“Rrahja me dru”: Shfajësimi ‘diskret’ që provoi ta bënte këshilltari i shkarkuar i Konjufcës - NACIONALE

“Rrahja me dru”: Shfajësimi ‘diskret’ që provoi ta bënte këshilltari i shkarkuar i Konjufcës

11 muaj më parë

nga Gazeta Nacionale

Hoxha Drilon Gashi tashmë është liruar nga detyra si këshilltar i kryekuvendarit Glauk Konjufca. Por, prej që doli lajmi ai kishte provuar që ta shfajësonte veten në një mënyrë mjaft ‘diskrete’.

Më 11 maj doli lajmi se Drilon Gashi e kishte rrahur gruan, dhe për të cilën vepër ishte dënuar vetëm me “vërejtje gjyqësore”.

Në vendim thuhej se Gashi për shkak të disa mosmarrëveshje e kishte goditur gruan e tij me grushta dhe dru, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Në po të njëjtën ditë, z. Gashi do të postonte një fotografi në profilin e tij në Facebook ku shkruante “Me bashkëshorten!” Aty ai vendoste edhe një figurë (emoji) me dy zemra në vend të syve, dhe me thurjen “hashtagun” “since2007” (shq. Prej vitit 2007).

Pesë ditë më vonë

Pesë ditë më vonë, gruaja e z. Gashi, Teuta, do të postonte në Facebook një shkrim bukur të gjatë në të cilin provonte ta shfajësonte të burrin e saj, Drilonin.

“Atëherë, para 5 viteve, gjatë procesit gjyqësor, burri im pranoi disa fakte që në të vërtetë nuk ndodhën kurrë, por ai e bëri këtë për të përfunduar sa më shpejt situata dhe për të rikuperuar marrëdhënien tonë. Ne në atë kohë nuk kishim as avokat me vete dhe fjalët që janë shkruar në procesverbal as që na kanë interesuar më vonë. Ne nuk kemi qenë të interesuar për publikimin e kësaj historie dhe kjo na ka dëmtuar shumë neve si familje, fëmijët tanë, prindërit tanë dhe mua personalisht si individ.” – kishte shkruar mes tjerash znj. Mahmutaj.

Ajo e quante atë që Gjykata e cilësonte “rrahje me grushte e dru” si “zënkë”.

Pesë ditë më herët

Drilon Gashi fliste në mënyrë protektive për gruan e tij edhe më 6 maj.

Gashi do të tregonte para publikut se gruaja e tij kishte pranuar që të punonte për një shtëpi botuese me çmim të lirë.

“Që dy muaj, e kam vërejtur që ishte më shumë e zënë sesa ditët e tjera. Sot më tregoi për një marrëveshje që paska pas bërë me një shtëpi botuese nga Prizreni. Duke u nisur nga sinqeriteti i saj dhe mospasja përvojë në tregun e punës, kishte pranuar që ta përkthejë një roman, 0.50 cent për faqe!!! Shtëpia botuese në fillim e kishte mashtruar atë me pretekstin se si një shtëpi botuese e re, ata kishin pagesa të ulëta.” thoshte ai.

“Teuta e kishte pranuar këtë shërbim, me vullnetin, sinqeritetin dhe devotshmërinë e saj, por unë nuk isha aspak dakord me mënyrën se si ata e kishin trajtuar bashkëshorten time.” - shtoi tutje ai.

Për vendimin ku dënohej Gashi për rrahjen e gruas nga kabineti i Konjufcës fillimisht kishin thënë se nuk kishin qenë të informuar. Sidoqoftë sot u bë e ditur se Gashi ishte larguar nga detyra që mbante.

Në një prononcim për Insajderin, z. Gashi pas shkarkimit i kishte thënë këto fjalë:

“Po, është e vërtetë. Unë jam liru prej detyrës. Dyshoj që krejt kjo është ba një fushatë speciale kundër meje. Ishalla ata që ja kanë arrit një qëllimi të tillë, ishalla po gëzohen. Unë krejt atyne, edhe dushmanëve ju uroj me pasë jetë të lumtur në familje. Me kanë të kënaqun edhe në familjen e tyre, po unë ata që më kanë përjashtu prej une me këtë lajmin që e kanë nxjerrë… Katër fëmijë i kam lënë pa bukë. Për momentin jam i prekur dhe i shqetësun. Po mundohem me reflektu edhe me vetën. Fajin kërkush nuk mundet me e arsyetu, secili le te mban përgjegjësinë e vet. Pse bash qitash, pyetja është pse bash qitash – një seancë e mbyllur përpara gjashtë vitesh, një problem familjar që e kam pasë me shoqen – pse bash qitash u hap edhe u çel bash qitash kur i kam dy padi që jam tu i shqyrtu, njërën kundër BIK-ut, tjetrën një padi për shpifje që ma ka bë Enes Goga. Qit muj dy herë e kam vizitu Gjykatën e Pejës. Kujna po i shërben me këtë lajm. Unë i kam rikuperu krejt problemet që më kanë ndodh me bashkëshorten. Kryetari i Kuvendit ka qenë në një udhëtim, i nxanë me punë të tij, unë kam kontaktu me shefin tem që është përgjegjës për neve këshilltarëve edhe i kem sqaru çështjet, sot jam liru prej detyrës çka me bë tash” - tha z. Gashi.

Lajme të ngjashme