AKP nuk po shuhet, Qeveria Kurti emëron vëllain e militantit të VV-së drejtor menaxhues - NACIONALE

AKP nuk po shuhet, Qeveria Kurti emëron vëllain e militantit të VV-së drejtor menaxhues

1 vit më parë

nga NACIONALE

Agjencia Kosovare e Privatizimit është bërë me drejtor të ri menaxhues. Në këtë institucion, që pushteti aktual synon ta zhbëjë, është emëruar Arben Limani. Sipas një njoftimi për media, Bordi i AKP-së ka vendosur që Limani të zgjidhet në pozitën që deri sot ishte vakante.

Por, në Agjencinë që pritej të shuhej, Qeveria ka emëruar një familjar të një militanti të VV-së. Arben Limani duket të jetë ‘shpërblyer’ për përkrahjen që i vëllai i tij, Faton Limani, i ka dhënë Lëvizjes Vetëvendosje, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Komunikata e Bordit të AKP-së përmend përvojën e gjatë të Arben Limanit, duke theksuar specializimin në zhvillim dhe zbatimin e politikave publike.

Tutje, aty theksohet se Limani është angazhuar në AKP që nga viti 2009 e deri më tani, teksa thuhet se ka mbajtur edhe pozitën e drejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Bordit të Drejtorëve nga viti 2011 e tutje.

Por, që nga sot, ai do të jetë numri një i AKP, e cila ka nisur edhe një valë të re të privatizimit.

Megjithatë, Bordi i AKP-së nuk ka përmendur edhe afërsinë e familjes Limani me VV-në. Në fakt, Faton Limani, i vëllai i drejtorit të ri menaxhues, është militant i VV-së.

Ndonëse jeton në SHBA, Limani është shumë aktiv në përkrahjen për VV-në.

Arbeni duket se ia pa hajrin vëllait të tij në Amerikë, teksa Bordi i AKP-së të zgjedhur nga Qeveria Kurti ka emëruar atë në pozitën më të lartë menaxhuese në agjencinë që merret me privatizim.

Siç shihet në profilin e tij në Facebook, pothuajse i gjithë aktiviteti i tij publik është komunikime e fotografi të shpërndara rreth Vetëvendosje.

Limani ka shpërndarë fotografi me mbishkrimin “krejt dhe drejt”, që ishte sllogani i VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.

Por, Limani si një aktivist i devotshëm, nuk ka harruar as të përkujtojë javën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mbahet secilin qershor.

Po ashtu, ai ka postuar edhe fotografi të kandidatëve të ndryshëm që garonin për asamble komunale të Shtërpcës.

E përkrahjen për VV-në, ai nuk e ka ndaluar as pasi kjo e fundit mori udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës.

Ndonëse jeton mijëra kilometra larg nga Kosova, Limani, që është familjar i drejtorit të sapo zgjedhur të AKP-së, ka shpërndarë fotografi përkrahëse për Kurtin si kryeministër.

Limani ka shpërndarë një fotografi që ishte punuar nga Qeveria e Kurtit, e ku tregohej për vendimet që kishte marrë për të lehtësuar krizën ekonomike të këtij viti.

E natyrisht, Limani nuk ka ngurruar të përfshihet edhe në zgjedhjet për Prishtinën. Ai ka bërë disa postime përkrahëse për ish-kandidatin e VV-së për kryeqytet, Arben Vitia.

Madje, ai kishte komentuar edhe emërimin e Blerand Stavilecit, nënkryetar të Prishtinë, duke thënë se me fitoren e Përparim Ramës “përparon Klani Pronto”.

Kujtojmë që Kurti kishte premtuar shuarjen e AKP-së sa ishte në opozitë.

Ai ishte shumë kritik ndaj mënyrës së privatizimit të ndërmarrjeve publike e shtetërore kosovare.

Privatizim i egër neoliberal ishte togfjalëshi me të cilin e përshkruante Kurti shitjen e aseteve publike tek personat e ndërmarrjet private në Kosovën e pasluftës.

Por, duket që shuarja nuk do të ndodh së shpejti.

Ndonëse ka kohë që e ka paralajmëruar shuarjen e AKP-së, kjo e fundit nëpërmjet një komunikate për media, ka shpallur shitjen e re të aseteve përmes likuidimit.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.55. Lista e tenderëve për privatizim me këtë valë të shitjeve përmban 52 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tone”, thuhej në komunikatë.

E tash, ky Bord ka vendosur edhe një drejtor të ri menaxhues.

Lajme të ngjashme