Pështillet Kurti në konferencë, zgjedhjet brenda partisë i barazon me zgjedhjet lokale e nacionale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka mbajtur një konferencë për media ku ka bërë të ditur se procesi zgjedhor brenda kësaj partie, po vazhdon në degët e ndryshme që i kanë nëpër Kosovë.
Kurti para gazetarëve ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka themeluar dy struktura të reja organizative në parti, atë të Gruas për LVV-në dhe Rinisë për LVV-së, shkruan gazeta Nacionale.
“Kësaj radhe zgjedhjet nuk mbahen vetëm për pika si në të kaluarën, por edhe për këto dy organizata. 14 mijë vajza do ta kenë organizatën e tyre, dhe 17 mijë të rinj e të reja do ta kenë organizimin e tyre brenda LVV-së”, ka thënë Kurti.
Kurti mes tjerash ka ftuar anëtarët e LVV-së që të aktivizohen në zgjedhjet brenda këtij subjekti politik, pasi që sipas tij, nuk do të ketë proces tjetër më të rëndësishëm, ku këtu i ka përmendur edhe zgjedhjet lokale e ato nacionale.
“Për katër vitet e ardhshme, nuk do të ketë proces të brendshëm më të rëndësishëm se ky, zgjedhjet tjera janë në vitin 2026, deri në këtë vit, në kuptimin e përfaqësimit të brendshëm të LVV-së, nuk do të ketë vit më të rëndësishëm se viti 2022, vit më i rëndësishëm do të jetë vetëm viti 2026. Nuk do të ketë as zgjedhje lokale, e as zgjedhje nacionale në Republikën e Kosovës pas këtyre zgjedhjeve të brendshme të LVV-së, që janë të fundit para zgjedhjeve të radhës. Pra këto po mbahen në vitin 2022, dhe zgjedhjet lokale dhe ato nacionale do të jenë në vitet në vijim, por zgjedhje të brendshme në LVV, nuk do të ketë deri në vitin 2026. Prandaj i bëj thirrje gjithë anëtarësisë së LVV-së, që të jenë aktivë në procesin e brendshëm zgjedhor, sepse kurdo që të mbahen zgjedhjet lokale dhe nacionale, kalendari thotë se do të jetë viti 2025, deri atëherë nuk do të ketë zgjedhje të brendshme”, ka thënë ai./Nacionale.com/