Kurti erdhi në pushtet duke premtuar ndaljen e privatizimit, sot ai e rifilloi atë me furi - NACIONALE

Kurti erdhi në pushtet duke premtuar ndaljen e privatizimit, sot ai e rifilloi atë me furi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sa ishte në opozitë, Albin Kurti, kryeministër i tanishëm i Kosovës, ishte shumë kritik ndaj mënyrës së privatizimit të ndërmarrjeve publike e shtetërore kosovare. Privatizim i egër neoliberal ishte togfjalëshi me të cilin e përshkruante Kurti shitjen e aseteve publike tek personat e ndërmarrjet private në Kosovën e pasluftës.

Madje, Kurti vazhdimisht përsëriste premtimin se do ta ‘rishikonte’ procesin e privatizimit, duke shtuar se me ardhjen në pushtet të tij, Qeveria do ta shuante Agjencinë e Kosovës për Privatizim (AKP).

Bordit të saj, pak para ardhjes në pushtet, i kërkoi të mos hapte valë të re të privatizimit, duke theksuar se një hap i tillë është “konfirmim i mëtejmë i brengës sonë për keqpërdorime në këtë institucion”.

Të njëjtën logjikë, ai e ndoqi edhe kur erdhi në pushtet.

Gjatë një fjalimi në Kuvend, teksa po propozoheshin emrat e rinj për Bordin e AKP-së, Kurti theksoi se në këtë agjenci pagat ishin të mëdha.

Privatizimi i egër u bë në një kohë kur Kosova e posa dalur nga lufta dhe nuk e kishte rimëkëmbur ekonominë. Funksionimi i AKP-së ka mbledhur para nga privatizimi i pronave, por merreni me mend i ka mbuluar shpenzimet operative me to. Aty janë pagat më të larta në Kosovë dhe shpenzohen pa masë. Kjo mënyrë e buxhetimit të AKP-së duhet të ndryshohet menjëherë. Kompensimet e larta e të paarsyeshme. Mëditjet nga dy mijë euro e deri në re mijë euro për një mbledhje të mbajtur”, deklaroi Kurti.

Në gusht të 2021, Kurti si kryeministër paralajmëroi sërish se Qeveria e udhëhequr nga ai, do ta shuaj AKP-në, pasi që aty është vjedhur e privatizuar gabimisht.

Me AKP dhe ARKEP ne u dalim zot premtimeve tona për qytetarët. 50.28 për qind kanë votuar për fitoren tone, një fitore e paparë për Kosovën e pasluftës dhe kemi thënë që AKP do të shuhet dhe AKP do të shuhet, por që të shuhet AKP është e rëndësishme që njëherë të shkarkohet Bordi se ka vjedhur shume, e ne nuk do t’i lejojmë. Janë paguar për të vjedhur merreni me mend. Janë paguar me rrogat më të larta në vendin tonë për të keqën më të madhe që e kanë sjellë në Kosovën e pasluftës. Kjo është arsyeja që na duhet një bord i ri që mision e ka shuarjen e AKP-së”, theksonte Kurti.

Në fjalimin e tij kritik ndaj AKP-së, Kurti rendiste punët e ‘këqija’ që sipas tij i kishte bërë kjo agjenci gjatë viteve të ekzistencës së saj.

Në listë përfshiheshin shitja e tokave bujqësore e objekteve publike. E pas analizës, Kurti s’përtoi të shtonte se me qeverisjen e Vetëvendosjes, pasuria e Kosovës do të menaxhohej më mirë.

Me qeverinë tonë kjo do të ndryshojë sepse jemi ne që jemi zotuar për të sjell investime dhe për të krijuar vende pune. Pasuria që e kemi trashëguar deri më tani në masë të konsiderueshme është plaçkitur, pra atë që e kemi nga brezat pararendës është plaçkitur, e ku në fakt s’do të duhej që të investohej për ta rritur atë për brezat pasardhës”, shtonte ai.

Por, duket që shuarja nuk do të ndodh së shpejti.

Ndonëse ka kohë që e ka paralajmëruar shuarjen e AKP-së, kjo e fundit nëpërmjet një komunikate për media, ka shpallur shitjen e re të aseteve përmes likuidimit.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.55. Lista e tenderëve për privatizim me këtë valë të shitjeve përmban 52 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tone”, thuhej në komunikatë.

Këtë shpallje të re të privatizimit, e ka aprovuar vetë Bordi që u emërua nga Kurti, për të përgatitur shuarjen e këtij institucioni, sipas premtimit elektoral të VV-së.

Kujtojmë që Qeveria Kurti tashmë ka iniciuar themelimin e Fondit Sovran, i cili parashihet të përmirësojë qeverisjen e aseteve publike, duke miratuar koncept dokumentit për këtë mekanizëm.

Ky Fond do t’i japë një jetë të re shumë aseteve që qëndrojnë të mbyllura apo nënshfrytëzuara në fondin e AKP-së, përmes riorganizimit, rihabilitimit dhe rivitalizimit të tyre në forma të reja të funksionalizimit komercial dhe financiar”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit në shkurt të këtij viti.

Lajme të ngjashme