim i egër neoliberal ishte togfjalëshi me të cilin e përshkruante Kurti shitjen e aseteve publike tek personat e ndërmarrjet private në Kosovën e pasluftës.

Madje, Kurti vazhdimisht përsëriste premtimin se do ta ‘rishikonte’ procesin e privatizimit, duke shtuar se me ardhjen në pushtet të tij, Qeveria do ta shuante Agjencinë e Kosovës për Privatizim (AKP).

Bordit të saj, pak para ardhjes në pushtet, i kërkoi të mos hapte valë të re të privatizimit, duke theksuar se një hap i tillë është “konfirmim i mëtejmë i brengës sonë për keqpërdorime në këtë institucion”.

Të njëjtën logjikë, ai e ndoqi edhe kur erdhi në pushtet.

Gjatë një fjalimi në Kuvend, teksa po propozoheshin emrat e rinj për Bordin e AKP-së, Kurti theksoi se në këtë agjenci pagat ishin të mëdha.

Privatizimi i egër u bë në një kohë kur Kosova e posa dalur nga lufta dhe nuk e kishte rimëkëmbur ekonominë. Funksionimi i AKP-së ka mbledhur para nga privatizimi i pronave, por merreni me mend i ka mbuluar shpenzimet operative me to. Aty janë pagat më të larta në Kosovë dhe shpenzohen pa masë. Kjo mënyrë e buxhetimit të AKP-së duhet të ndryshohet menjëherë. Kompensimet e larta e të paarsyeshme. Mëditjet nga dy mijë euro e deri në re mijë euro për një mbledhje të mbajtur”, deklaroi Kurti.

Lajme të ngjashme